Sot në dt 8 qershor në kopështin e Vatikanit, u zhvillua një lutje me pjesemarrjen e Papa Françeskut, presidentit izraelit Shimon Peresh Presidentit palestinez, Mahmud Abbas dhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I.
U lutën fillimisht hebrenjtë, pastaj të krishterët e më pas myslimanët. Të gjithë, në tri pjesët, që përbëjnë lutjen, fillimisht i thurin lavde Zotit për dhuratën e Krijimit e për faktin se i ka krijuar njerëzit, anëtarë të një familjeje të vetme. Më pas, në pjesën e dytë, i kërkohet falje Zotit për të gjitha rastet kur të krishterët, myslimanët e hebrenjtë nuk janë sjellur si vëllezër e motra me njëri-tjetrin, si edhe i kërkohet falje Hyjit për mëkatet kundër Tij e kundër të afërmve. Në pjesën e tretë, lutja që Zoti t’i dhurojë paqen Tokës Shenjte e t’i shndërrojë të gjithë në ndërtues të paqes. Çdo çast ndahet nga tjetri me një pauzë muzikore, për t’i lënë pastaj vendin lutjes së Papës Françesku e të dy presidentëve.
Papa Françesku e nisi lutjen e tij për paqe, duke falënderuar nga zemra presidentët dhe delegacionet shoqëruese për pritjen që i bënë gjatë shtegtimit në Tokën Shenjte dhe për pranimin e ftesës që të marrin pjesë në këtë lutje të jashtëzakonshme për paqen, në një vend të jashtzakonshëm.
Ati i Shenjtë shprehu besimin se kjo lutje do të jetë fillim i një rruge të re në kërkim të asaj, që bashkon, për të kapërcyer gjithçka, që ndan.
Papa falënderoi Bartolomeun I, praninë e të cilit e quajti mbështetje të çmuar dhe dëshmi të udhës së të krishterëve drejt bashkimit të tyre të plotë.
Papa kujtoi, në vijim, se ky takim shoqërohej nga lutja e mijëra njerëzve nëpër botë: përfaqësues kulturash, kombësish, fesh të ndryshme, sepse ky takim i përgjigjet dëshirës së zjarrtë të gjithë atyre, që kanë etje për paqen dhe ëndërrojnë një botë, ku njerëzit mund të jetojnë si vëllezër e jo si kundështarë e as si armiq.
Bota, vijoi të kujtojë Papa, është trashëgim, që na e lanë paraardhësit tanë, por edhe borxh, që ua kemi pasardhësve: fëmijëve të lodhur e të këputur nga konfliktet, bijve plot me dëshirë të gëzojnë agimin e paqes, të rinjve, të cilët duan t’i shembin muret e armiqësisë e të ecin në rrugën e dialogut e të paqes, që të ngadhënjejnë dashuria e miqësia.
Duke folur, më pas, për viktimat e luftës, Françesku theksoi se flijimi i tyre nuk duhet të jetë i kotë e kujtimi i tyre duhet t’u japë të gjithëve forcën e guximin për të ecur në rrugën e paqes, të dialogut, të durimit, për ta siguruar ditë për ditë bashkëjetesën paqësore, për lumni të Hyjit e për të mirën e të gjithëve.
Për të bërë paqe, duhet shumë më tepër guxim se për të bërë luftë, theksoi në vijim Papa, duhet guxim për t’i thënë po takimit e jo ndeshjes, po dialogut e jo dhunës, po bisedimeve e jo armiqësive, po respektit e pakteve e jo provokimeve, po sinqeritetit e jo qëndrimeve të dyfaqëshe. Për të gjithë këtë, duhet guxim, forcë e madhe shpirtërore.
Historia tregon, kujtoi Françseku, se nuk mjaftojnë forcat njerëzore, sepse sa herë njerëzit i afrohen paqes, aq herë ndërhyn djalli për t’i penguar. Prandaj jemi këtu, theksoi, ngaqë e dimë dhe e besojmë se kemi nevojë për ndihmën e Zotit.
Duhet ta coptojmë spiralen e urrejtjes me një fjalë të vetme: “Vëlla”, e ta pranojmë se jemi bij të një Ati të vetëm.
Atij, vijoi Papa, në Shpirtin e Jezu Krishtit, po i drejtohem, duke kërkuar ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, bijë e Tokës Shenjte e Nëna jonë:
“O Zot Hyj i paqes, dëgjoje lutjen tonë:Provuam shumë herë e shumë vite me radhë t’i zgjidhim konfliktet me forcat tona e edhe me armët tona: shumë çaste armiqësie e errësire: shumë gjak i derdhur, shumë jetë të këputura; shumë shpresa të varrosura… Po përpjekjet tona qenë të kota. Tani, o Zot, ndihmona Ti! Jepnae Ti paqen! Na e mëso paqen, na prij Ti drejt paqes. Hapi sytë tanë e zemrat tona e na jep guximin të themi: “Kurrë më luftë!”. “Me luftë gjithçka shkatërrohet”. Dikoje në ne guximin të kryejmë gjeste konkrete për ta ndërtuar paqen! O Zot, Hyj i Abrahamit e i Profetëve, Zot Dashuri, që na krijove e na thirre të rrojmë si vëllezër, na e jep forcën të jemi ditë për ditë mjeshtra të paqes; na e jep aftësinë t’i shikojmë me dashamirësi të gjithë vëllezërit, që i takojmë në udhën tonë. Jepnae gatishmërinë ta dëgjojmë britmëm e qytetarëve tanë, që kërkojnë t’i shndërrojmë armët në mjete paqeje, frikën në besim, tensionet në falje! Mbaje të ndezur në ne flakën e shpresës për të bërë me durim e ngulm zgjedhje dialogu e pajtimi, që më në fund të fitojë paqja. E që nga zemra e çdo njeriu të shlyhen fjalët: përçarje, urrejtje, luftë. O Zot, çarmatosi gjuhën e duart, përtëriji zemrat e mendjet, që fjala, e cila na bën të takohemi, të jetë gjithnjë “vëlla” e stili i jetës sonë të bëhet shalom, paqe, salam! Amen!
Burimi:
https://sq.radiovaticana.va/