Nga Adela Kolea

adela-kolea2
Adela Kolea

“Më duket sikur e shoh Drita Pelingun të më thotë :“Të lumtë!”, Liza Vorfin apo Antoneta Papapavlin të më buzëqeshë…

– Pjerin Logoreci

Intervistë me Pjerin Logorecin, njërin prej bashkautorëve të librit: ”Divat e Teatrit Kombëtar”– Homazh.
 Autori tjetër është Flori Slatina.
Nga parathënia e librit përgatitur nga Flori Slatina:
“Çdonjëra prej tyre është një profil më vete, një univers më vete. Secila nga ato ka një krijimtari të sajën, një repertor të sajin, një botë e art unik. Ato janë yje që shkëlqyen në shekullin e XX dhe secila prej tyre ka një dritë e një shkëlqim të veçantë, që rrezaton edhe sot. Kanë kaluar 70 vjet nga themelimi i Teatrit Kombëtar, një jetë sa mosha mesatare e një njeriu.
Në atë skenë të vjetëruar të teatrit, që ka ndier mbi shpinë me dhjetëra tragjedi, drama, gëzime, me mijëra personazhe kanë zbritur, fituar e vdekur, janë ulur mbretër, mbretëresha magjike, plot nur e sharm, princesha të dashuruara, vajza e gra plot ëndërra, malësore, nëna të dhimbsura deri në asht, vajza të dashurura deri në sakficë, gra naive, e bukuroshe lozonjare…
Sot neve na mungojnë ato qenie hyjnore të brezit të parë të teatrit që na dhanë aq shumë emocione, na krijuan aq botë të pasur shpirtërore, na edukuan me shijen për të bukurën dhe të mirën, na sollën magjinë e fjalës e skenës. Në këtë përvjetor të 70-të, le të kujtojmë ato aktore të mrekullueshme, që sot nuk janë më fizikisht, por ato rrojnë në kujtesën tonë, rrojnë në magjinë e fotove, shkrimeve, ekranit e çdo kujtimi tjetër që na i sjell ato para syve, të pavdekshme. Maria Logoreci, Violeta Manushi, Drita Pelinku, Behije Çela, Besa Imami, Liza Vorfi, Esma Agolli, Afërdita Taçi, Ferial Alibali, Antoneta Papapavli, si dhe regjisorja ruse Zina Andri.
Ato janë artiste që mbajnë mbi supe afro 1000 personazhe, 1000 gra e vajza që zbritën çdo natë në skenë, në mes të kryeqytetit. Ato ishin yjet e Teatrit shqiptar… Për vite me radhë ato interpretuan nën ethet e krijmit, përmes pasionit drithërues, talentit dhe brishtësisë femërore.” – Flori Slatina

divat-kopertina
Kopertina e librit

 

– Z. Pjerin, ju uroj mirëseardhjen në ALBANIA NEWS.
Faleminderit Adela, mirë se ju gjej.
– Sesi ju lindi ideja për realizimin e këtij libri-album homazh për divat e Teatrit Kombëtar Shqiptar, ndoshta nuk është kjo pyetja e duhur, pasi mendoj se për shkaqe mëse të kuptueshme, të brendshme familjare, ju jeni emocionalisht i përfshirë në të prej nënës suaj, të madhes Maria Logoreci, gjë që e kthen këtë vepër nga ana juaj në një mision shpirtëror të mirëfilltë e kjo ide, mund të ketë qenë pjesë përbërëse e mendimit tuaj ndër vite.
Por, gjithsesi, dëshiroja të dija edhe për lexuesit tanë diçka më tepër mbi nismën për projektin e këtij libri, i shtrirë dhe mbi divat e tjera shqiptare të teatrit dhe ekranit, kolege të nënës suaj e të paharruara për publikun shqiptar.
Fillimisht dua t’ju falënderoj për këtë intervistë dhe për punën e mirë që bëni me artikujt tuaj për kulturën shqiptare dhe figurat e shquara kombëtare.
Ideja e realizimit të këtij libri-album (e kemi quajtur kështu, sepse është midis librit dhe albumit, pra ka brenda biografitë personale dhe aktivitetin artistik të këtyre figurave të shquara të shoqëruar me shumë fotografi nga aktiviteti i tyre), lindi kur po përgatitesha për organizimin e aktivitetit në përvjetorin e lindjes së Marie Logorecit që u bë vitin e kaluar.
Isha shumë i ngarkuar me përgatitjen e materialeve të përvjetorit që ishin aktiviteti, libri, portreti televiziv, ekspozita dhe albumi fotografik. Atëherë i kërkova shokun tim Flori Slatina të më ndihmonte me faqosjen e albumit fotografik. Flori (autor i shumë librave) ka shumë eksperiencë, sepse ka punuar me pasion disa albume fotografike për figurat e shquara të artit skenik e kinematografik, gjithashtu ai është një njohës shumë i mirë i aktivitetit të Teatrit Kombëtar në vite. 

Që të kthehem tek pyetja juaj, ishte ideja e Florit që të bënim diçka për aktorët që nuk janë më mes nesh me rastin e 70- vjetorit të Teatrit Kombëtar. Ideja ishte shumë e bukur, por donte shumë kohë që të realizohej, atëherë duke biseduar arritëm në mendimin se poqe se bënim një botim vetëm për aktoret (te cilat ishin shumë më pak si numër) do të arrinim që ta bënim shpejt. Atëherë vendosëm që në fund të librit të venë fotografitë e të gjithë aktorëve që nuk janë më, nga Andrea Malo që u shua në vitin 1966 e deri tek Fadil Kujovska më 2015.

E bëmë këtë libër-album me dëshirën që t’i rikujtojmë këto figura që dhanë gjithçka nga shpirti i tyre për të plotësuar shpirtin tonë në ato vite, me dëshirën që fotot e jetëshkrimi i tyre të mos zverdhet apo zhduket arkivave, por të vazhdojë të jetojë në ndërgjegjen tonë si homazh për Ata. Kështu botimi doli.

Sigurisht është e vërtetë ajo që ju thoni se jam emocionalisht i përfshirë prej nënës sime. Po dhe jo vetëm prej saj, por kam aq shumë kujtime nga jeta në Teatër mes këtyre aktoreve që tashmë kanë mbetur në kujtesën tonë, sa më duket se i rizgjoj. Më duket sikur e shoh Drita Pelingun të më thotë “Të lumtë”, Liza Vorfin apo Antoneta Papapavlin të më buzëqeshë…
Dua të theksoj se Teatri Kombëtar, Ministria e Kulturës duhet ta përkujtonin 70- Vjetorin e Teatrit Kombëtar, por, askush nuk u kujtua dhe në mënyrë të pafalshme kaloi në heshtje duke rrëmbyer me heshtjen e vet edhe të gjitha ato figura të shquara që për dhjetëra vjet i dhanë jetë skenës së këtij Teatri që përhapi magjinë e tij në të gjithë vendin tonë.

– Ju mendoni se këto diva janë vlerësuar mjaftueshëm nga shteti shqiptar sot ose, sa prej tyre, përsa kohë ishin në jetë e patën ndier vërtet këtë mirënjohje më tepër se nga publiku vetë, nga institucionet përkatëse shtetërore?
Mendoj se përgjigjja e saktë do të ishte: “Jo gjithmonë dhe jo njëlloj ato kanë qenë të vlerësuara”.
Për ta shpjeguar më qartë: ka pasur figura që nuk janë vlerësuar sa duhet për kontributin e tyre për arsye të ndryshme të lidhura me kohën.
Psh. regjisorja ruse Zina Andri, apo aktorja Afërdita Taçi, Liza Vorfi,… dhe këto mosvlerësime kanë qenë të qëllimshme, të lidhura me kufizimet e kohës në të cilën ato kishin aktivitetin e tyre. Pastaj ka pasur periudha kohe në të cilat këto aktore janë “harruar”, pasi kanë dalë në pension. Fatkeqësisht edhe sot nuk kujtohemi për aktorët e mëdhenj që fatmirësisht janë mes nesh si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti e deri tek Yllka Mujo, apo Piro Mani, Robert Ndrenika e Rikard Ljarja etj. Mendoj se në një mënyrë apo një tjetër ata duhen trajtuar nga shoqëria dhe shteti me respektin që meritojne për punën e pazëvendësueshme që kanë bërë.
– Sa, sipas jush, trashëgimia e tyre artistike, me kriteret e rrepta e kërkuese të asaj kohe, riprodhohet apo imitohet sot nga interpretuesit e rinj?
Mendoj që nuk ka një vazhdimësi midis interpretimit apo korrektësisë së asaj kohe me sot.
Së pari, për arsye se janë shumë vite diferencë dhe koha ndryshon shumë gjëra. Pastaj, se sot është lënë pas dore arti skenik, i cili padyshim që ka pësuar rënie.
Por, mendoj se është edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme që ka krijuar këtë shkëputje që është, se brezi i ri nuk pati kontakte në skenë apo film me brezin e vjetër, pra u shkëput vazhdimësia, gjë që me parë ndodhte:
brezi i vjetër e mësonte brezin e ri në shkollë, por edhe në skenë, ku është shkolla e madhe për aktorin.
– Ju Faleminderit!
Ju faleminderit juve!

 

Marrë nga Albania News MAJ 26, 2016