TIRANE – Në kohën e riaktivizmit të gjakmarrjes në Shqipëri, çdo vrasje lidhet me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Shumë baltë është hedhur nga autorë, studiues, media kombëtare e ndërkombëtare mbi Kanunin-institucionin e lashtë më të rëndësishëm, atë të ligjeve të ruajtjes së jetës, pronës, nderit e dinjitetit të shqiptarëve. Për një studiues si Tonin Çobani, që ka shkruar rreth 30 vepra studimore e letrare, kjo dukuri ka qenë vetëm njëra nga pikënisjet e librit “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që u promovua dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
E një vepër e tillë nuk mund të mos provokojë mentalitete, mendësi, por edhe vet studimet historike. I konsideruar nga autori si sprovë letrare, libri i ri hedh dritë në udhëkryqet e studimit të njërës prej veprave më të përfolura kombëtare, Kanunit të Lekë Dukagjinit. Prej librit marrin përgjigje shumë debate rreth marrëdhënieve të françeskanit mendjendriturit Gjergj Fishtës me Kanunin. Prej kërkimeve që bënë autori gjithmonë ka një zbulim të ri. Pjesë e optikës së Tonin Çobanit, botues i dhjetëra monografive, eseve, studimeve e artikujve, veçanërisht mbi Gjergj Fishtën dhe veprën e tij, është edhe ndikimi i Kanunit në kulturën, psikologjinë, traditat e mentalitetin e shqiptarëve nga vitet 50 deri në ditët e sotme.
Natyrisht ky libër i Tonin Çobanit vjen në rrjedhën e kërkimeve e botimeve të mëparshme të tij si “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, monografi, EB Listan & TOENA: Tiranë, 2003; “Figurat mitologjike në Lahutë të Malcis”, monografi, TOENA: Tiranë, 2008; “Lahuta e Malcis, ngjizja mitologjike dhe fjalori i figurave mitologjike”, monografi, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë,2012; “Fishtologji”, studime, EB Gjergj Fishta: Lezhë, 2006, etj. I vlerësuar nga Prof.Dr. Tefë Topalli, si një nga fishtologët më të mirë të hapësirës shqiptare, të sotme dhe të traditës”, Tonin Çobani në studimin më të fundit për marrëdhëniet e veçanta të Gjergj Fishtës me Kanunin e Lek Dukagjinit, hedh dritë mbi këto figura të historisë kombëtare, që siç thotë ai: “nuk janë pastruar nga përbaltja që u është bërë ndër dekada”.
Duke qenë se janë shfaqur qëndrime të kundërta për thelbin e gjakmarrjes, autori i librit “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rrëfen për “Shqiptarja.com” pikëpamjen e Fishtës për gjakmarrjen, për lidhjet e tij me kanunin dhe për Lek Dukagjinin, por s’mund të mos ketë një qortim që rendon mbi Akademinë e Shkencave për emrin e Lekë Dukagjini që i mungon Enciklopedisë Shqiptare…!
Zoti Çobani, ju njiheni tashmë si studiues i të dy figurave, Gjergj Fishtës dhe autorit të “Kanunit”, Lekë Dukagjinit. Pse keni bërë një përqasje studimore mes tyre në librin “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”?
-Qëllimi im kryesor në librin “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, qëllim të cilin shpresoj ta kem arritur, ka qenë paraqitja meritueshëm e profileve të tri personaliteteve të kulturës sonë kombëtare, disi të zhvleftësuar ndër mote, kush më shumë e kush më pak.
I pari, Lekë Dukagjini, autor i “Kanunit” të shqiptarëve, jo vetëm sepse ai Kanun mban emrin e tij: Lekë Dukagjini në kulturën shqiptare është si Sokrati për filozofinë greke, apo Konfuci për kinezët. Ata edhe pse nuk lanë vepra të shkruara i njohën si autorë të rëndësishëm, së paku në kulturat nacionale respektive.
I dyti, Shtjefën Gjeçovi, që e mblodhi, e sistemoi dhe la të shkruar “Kanunin” e Lekë Dukagjinit në një gjuhë, sa të bukur në kumbim, aq të paktë dhe ekonomike në komunikimi” për pasojë, një gjuhë edhe poetente dhe vepruese (perlokutive). Gjeçovi në Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjuhën shqipe, ka meritat e vëllezërve Grim për gjuhën gjermane dhe kulturën evropiane.
I treti është Gjegj Fishta. Ai u përfshi edhe emocionalisht në frymën e Kanunit, duke nxitur At Gjeçovin në punën e tij disavjeçare dhe duke iu përgjigjur me një studim të thelluar siç është parathënia e Fishtës që shoqëron botimin përfundimtar të Kanunit. Si del dhe nga ai studim, poeti ynë besonte se shqiptarët në Ballkan kanë këngët e tyre epiko-legjendare si Ciklin i Kreshnikëve, ligjet e organizmit të jetës shoqërore si “Kanuni” i Lekë Dukagjinit dhe një epope të lavdishme që po krijohej ndërsa kombi shqiptar po rilindte.
Ajo rilindje këndohet në veprën “Lahuta e Malësisë” që po shkruante ndërkohë Gjergj Fishta, prandaj është quajtur më të drejtë Poet Kombëtar, dhe siç dihet në fillimet e tij poetike, Fishta ka shkruar poezinë lirike “Gjakësorëve”, që fillon me vargjet “Ndaloju ku veni burra!” për të penduar fisin e vetë në rrugën e gjakmarrjes pasi poetit ia vranë vëllain më të madh Lekë Çupin, më 1899-n. Nga ana tjetër për të krijuar këto profile në mënyrë autentike më është dashur të pastrojë skicë-portret e tyre nga njollat apo shtrembërimet që u janë shtuar rrugës deri në ditët e sotme.
Cilët janë këta autorë që kanë ndikuar seriozisht në këto shtrembërimet dje keqkuptimet për “Kanunin”?
-Shtrembërimi i parë ka nisur trojeve ballkanike diku nëpër darkat shqiptare, me pyetje të mbetura pezull: A ka ekzistuar apo jo një princ me emrin Lekë Dukagjini. Dhe a ka qenë ky pinjoll i Dukagjinëve vërtet një ligjbërës apo e ka përvetësuar ligjin nga Leka, Aleksandëri i Madh, duke ua imponuar me dhunë shqiptarëve të principatës së vet e më gjerë. Meqë pyetje të tilla kanë mbetur pa përgjigje ideologjikisht të kënaqshme Lekë Dukagjini edhe sot e kësaj dite nuk përfshihet si një zë më vete në dy botimet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.
Shtrembërimi i dytë vjen përtej oqeanit për t’u shpërfaqur në Ballkan e më gjerë. Ai iniciohet prej Stavri Skendos, një intelektual me autoritet në diasporën shqiptare. Prandaj shtrembërime të tilla të formuara nga penda e tij me citime si ”gjëja e vetme që bënë një shqiptar, të themi i kanonizuar apo i indoktrinuar nga kanuni i Lekë Dukagjinit është të vrasë për dy gisht nder”, qarkullojnë si postulate pa autor edhe në ditët e sotme. Qëllimi im ka qenë të argumentojë se pa u pastruar çdo përmendje e kanunit nga keqinterpretimet e kësaj natyre, nuk mund të zhvillohet asnjë diskurs serioz, jo më të gjykohet për qëndrime konkrete lidhur me të, me Kanunin e Lekë Dukagjinit, pra si trashëgimi kulturore.
Edhe një shtrembërim tjetër vjen përtej detit Adriatik. Atje jetonte Ernest Koliqi, i cili në një shenjë kohe shprehte mendimet në të kundërtën e Stavri Skëndos, domethënë se ruajtja e atij “dy gisht nderi” ndër shqiptarë është shenjë origjinaliteti, gjë e cila nuk duhet trazuar nga kultura perëndimore..e gjëra të tilla.
Edhe ky interpretim në ekstremin tjetër shtrembëron çdo diskurs mbi Kanunin. Por Fishta që edhe pse vetë e ka mallkuar gjakësorin, i vë vetes detyrë të mbrojë shqiptarin dhe Kanunin që e ka mbrojtur në shekuj shqiptarin dhe shqiptarinë. Më është dashur së fundmi që në këtë sprovë letrare t’i kundërvihem opinioneve të papërgjegjshme mediatike të sotme, që vijnë, jo vetëm për shkak të shtrembërimeve të natyrës që shtrova më sipër, por edhe për hir të konjukturave të përkohshme. Ato lidhen në radhë të parë me keqqeverisjet, keqmenaxhimet e situatave të tranzicionit e deri tek mungesa e profesionalizmit të atyre që bëjnë gazetari, opinionizëm e politika zhvillimi. Shpresoj t’ia kem arritur qëllimeve të mia.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com në 18 Tetor 2014