Nga: Abaz Hoxha, historian i kinemasë; Albert Xholi, regjisor filmi; Angjelina Xhara, skenariste

Në një intervistë të gjatë të bërë në Arkivin Shteteror të Filmit nga Dixhitalb dhe të vendosur në Youtube, me titullin “Përballë, Rikard Ljarja”, secili nga ne mund të ndjejë të flasë zemra e artisti të madh, shumë nga afër…

Bisedë intime me një trajektore të shpejtë nga A-ja tek Zh-ja e punës së tij si një talent i madh i ekranit të filmit shqiptar!

Rikard Ljarja, aktori që e ka rrëmbyer dashurinë e publikut, që në rolin e parë deri tek i fundit, duke u ngulitur thellë në zemrat e të gjitha moshave, por vecanërisht të brezave, që e përjetuan ”bumin” e shpërthimeve të tij në ekranin e madh të kinemave dhe në ekranin e vogël të televizorit, në vitet 70-80-të.

Rikard Ljarja

Abaz Hoxha, Historiani dhe Studjues i kinemasë thotë për Rikardin ,duke folur në telefon, me Marjeten, kolegen e bashkëshorten e Aktorit të madh!

“Qaj me ngashërim të madh, për vdekjen e Rikardit. Ishte i sëmurë kohët e fundit, por  duket sikur do bëhej përjashtim për Të….Vdekja do vononte, jo ta merrte kaq shpejt…

Ishim miq dhe Rikardi nga natyra ishte shpirt që, të bënte për vete, menjëherë… Do na mungojë shumë”

Unë dëgjoj zërin e ëmbël të Marjetës, që përmes një dëshpërimi të thellë thotë fjalë të zgjedhura të bashkëshortes, të koleges, të nënës e gruas së përkushtuar!

“Shkoi në një paqe të madhe, Angjelina… Ishte i sëmurë rëndë, por edhe ai e shpërfillte, dhe ne që i rrinim te koka… gjithashtu…oh, nuk e besojmë dot”

Fjalët tona ngushëlluese sikur nuk kanë vlerë në këto çaste të një dhimbje të madhe! Një humbje e madhe, si e shumë mjeshtërve e aktorëve të shquar të magjisë së Filmit, që nuk janë më në mesin tonë! 

Kolegë të tij, aktorë, regjisorë, skenaristë, njerëz dashamirës të artit të tij të mrekullueshëm, mbushin lajmet portalet, fb…

Ka ikur një pjestar i familjes sonë, shkruan një  moshatar i tij.

Shumë epitete, i madh, gjigand, madheshtor, I paharrueshëm, etj, mbushin komentet e shumtë, ku shprehet adhurimi për Rikard Ljarjen, jo vetëm si  aktor, regjisor, skenarist, piktor, muzikant, por mbi të gjitha si njeri me paqe të thellë të brendëshme!

Me fjalë të zgjedhura flasin regjisori dhe kolegu i ngushtë Saimir Kumbaro, me bukuri mendimi flet Aktorja e mrekullueshme, partnere e Rikardit, Roza Anagnosti, në krah të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti që duket shumë i tronditur… Për yllin e kinemasë shqiptare flasin kolege të tij, Mevlan Shanaj e Natasha Lako, skenaristët e poetët Kolec Traboini e Luan Rama, regjisorët, Leka Bunga,  Kujtim Gjonaj e Esat Mysliu…

Për Rikardin e madh flasin të gjallë e të vdekur, që ngrihen nga varri, për të parë një dashuri e respekt të madh të familjarëve të dashur e të gjithë popullit, që merr pjesë në këtë varrim në kohë kolere!

Kam qenë në Athinë kur u nda nga kjo botë, Melina Mërkuri…

Rrugët e Athinës u mbushën plot për të nderuar Artisten e madhe arvanitase, greke!

Me këtë përfytyrim i shoh rrugët e Tiranës e të Shkodres, të mbushura plot me njerëz, në nderim të aktorit të madh të filmit shqiptar, Rikard Ljarja!Abazi si duke  lexuar mendimet e mia, vazhdon me zë të lartë.

Ishim me një shërbim në Pogradec. Aty takuam Rikardin me Ruzhdi Pulahën, që bënin  stazhin për njohjen me jetën, siç ishte në atë kohë…

Njerëzit, sa shihnin Rikardin, vinin pranë, e përqafonin, e përgëzonin pafund, majtas, djathtas… në çdo rrugë ku kalonim, çdo lokal ku uleshim për të pushuar. Aty u njoh dhe me Marjetën, më duket…”

“Jo, vazhdoj unë, me Marjetën u lidhën tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë…”

Vazhdon Abazi:

“Rikardi kishte dhe humor të veçantë, kur fliste e komunikonte. Ishte karakter i hapur, me çdo njeri që  kishte pranë…

Mbaj mend kur bëheshin xhirimet për filmin “Ilegalët”. Ishte film me regjisurë të përbashkët me Saimir Kumbaron, ku unë kisha shkruar skenarin! Ishim tre, kur Rikardi lëshoi batutën:

“do ta bëj të pëlcasë ai dreq inxhinier Tosti, do i vë dhe një mizë ti vërtitet në  fytyrë e në trup, para se të japë shpirt, në bodrum…”

Rikardi ka luajtur përgjithësisht role pozitivë, por e qau me lot edhe këtë rol negativ.

Përkushtimin e pasionin e tij absolut e kam parë nga afër edhe  tek filmi ”Rrugicat që kërkonin diell”. Kam qënë dëshmitar i realizimit të skenave masive të demostratës së bukës.

Edhe ky film i realizuar në bashkpunim me Saimirin.

Krahasuar me gjithë aktorët e tjerë, Rikardi ishte i prerë për kinemanë, vështrimi i tij, buzëqeshja e tij, ecja e tij, lëvizjet e tij.

Në çdo film, gjithmonë me një bashkpunim të ngushtë me të gjithë grupin realizues, ai bëhej një me kompozitorin, operatorin, piktorin, me skenografin, me montazhin. Ishte shumë i plotësuar si karakter krijues.

Ishte natyrë e butë dhe e vendosur njëkohësisht”

Unë vazhdoj me kujtimet e mia nga procesi i diskutimit në kolektivin krijues, të kryevepres së Viktor Gjikes, filmit ”Rrugë të bardha”, ku Rikardi krijoi kryerolin e tij, Dedën, fillrojtësin!

Filmi u ndoq me interes të jashtëzakonshëm, të gjithë sikur mbanim frymën, çfarë do të ndodhte me Dedën, aq simpatik, njerëzor, punëtor, njeri aq i ngrohtë…Të gjithëve na kishte përfshirë, magjia e filmit shqiptar, me në qendër njeriun e  thjeshtë në profesion, aq të vecantë e të vështirë në kohë stuhie e suferinë dëbore…

Mbas shfaqjes, një heshtje pak e frikshme…

Papritur ngrihet e diskuton vetë skenaristi, Vath Korreshi, me atë zërin e kadifejtë, për të bërë një koment të parë, për të paraprirë valën e rezonancës kritike…

Pas tij, fola unë, folën dhe të tjerët dhe u duk se gjithshka ishte në rregull.

Por kritika inkandeshente u shfaq …, “si të vdesë heroi..?? Vdiq, apo nuk vdiq, po muzika se çfarë ka, që të ngjall frikë, po edhe montimi i zhurmave…Mos po e bëjmë si Krisht…?!”

Kundër këtyre manierave ekstremiste, filmi “Rrugë të bardha” u shfaq me sukses të madh në publik, duke shënuar kthesë në filmin shqiptar drejt rrugës realiste, me karaktere të thjeshtë njerëzorë nga jeta e vertetë, nga miqësia e vërtetë.

Për herë të parë u dhanë skena të vërteta dashurie, me bukën e djegur të Zanës, me fjalët dhe heshtjen e dashurisë së pashprehur, në sfond të muzikës së mrekullueshme të Limoz Dizdarit!

Poezi më vete, zërat e  ngrohtë të njerëzve, që i lidhnin telat e Dedës…

Dyert e kinemave u thyen për të parë filmin e regjisorit të madh, Viktor Gjika, që solli në kinema një hero ndryshe, një hero, në zemrën e të cilit ishin shokët, Zana, puna e bukur e fillrojtësit, që lidhte edhe në mes të suferinës së borës, zemrat e njerëzve të dashur…

Deda ne filmin “Rrugë të bardha”

Unë e ndërpres kujtimin tim, se përballe në ekran, nga realizimi i Dixhitalb për serinë e emisioneve me aktorët e shquar, flet vetë Artisti i madh, Rikard Ljarja…Ai tregon si hyri në film, e quan fat të madh atë çast…

Një çast ishte, që i dha kthesë të madhe jetës së tij!

Që kur ishte i vogël e kish pasë andërr, të bëhej aktor!

I jati nuk e mbështeti por as dhe e kundërshtoi i tha:

“Ti ke marrë dëftesën e pjekurisë tani e duhet të vendosësh vetë.”

Rikardi në Tiranë, rendte të realizonte ëndrrën e tij, për tu bërë aktor. Që 6 vjec, prindrit e kishin nxitur ta afronin me muzikën. I ri i binte bukur fizarmonikës dhe shoqëronte si muzikant, muajt e verës, grupet e vogla të aktorëve shkodranë që shkonin me dhënë shfaqje në fshatra…

Mbas gjimnazit i doli e drejta e studimit për matmatikë fizikë, mori vesh që kishin mbetur pa u plotësuar disa vende tek Instituti i Arteve, dega për aktor, vajti u paraqit dhe fitoi duke recituar poezi nga Ndre Mjeda…

Sa bukur, qartë dhe me një zë të jashtzakonshëm, zë “Rikardi”,…dëgjojmë nga ekrani vargjet margaritarë…

Molla të këputuna njëdeget
Dy qershija lidhë në një rrfanë
Ku fillojnë kufijtë e gegës
Rrijnë dy çika e një nanë!

Kishte bërë kinoprova, bashkë me të tjerë, për rolin kryesor të Dritan Shkabës, tek filmi emblemë e kinematografisë shqiptare, ”Komisari i dritës.” 

Fillimisht nuk e kishte fitu kinoprovën… Kur erdhi një komision për miratim. Ministri i Arsimit e Kulturës, Thoma Deljana, kish parë kinoprovat e Rikardit në rolin e Priftit, se Ndreke Luca mungonte.

“Ja ku e keni komisarin, ta shohim prapë se bashku, është ai që e keni vënë si prift…”

Dhe unaminisht ishte vendose për Rikardin.

Po flas gegenisht per ty, I madhi Rikard, që kishe atë zë të bukur, të amël, imponues dhe manjetizues!

Rolet e Rikardit, shëmbull i lartë i aktorit të suksesshëm pa diskutim!

Nëse në Kosovë ka një Bekim Fehmi, Shqipëria ka një Rikard Ljarja, të pazëvëndësueshëm deri më sot!

Poqese Shqipëria do të ishte një vend i hapur, ai do kishte realizuar edhe role ndërkombëtare, them unë si kritike filmi.

Vetë Rikardi nga biseda me rolet e tij e thekson faktin se filmat me të realizuar artistikë shqiptarë krahasohen me filma të Hollivudit, po ti heqësh anën e mbingarkuar ideologjike të kohës!

A. Hoxha, me enciklopedinë e kinematografisë shqiptare në dorë, citon filmat e Rikardit, si aktor, si regjisor, skenarist, unë shtoj edhe si film autor i parë!

“Janë 30 filma ku luan si aktor, me role te skalitura e aq të njohura nga të gjithë, duke filluar me Dritanin e Dedën, me Skënder Gurin tek “Dueli i heshtur”, Perlati në “Ngadhnjim mbi vdekjen”, Rrema në “Shtigje lufte”, Gaqo tipografi, tek “Rrugicat që kerkonin diell”, inxhinier Tosti tek ”Ilegalët”, komandant Dino tek “Radiostacioni”, etj., etj. Abazi thekson edhe faktin se rolet e Rikardit kanë qënë shumë të veçantë nga njëri film tek tjetri, duke bashkpunuar ngushtësisht edhe me aktorët partnere të tij.

 Regjisori Albert Xholi, tregon me zë të ulët por me pasion për punën e Rikardit si Artist i madh i kinemasë shqiptare.

“Unë kam qënë asistent  regjisor te filmi i tij, “Radiostacioni”. Skenarin e kishte shkruari madhi Ismail Kadare, por filmin do ta realizonte i madhi, Rikard Ljarja, që ra dakort me të për të bërë gjithçka në përkthimin në gjuhë filmi…

Ne rrinim gatitu të gjithë para mendimit të tij regjizorjal, në zbërthime të hollësishme të çdo skene… Në një cast, pashë pranë djalin tim 2 vjeçar…Pa e ditur se është djali im, e kish zgjedhur vete në kopësht. Xhole, më tha Rikardi, na duhet me e qethë, për rolin. Dakort i thashe unë, aty për aty..

Qethja u bë si për fëmijët e luftës. Kur e pa gruaja ime, u tmerrua fillimisht, por Rikardi i tha se do mbetej në histori dhe ajo nuk foli më.

Rikardi po largohet shpejt nga ne të gjithë, por do mbetet i paharruar edhe për ne shokët e tij, me tiparin kryesor te karakterit të tij, si njeri paqësor dhe shumë komunikues me të gjithë.

Edhe kur ndeshej me ndonjë që nuk i pëlqente në sjelje apo në veprime thoshte..”Lere, Xholo, s’kemi farë i bëjmë, të shkojë në fe te vet!”

Sytë e tij ishin qelibar…Përdorte shpesh fjalët, falemnerës e të lutem, me një kuptim të thellë, të jashtzakonshëm.

Fjala Rikard dhe Paqedashes, për mua janë fjalë sinonime.

E veçanta e Rikardit eshtë se ai udhehoqi lojën e aktorit në film, duke i dhënë karakteristikën kryesore, natyrshmërinë!

Me të u dashuruan gjithë vajzat shqiptare, aq shikim të ëmbël e komunikim të ngrohtë përcillte,…na la pas me rolet e tij.

Regjisori, Leka  Bunga e quajti  ”Alen Deloni” i Shqipërisë”

E merr fjalën përsëri Abazi Hoxha:

“Rikardi me ngrohtësinë e tij aktorjale krijoi në ekran çifte, që do mbahen mën gjatë! Pranë tij, në filmin e parë ishte, aktorja, e lindur për film, Roza Anagnosti, që pati aq shumë sukses në shumë role krah Rikardit. Le të kujtojmë filmin “Plagë të vjetra” etj. Me Elida Cangonjin, tek filmi “Rrugë të bardha”! Pranë Marjetës, që u bë bashkshortja e tij, menjëherë mbas filmit ”Në pyjet me borë ka jetë” dhe ku luajtën bashkë në disa filma të tjerë, si aktorë me ngrohtësi interpretimi të veçantë!

Rikard e Marjeta Ljarja me dy femijet

Si regjisor Rikardi bëri 12 filma, edhe si skenarist 5 filma. 

Pasioni i madh krijues për filmin e ndoqi Rikardin gjithë jetën. Fizarmonikën, gjithashtu, nuk e ndau gjithë jetën!

Rikard Ljarja i mori të gjitha çmimet e vlerësimet, jo me pusulla letre, as me para, por me dashurinë e madhe që mbolli tek artdashësit shqiptarë.

Lamtumirë o shoku ynë i mire, Rikard Ljarja, ti je yll i kinematografisë shqiptare dhe tani si shpirt do na përshëndetësh çdo natë nga Parajsa e yjeve… 

Nuk do të harrojmë kurrë, do përshëndetemi përmes kuadrove të filmave, që na i le dhuratë të çmuar!