Nga Qerim Vrioni /

 

Dihet se vizatimi përbën gërmat e para të alfabetit “pikturë“, dhe njëkohësisht shërben edhe si dëshmi në se dikush duhet t’i hyjë mësimit dhe lëvrimit të saj ose jo. Historikisht, vizatimet e para, siç thonë studiuesit, janë shenjat e pëllëmbës së dorës së njeriut të lyer me baltë e të vendosur mbi sipërfaqet e mureve të shpellës. Kjo bëhej për të shikuar se si riprodhohej dora, por ndoshta edhe fare rastësisht. Më pas, po në muret e shpellës, njeriu parak nisi të gërvishtëte, me gur më të fortë, më vonë edhe me qymyr druri, subjekte të ndryshëm si kafshë, armë primitive dhe skena gjahu, duke realizuar vizatimet e para të njeriut. Disa prej këtyre vizatimeve dolën mjaft jetëgjata dhe kanë mbërritur të paprishura edhe në ditët tona. Nga Shqipëria, le të përmendim vizatimet e hershëme (petroglifet) në guvat e Trenit (Korçë), Mesaplikut (Vlorë) dhe të Rubikut (Mirditë).

Vizatimet e mëvonëshme, me mjete të përmirësuara dhe mbi sipërfaqe më të përshtatëshme, të realizuara nga njerëz me aftësi të veçanta dhe shkollim përkatës, do vinin sot nga largësitë e shekujve si të ishin bërë para fare pak kohe, duke na krijuar ndjesi estetike. Edhe në ditët e sotme vizatimi lëvrohet shumë, pavarësisht veglës ekzekutuese (qymyr ose karbon, laps ose grafit, penel, majë e mprehtë çeliku etj.) dhe sipërfaqes rrafshe ku bëhet (letër, dru, xham, plastikë, mur, kanavacë etj.) dhe, që përgjithësisht pasqyron një subjekt të caktuar.

gjon-mili
Gjon Mili, foto copyright LIFE

Piktori spanjoll, Pablo Pikaso, aty nga fundi i viteve ’40, kishte arritur njohje e prestigj të madh në botë. Për këtë, përveç vlerave të spikatura estetike të punëve të tij, ndoshta e ndihmoi edhe një vizatim (litografi) i një pëllumbi të bardhë, që shërbeu si poster i Kongresit Botëror të Paqes që u mbajt në Paris në prill 1949. Më pas, ky pëllumb u kthye nga lëvizje pacifiste (sidomos në Europë) në simbol paqeje, duke e quajtur “pëllumbi i paqes”. Në këtë kohë (1949), Gjon Mili, fotografi amerikan me origjinë dhe vendlindje shqiptare, i cili kishte mbi dhjetë vjet që punonte për revistën amerikane “LIFE”, kishte marrë detyrë të fotografonte artistë të shquar europianë. Fotografi këtë mision e priti me dëshirë të madhe, sepse vet Mili do të shkruante me vonë se, “kisha kënaqësinë të punoja me disa nga artistët më të mëdhenj të shekullit”. Kështu, objektivin e aparatit të tij e nëpërkaluan njeri pas tjetrit imazhet e piktorëve të njohur Raoul Dufy, Georges Braque, Henri Matisse, Giorgio de Chirico, violonçelistit të shquar Pablo Casals etj, për të mbetur në histori edhe përmes këtyre fotoportreteve tradicionale.

Me Pikaso-n, fotografi kaloi nga një rrugë tjetër, të re dhe të guximëshme. Gjon Mili, fillimisht mendonte të realizonte me të disa fotoportrete klasike, siç kish bërë me të tjerët. Por jo. Fotot me piktorin nuk do ishin të zakonëshme. Më vonë, ato do zinin vend në shumë albume dhe libra fotografie në botë e do të quheshin “Vizatime me dritë“.

Në fotografinë botërore, foto me pasqyrimin e lëvizjes së një burimi drite hasen qysh prej fillimit të shekullit XX (1914), madje në vitet ’30, artisti amerikan i fotografisë Man Ray realizoi një seri fotosh të tilla me titull, “Space Writing” (Shkrimi i Hapësirës). Natyrisht edhe Mili mund të jetë ndikuar nga paraardhësit, por rëndësi ka fakti se përvojës së të tjerëve ai u ka veshur “stofin e vetë”. Historia e arteve është shkruar edhe nëpërmjet përdorimit të ndikimeve të të vjetërve nga të rinjtë në mënyrë krijuese.

Fotografia përgjithësisht përkufizohet edhe si “veprimi fiziko-kimik, që ndalon çastin”. Thënë edhe me pak fizikë, ajo përngrinë një pamje gjatë një ndërmjetësie kohore shumë të vogël, pjesë të sekondës, kurse fotot për të cilat flasim, ngurtësojnë pamjen në zhvillim e sipër, pra përgjatë një hapësire kohore prej disa sekondash. Me këtë teknikë, fotografia ndalon lëvizjen, veçse jo atë në përgjithësi, por të një burimi drite. Një status i ri ky, më i përparuar, i “dhomës së errët” dhe, në një farë mase, në kundërshtim me përcaktimin teorik tradicional të fotografisë. Kjo i ngjallte kënaqësi, por dhe e nxiste për të arritur më shumë.

Para takimit të planifikuar me Pikaso-n, Gjon Mili, kaloi një mbrëmje në Paris me Javier Vilato, nip i piktorit. Biseda midis tyre i ndryshoi planin e tij të fotografimit të Pikaso-s: vetëm me mënyrën tradicionale. Mili, përmend në kujtimet e tij se nipi e kishte njohur me thënien e të ungjit se, “nëqoftëse do të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh”. Duke dëgjuar këtë, imagjinata e fotografit do ketë shpejtuar e, pasi e ka kaluar dy-tri herë nëpër mendje, ka ndalur tek fjalët, “të mbyllësh sytë“, pra në terr. Fotografi kujton në shkrimet e tij se duke pasur në mendje piktorin, “unë vendosa, pse të mos vizatoi në errësirë, me një dritë në vend të lapsit ?”

Ka të ngjarë, që atë natë fotografi të mos ketë fjetur i qetë, dhe me të drejtë, do fotografonte një artist të shquar, madje me një mënyrë të re. Mbase dalëngadalë iu sendërtua ideja dhe iu krijua bindja se të nesërmen do realizonte diçka të re. Për këtë, ndër fotot që kishte marrë për t’ja treguar piktorit, përzgjodhi ato që kishte bërë disa vite më parë me një patinatore duke i vendosuar dritëza në patina. Në to ishte përngrirë lëvizja e patinave në akull dhe ajër, lëvizje e shënjuar në fotografi në vijat e ndërlikuara të dritëzave. Imagjinata e Milit, duke punuar vetëm për fotot e nesërme, gjeti lidhje ndërmjet vijave të patinave me ato që do bënte në ajër dora e Pikaso-s.

Fotografi e gjeti piktorin në një plazh të Francës jugore dhe sapo u përball me të, mendoi “qenka shumë i shkurtër”, siç shkruan në kujtimet e tij. Ndoshta dhe piktori nga ana e tij kur e ka parë mund të ketë thënë me vete “sa i gjatë ky” për fotografin. Pas sekondave të shkëmbimit të “matjeve me sy”, Mili i propozoi t’i bënte një portret, por Pikaso me një shprehje të ftohtë të fytyrës i përgjigjet, “Ou, ec, ec, vazhdo”, kujton Mili në shkrimet e tij. Fotografi e përtypi ftohtësinë e Pikaso-s dhe me një farë këmbëngulje i tregon një nga fotot që i kishte bërë sportistes së akullit, marrë enkas për piktorin. Fotoja e tërhoqi piktorin që, menjëherë dhe pa e fshehur interesin, kërkon t’i shikojë të gjitha fotografitë. Fantazia dhe mjeshtëria e fotografit të shtrira në letrën e fotove, tretën si me magji dimrin e çasteve të para midis tyre, duke vënë në lëvizje temperamentin e tij të piktorit. Madje, Mili shkruan se Pikaso, “filloi të vizatonte në ajër vetëm me gishtin e tij disa vija intriguese”. Kaq mjaftoi, që fotografi nën peshën e minutave të para t’i propozoj të bënin vetëm një seancë 15 minutëshe, gjë që piktori e miratoi shpejt. Në të vërtetë u bënë pesë séanca dhe të gjitha më të gjata se nga 15 minuta. Gjatë tyre në u realizua dhe fotoja më e njohur, “Pikaso duke vizatuar me dritë“. Bashkëpunimi midis Pikaso-s dhe Milit, që filloi me këto foto dhe në këtë plazh, krijoi më pas dhe miqësinë tyre të ngrohtë disavjeçare që është pasuar edhe nga një letërkëmbim i dendur midis tyre. Fatkeqësisht, letrat që piktori i dërgoi fotografit u shkrumbuan në zjarrin e vitit 1966 që dogji studion fotografike të këtij në Rrugën 23, në Nju Jork.

picassolight
Pikaso duke vizatuar me dritë – Fotografuar nga Gjon Mili. Copyright LIFE

Piktori Pikaso kishte vizatuar dhe herë të tjera në sipërfaqe të ndryshme, si tabelën e zezë, në rërën e plazhit, zhdukeshin me fshirje ose mbulim pas disa sekondash a minutash, kurse vizatimet me dritëzën në dorë sikur i përfytyronte me vështirësi. Të parat i mendonte dhe i shikonte, qoftë disa sekonda, por këto…. Po ashtu, atë e kishin fotografuar shumë të tjerë, por

me një mënyrë të tillë ende nuk e kishte provuar. Këto vizatime humbisnin sapo krijoheshin, ose…treteshin gjatë ngjizjes së tyre! Atëherë si mund të fotografoheshin, kur nuk mbetej gjë fizike, aq më tepër që nuk shfaqeshin në ndonjë rrafsh të ngurtë? Ndoshta, kureshtja e artistit i dha durim për të pritur përfundimin. Fotografi i gjatë, i hollë me mustaqe të zeza e temperament kolerik, duhanpirës, i veshur pa kujdes të madh dhe që fliste një anglishte me theks, sikur e kishte hipnotizuar, aq sa mund të ngjit kjo fjalë tek piktori më i madh i shekullit XX.

Pa e zgjatur shumë, të dy u nisën për në poçerinë e piktorit (në Vallauris), rregulluan një kthinë që mund të errësohej plotësisht dhe pa u vonuar, filluan shkrepjet. Përfytyrojmë çka ndodhur teknikisht atë ditë vere të vitit 1949 në poçerinë Madoura të spanjollit në Vallauris të Francës jugore. Fotografi vendos aparatin me gjithë flash-n mbi trekëmbëshin prej druri, kuadron pamjen e zgjedhur dhe vendos kohën e mbajtjes së obturatorit tek shenja B, që tregon se ai qëndron hapur deri sa të mbahet shtypur butoni. Fillimisht në errësirë të plotë, piktori vizaton në ajër për disa sekonda me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë, gjë që përngrihet në film si vijë e ndritëshme dhe e ndërlikuar. Pjesa tjetër e kuadratit mbetet e zezë, por e virgjër, sepse ende nuk ka marrë dritë. Mandej, sapo mbaron vija e ndritëshme e piktorit, pa lëvizur pozën, me obturator të hapur, fotografi shkrep flashin, që ndriçon të gjithë mjedisin bashkë me piktorin. Të dy imazhet bashkohen tanimë njeri me tjetrin, mbivendosen, duke arritur në një kuadrat filmi shembëllimin e dëshiruar. Fotograf Mili, inxhinier ndriçimi me përvojë dhe imagjinatë, këto veprime i kryen pa vështirësi, por jo pa emocione. Gjithsesi, si rëndomë në fotografi, nuk mjaftohet me një shkrepje, po vazhdon sa sigurohet për arritjen e synimit. Ngulmimi dhe natyra e gjallë e fotografit e kishte vënë piktorin e madh disi në rolin e nxënësit të bindur. Natyrisht, nga bashkëpunimi i dy krijuesve të tillë të shquar, s’do kishte veçse fryte të rralla.

Si fillim, ishin disa vija të çrregullta të pakuptimta që realizoheshin nga një dritëz (si e patinatores) në dorën e djathtë të Pikaso-s. Mili prej vitesh kishte realizuar foto të ngjajëshme, që nga ajo me dritëza në majat e skermave (1942), tek patinat e sportistes (1945), ku gjurmat në letrën fotografike (fiziogramat) nuk paraqisnin diçka, veçse ca vija me shumë lakime e përdredhje, që ende nuk mund quheshin “vizatime me dritë“.

Gjon Mili, përfytyroi shpejt se dritëza e vendosur në dorën e piktorit nuk duhej të bënte vija që s’përfaqësonin asgjë, por të vizatonte diçka që mund të lexohej e kuptohej nga shikuesi. Mbase ky, i propozon artistit të mos bëjë vija kot së koti, por të vizatoj ndonjë gjë konkrete. Piktori pranon, por, nuk i shkon mendja të vizatonte “pëllumbin e paqes”, por diçka tjetër, një kafshë mitologjike, një egërsirë, centaurin (gjysëm burrë e gjysëm kalë), si të thuash të kundërtin e shpendit paqësor. Ndërkohë, i pari, pëllumbi, dukej në pankarta të mëdha, ballina revistash e gazetash, kartolina e pulla poste në mjaft vende të botës. Madje, këtë (centaurin), e paraqet jo duke qëndruar a ecur, por me këmbët e para në ajër, si të përgatitej për t’u përleshur me dike, veprimi simbolik i kafshës egërshane të mitologjisë. Çudi kjo përzgjedhje e piktorit, ose asfare çudi kur bëhet fjalë për Pikaso, i njohur për natyrën ekscentrike dhe trillet e tij të zakonëshme.

Fotoja e Pikaso-s duke vizatuar me dritë centaurin, u botua menjëherë në revistën “LIFE”, duke tërhequar vëmendjen e publikut. Gjithsesi, mendojmë se paraqitjen më dinjitoze fotoja bashkë me të tjera të serisë, e pati në ekspozitën fotografike “On Picasso” ( Pikaso) të hapur në MoMA (Muzeu i Arteve Moderne) të Nju Jorkut nga janari deri në mars të vitit 1952. Autorë të saj ishin Gjon Mili dhe miku i tij, fotografi me origjinë hungareze, Robert Capa, simboli i fotografisë së luftës për shekullin XX. Të dy e kishin fotografuar mikun e përbashkët, Pikaso, në verën e vitit 1949. Fotoja u botua më vonë edhe me tituj të ndryshëm, deri sa mbriti tek “Pikaso duke vizatuar

me dritë“, që shoqëron, thuajse sa herë botohet në albume ose shtyp. Ndonëse ishte një emërtim shumë afër të vërtetës, nuk dukej si diçiturë – pjellë fantazie të shëndoshë, sepse…vërtetë, a mund të vizatohet me dritë?! Në të vërtetë, fotografi tregoi se kjo mund të bëhej dhe e arriti këtë në mënyrën më të mirë të mundëshme.

Kështu, Mili ynë realizoi me një proces të ri fotografimi dhe fantazi të epërme vetjake fotot “vizatim me dritë“. Fotoja “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949), shërben në mjaft libra dhe revista të fotografisë si shembulli “ikonë“për këto lloj shkrepjesh. Madje, edhe shumë të tjera të kësaj serie, ku duket gjithmonë Pikaso që vizaton me “penelin ndriçues” në dorën e djathtë. Sot, në botë, këto lloj fotosh të Milit paraqiten dhe komentohen në shumë botime dhe artikuj revistash e gazetash të specializuara për fotografinë. Përmendim se një foto e tillë e Gjon Milit, me ekspozim trefish të figurës së piktorit, është pasqyruar në një botim përmbledhës të revistës amerikane “TIME” të para dy muajve, me titull “TIME” -A History of World—December 2013”. Ajo, është vendosur aty si simbol i kapitullit “Arts&Entertainers” (Arte dhe Artistë), ku përveç Pikaso-s, shkruhet edhe për Louis Armstrong, Marilyn Monroe, The Beatles, Frank Sinatra, Elisabet Taylor etj.

Nuk mund të thuhet se fotoja do dilte e tillë ose jo, po të vizatonte një piktor tjetër dhe të fotografonte një tjetër fotograf, fakti që fotoja ka këto vlera tregon se dyshja, Pikaso-Mili, rezultoi mjaft e suksesëshme. Fantazia, thuajse hyjnore e Gjon Milit, bëri që këto vizatime të cilat humbisnin gjatë krijimit të tyre, të përjetësoheshin në letrën fotografike, për t’u shikuar sot mbas mbi gjashtëdhjetë vjet pas realizimit të tyre, dhe po ashtu të vazhdojnë të kundrohen e shijohen, deri sa të ketë njerëz që pëlqejnë fotografinë.

Në botime të ndryshme fotot e Milit, por edhe të të tjerëve që paraqesin lëvizjen e një burimi drite, quhen rëndom “vizatime me dritë“. Ndoshta nuk u takon të gjithave ky emërtim.Më saktë mbase do ishte që përveç atyre të Pikaso (mundet dhe të ndonjë piktori tjetër), të tjerat të quhen me termin shkencor “fiziograma”, që përbën pasqyrimin e lëvizjes mekanike të një burimi drite në errësirë. Madje, edhe fotot e Milit ku pasqyrohet lëvizja e harkut të violinës (me dritëz në maj) të instrumentistit të shquar, Jasha Heivetz (1952) mund të emërtohen fiziograma të violinës. Tjetër gjë kur lëvizjet e burimit të dritës bëhen nga dora e piktorit, këto janë vizatime sepse paraqesin diçka me kuptim e subjekt, si njeri, send, kafshë etj, të cilat mund të quhen “vizatime me dritë“.

Kthehemi në fillim të shkrimit, tek përkufizimi i vizatimit, duket sikur ka një farë mospërputhje ndërmjet tij dhe emërtimit të këtyre fotove të Milit. Kjo, sepse vijat e Pikaso-s krijohen në hapësirë tripërmasore, pra jo në sipërfaqe dy përmasore , aq më tepër rrafsh të drejtë. Sado aftësi të shpaloste piktori, nuk mund t’i shënonte vijat mbi një sipërfaqe rrafshe (pra të bëj një vizatim), sepse nuk e ka lejuar përmasa e tretë, thellësia. Bash, këtë përmasë që shqetëson përkufizimin tonë, e shmang fotografia, e cila arrin ta tresi dhe, vijat e dorës së piktorit të shfaqen në një rrafsh të drejtë (letra fotografike) dhe ta meritojnë plotësisht cilësimin “vizatim”, madje shoqëruar edhe nga vegla e veçantë, “me dritë“. Fotografia, dihet se një nga tiparet themelore ka zhdukjen e thellësisë së objekteve, pra të përmasës së tretë, dhe këtu qëndron merita e saj që vijat e piktorit në hapësirë të shikohen të shtrira përfundimisht dhe përgjithmonë në një sipërfaqe. Tek e fundit edhe në sajë të aftësisë përfytyruese të Gjon Milit.

Ndoshta nuk ka ndodhur më herët në historinë e arteve pamore që të ruhet një vepër e cila zhduket gjatë krijimit të saj si këto vizatime me dritë të Pikaso-s, të fotografuar nga Mili. Po

ashtu, Pikaso është mbase i pari që ka vizatuar në hapësirë dhe jo në sipërfaqe rrafshe, dhe vizatimet të mbeten. Themi ndoshta, sepse para tij mund të kenë vizatuar edhe të tjerë, por të tijat kanë mbetur për t’u shikuar me kënaqësi, madje në një art tjetër pamor siç është fotografia.

Gjon Mili e kishte fotografuar dhe më parë lëvizjen me teknikën stroboskopike duke realizuar edhe foto të njohura si “Nudo duke zbritur shkallët” (1942) dhe “Pas de Bourre”(1945), por në këto fotografi subjektet janë të copëzuara (fragmentarizuar). Për të arritur tek “vizatimet me dritë“ Milit i është dashur të mendoj, si të gjithë fotografët me anën e përfytyrimit, një shqisë shtesë, në mund ta quajmë kështu, që u bëhet atyre organike gjatë krijimtarisë artistike.

Mili e fotografoi rishtas Pikaso-n, me këtë teknikë, edhe pas 18 vitesh (1967). Edhe këto foto, përgjithësisht kishin piktorin në qendër të tyre, por në disa syresh duken vetëm imazhe kafshësh, vazo lulesh, germa kapitale, madje dhe nënshkrimi i tij. Në këto të dytat, fotografi e ka lënë në terr piktorin, pra ka kryer vetëm pjesën e parë të procesit të fotografimit. Vizita e dytë dhe fotot e realizuar në të, ishin siç thotë vet Mili, “shkaku i botimit të përmbledhjes së tyre në një album”. Kështu, në vitin 1970, ai botoi albumin me titull “Picasso’s third dimension” (Përmasa e tretë e Pikaso-s), që më pas u botua dhe në frengjisht. Në të, përveç fotove “vizatim me dritë”, fotografi ka paraqitur edhe imazhe të punimeve artistike të piktorit të madh në qeramikë e materiale të tjera të forta. Mili, i shoqëron shpesh fotografitë e albumit edhe me komente, që flasin për nivelin e mirë estetik të tij.

Kjo përmbledhje, do pasohej 10 vjet më vonë me botimin prej “New York Graphic Society” (Shoqata Grafike e Nju Jorkut) të albumit-monografi “Gjon Mili—Photographs&Recollections” (Gjon Mili-Fotografi dhe Kujtime). Vetë fotografi, përveç fotove të zgjedhura, ofron të dhëna për jetën dhe krijimtarinë e tij, pra ka edhe karakter jetëshkrimor, por të trajtuar me sensin e një letrari të aftë.

“Vizatimet me dritë“ janë të ngjajshme me skicat e shpejta me laps që praktikojnë rëndomë piktorët, veçse këto të fotografuara nga Gjon Mili, kanë dalë nga mendja dhe dora e Pablo Pikaso-s, më të madhit piktor të shekullit XX.

Sot në botë janë përhapur mjaft fotografitë “vizatim me dritë“, me teknika e mënyra të shumta e të ndryshme. Por, gjithsesi, ende nuk është realizuar ndonjë foto që të ketë popullaritet të përafërt me atë të “Pikaso duke vizatuar me dritë“(1949) të fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili, i cili u nda nga kjo jetë më 15 shkurt 1984, plotë 30 vjet më parë.

Qerim Vrioni,

Michigan, ShBA