Nga Kolec Traboini /

Kishim dëgjuar në dy dekada në këtë pseudodemokraci që nëse je femër në Shqipëri e je në hall për një vend pune, gjatë gjithë viteve të sundimit të ekipit batall të Saliut por edhe të Fatos pijanikut kishte vetëm dy mundësira për të mbijetuar:

1- Duhej të paguaje 4 deri në 5 mijë euro për një vend pune. Kjo pa dallim seksi. Këtë fenomen e kanë ditur dhe e dinë të gjithë por ky popull që di shumë, është urtësuar po aq shumë saqë ja ka prerë gjuhën vetës dhe nuk ankohet. Po edhe të dojë të ankohet, kujt ti trokasë në derë?! Mentaliteti i popullit të mjerë ka mbetur në kufinjtë e ekzistencës, “kush ka ha, kush nuk ka vjedh” se edhe të presësh vdekjen duarkryq nuk ka kuptim. Më keq nga të gjithë në këtë sistem absurd e katrahurë e kanë gratë, sepse ato nuk janë dhe aq zonja sa të dalin e të vjedhin, por edhe atyre, u ka lënë një palo zgjidhje në mënyrën më mizore ky palo shtet patriarkal me mashkulloritet të neveritshëm, një zgjidhje si të ishin skllave mesjete. Po cili vallë është ai shteg për mbijetesë për gratë e vajzat e mjera?

2- Nëse ryshfeti për punësim nuk është në agjendën e punëdhënësit, grave e vajzave u afrohet një mundësi tjetër më e rafinuar, tatimi në natyrë, thënë ndryshe ta shpërblejë punëdhënësin me një seks të fortë në krevat. Burrëria e shpifur e kombit që zë kyçet e partive, të shtetit, të institucioneve kërkon haraç nga seksi i dobët. E jo vetëm një herë. Në fakt ata nuk e thonë kaq hapur dëshirën e shfrenuar, mund të përdorin termat mbërthejcka, a diç tjetër, por qëllimi është i njëjtë. Pa u palluar nuk ka punë. Kjo mënyre u bë kaq e njohur sa vajti deri në atë derexhe sa ta zinin edhe Ministrin e Kulturës në linjën zyrë-shtëpi duke ja lyp punëkerkueses, pra seks për një pune. Ministri i si një hamshor i harbuar në livadhet e demokratëve doli dhe e pa mbarë Shqipëria.

Gjyqi e stimuloi përversitetin me qindra mijra euro që duhej të paguante Top Channel TV , gjykata e Apelit e rrëzoi, ndërsa ish kryeministri Berisha e bëri drejtor të një drejtorie këtë hamshor blu të pa fre. Por populli nuk u çudit fare sepse kjo praktikë është ndjekur nga më të shumtët e punëdhënësve, se kush në Shqipëri të jep një vend pune xhaba, falas, fjalë turke që e përdorin xhambazët. Flasim për punët në administratën e shtetit se në privatët bëhët kërdia e askush nuk e vret mëndjen sepse konsiderojnë të drejtën e padronit, si të beut në natën e parë të “Dasmës së Sakos” në romanin e Vath Koreshit.
Këto ishin dy alternativa që na i afroi në mënyrën më shpërftyruese pushteti Berisha – Nano. Po koha u ndrrua. Luftuam të ikë qeverisja e keqe e vrastare e të vijë më e mira e mundëshme. Buzëqeshëm. Disa u buzëqeshën aq shumë e lodhshëm deri në ngërdheshje. Ishin ata që skërmisnin dhëmbët për një copë kolltuk e pushtet jo për të punuar për popullin. I vetmi qëllim ishte glorifikimi i vetvetës sundimi mbi njerëzit.

Tabloja sinoptike pas rotacionit shpresdhënës:

1-Kapitulli euro për vendin e punes ekziston por është bërë shumë i sofistikuar dhe pak vështirë është të ta thonë hapur se duam 5 mije euro për një vend pune anipse fjalët qarkullojnë edhe për disa deputetë se i kanë blerë vëndet në lista elektorale për 200-400 mijë euro e më shumë. Por hipoteza janë. Edhe Don Full Hajni i Bankës Shqiptare kështu thotë, mos u merrni me hipoteza e se çdo gjë shkon mirë e bukur në Bankë dhe parat tuaja janë të siguruara. Por ky nuk po e dime a garanton siguri se edhe punësimet nuk i ka bërë siç bënin ata të kohës së përmbysur. Deri tani ka patur vetëm një shënjë që Fullani të ketë shprehur ca dëshira e kjo nëpërmjet faktit të lakuar gjërë e gjatë në shtyp se në rinovimin e Bankës së Shqipërise(lexo e Fullanit) kishte në plan për të krijuar një dhomë gjumi me krevat dopjo. Tani kushdo që ka dy para mend në kokë e kupton se pse duhet një krevat dopio në institucionin që e drejton si një pasha vilajeti. Dihet por nuk flitet.
Kësisoj pra kemi gjurma sado të mjegulluara por disi të fshehta të këmbimit të punës me mish të bardhë e të freskët dhe deri sa nuk e ke kapur faktin me dorë nuk mund të flasësh. Pra kapitulli 5 mijë euro për një vënd pune hë për hë mbetet evaziv, kjo nuk bëhet dot pa u konsoliduar administrucët nëpër kolltuke e të ndjehen të paprekshëm vip-rripat tanë.

ke ardhur per pune..
Ke ardhur për punë…

2-Problemi qëndron më i ndërlikuar në alternativen seks për vend pune pas ndrrimit të pushtetit. Kjo është një alternativë që nuk ka njohur zbritje, qëndron jo vetëm në biznese private por edhe ato shtetërore. Një vajzë në një bisedë të rezervuar bëri me dije se një botues që kërkonte një sekretare që të rrinte në zyrë i kish thënë se puna është pak e ndërlikuar, duhet ndënjur me orë të zgjatura por ndonjëherë, të paktën një herë në javë edhe natën. Por ti mos u shqetëso se do rrimë bashkë e do ja kalojmë mirë. Të gjithë fjalorët e përversëve një natyrë kanë. Do vemi me makinë edhe jashtë Tirane, do të kënaqemi. Më hapur nuk kish si thuhej. Kish ikur e llahtarisur vajza me universitet të mbaruar por pa punë, se ai katundar që kishte zbritur në kryeqytet e që ishte bërë botues i kishte kallur dhe datën si të ishte një përbindësh dhe jo një njeri.
Po në sektorin publik si vete puna. Shif e shkruaj. Se kështu, reklamë e publicitet bëhet me bujë sikur gjithçka në këtë vënd po shkelqen nga përsosmëria. Lulka. Se ja ja ku plasi në Sarandë, del sekretari i Deputetit që ka mbështetje në ambicie për tu bërë edhe Kryetar Bashkie, që pa ja bërë syri terr i thotë punëkërkueses nënë e katër fëmijëve jetimë ta jap punën por më parë duhet të më sjellësh vajzën 14 vjeçe e të bëjmë seks të tre së bashku në krevat. Dhe ky matuf argumenton përversitetin e vet kësisoj, se vajza është e re dhe ka plot hormone që duhen shkarkuar. I tejkalon kufinjtë njerëzor kjo egërsi e cinizëm ndaj një vajze që ende është një fëmijë i brishtë dhe aq më tepër jetime dhe pambrojtje. Ky përvers e ka menduar mirë viktimën e tij.
Një kërkesë e tillë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë, apo mbase ndodhin përditë, por njerëzit nuk kanë kurajo ti denoncojnë sepse mostrat hakmerren. Akoma më keq është kur në vend që njerëzit që kanë lidhje me këtë monstër social ta denoncojnë, përpiqen edhe ta mbulojnë. Bëhet presion për ta mbajtur ngjarjen nën kontroll sepse na u prishka reputacioni deputetit që të gjithë e dinë se kush është pa patur nevojë të thërrasin në ndihmë një poshtërsi të tillë. Po fundja mor deputet me se merresh, kë ke rreth vetes? Merr fundërrinat e na i bën sekretar, po ti e di se po u përzieve me krundet të hanë pulat. Në diktaturë more zoti deputet, që atbotë që ke qënë ushtarak, e zunë një drejtor si këtë birbon e Sarandës, sekretarin e tënd, e zunë në zyrë tek bënte një intervistë picak-lakuriq me një punëkërkuese dhe do ta dënonin. Po si ta bënte Partia se e kish kuadër. E thirrën. U tha ai: po kemi luftuar bashkë bre si do të më dënoni. Ata ja kthyen: O Luto, të gjithë e duam atë gjënë e ëmbël por nuk guxojme, ti që guxove haje tani.
Fjala që vjen këto këmbimet e vëndit të punës me para apo me sekse nuk janë një gjë e re në Shqipëri, ato përditë ndodhin, po të kishim një mijë kamera të fshehta të jeni të bindur se njëmijë emisione skandaloze do të realizonit. Por Media jonë që herë ka guxim në zbulim e herë guxim në mbulim ja jep publikut me pikatore se u duhet mbrojtur dinjiteti palltarëve punëdhënës dhe shefave të tyre më lart..

Në zyrë të deputetit bën fole përversiteti

Shumë debate po bëhen në këtë vend dhe meqë politika nuk rri dot pa futur duar në punët e pista edhe kësaj ralle nuk mund të rrinte në një anë. Dëgjohen sulme të tilla se kështu janë të gjithë socialistat si Agron Cane pallltari dhe si Koço Kokëdhimë krushku, se ky e bëri krushqinë thonë andaj nga opozita. Pozita në pushtet, që duhej të nxirrte mësime me kërkim falje se u përdorën zyrat e deputetit të vet për përversitet seksual, del e thotë nëpërmjet vetë kryeministrit se “ju ministrin e rehabilituat, ne përversin e futëm brënda ditës në burg”, kësisoj duke vënë shënjat e barazimit për dy raste që në thelb janë një, por shkalla e poshtërsisë në rastit e dytë shëmb edhe tavanat e zyrës së partisë socialiste në Sarandë. Çfarë do mendojë ajo vajzë jetime kur dëgjon kryeministrin të flasë kështu. Jetojmë në një shtet antihuman. Mjerim!
Pra nuk dalin me një kërkim falje si shërbëtorë të popullit e jo padronë të tij, se populli heq të zezat e paguan edhe qeverinë, edhe deputetët, por edhe këta zagarët që duan të tundin dybekun në zyrat e deputetit. Më skandaloze është dalja e zyrës së deputetit me një komunikim me shkrim, ku më shumë se me dënimi i aktit, merren me mbrojtjen e përversit pedofil Agron Cane. Ja farë shkruajnë ndër të tjera në faqen elektronike të deputetit Koço Kokëdhima:
“Agron Cane është familjar, 61 vjeç, me arsim të lartë dhe me karrierë të spikatur në ushtri, ka qenë komandant brigade. Në qytetin tonë është i njohur si një person serioz. …”. Absurditeti nuk njeh kufi. Cinizmi i paskaj. Papërgjegjësia një çmënduri delirantësh. Ky deputet dhe stafi i tij vërtetë e kanë humbur si Xhaferri simitën. Në vënd të bëjnë një analizë të thellë, ti kërkojnë banorëve të Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë një falje të madhe sepse këtu bashkë me vajzën jetime adoleshente është cënuar tërë elektorati socialist e më gjërë, janë përdhosur 1 milion shuplakat që ju dhanë pushtetarëve të zbuar, e pra pikërisht këta gjejnë kohë të formulojnë një konsideratë të tillë sikur pedofilin Agron Cane do ta propozonin për dekorim. Që ky pedofil kishte miqësi të fortë me deputetin Kokëdhima kjo është e kuptueshme, i bashkon shërbimi ushtarak e ja dinë vlerat njëri-tjetrin në të bardhë e në të zezë, por që të dalësh e ti thuash shqiptarëve se pedofili ka karrierë të spikatur dhe është person serioz kjo nuk ka vend ku të rrij, o i nderuari deputet. Në vend të flitet se si është e mundur një monstre të tillë ti bëhet vend në zyrat e deputetit të partisë që ka në lajtmotiv Rilindje bën një karakteristike të tillë në shkallë marramëndese. Kjo nuk është vetëm një turp por edhe një sfidë. U mësuam me sfita tashmë. Kjo klasë politike në të dy krahët as që pyet më për opinionin publik. As që pyet se çfarë mendon populli të cilin e thërrasin vetëm të hedh votën për listën që paraqesin e kurrkush tjetër nuk ka të drejtë të ketë asnjë opsion. E lemerishme mënyra se si zgjidhen njerëzit për deputet, për pushtet e për kolltukë madje deri në rang ministri, thjeshtë se i do qejfi të parit të partisë që bën ligjin e Maliqin, që e merr tjetrin nga ana e anës dhe e bën drejtor institucioni vetëm për mjekrrën e bukur. Është e trishtueshme se si ju mbijnë të tillë koncepte shpërfillse të gjitha atyre që vijnë në pushtet. Një ministre që u katapultua nga Franca na thotë hapur e në sy duke ju regjistruar EMEI e celularëve “ne nuk ju vëzhgojnë por ju ndjekim”. Të tronditësh vërtetë. Ku jane këta në “Animal farmë”? Këta paskan ambicie më të mëdha se diktatura komuniste që të dinte sa lugë e pirun ke në shtëpi. Këta dashkan edhe më shumë tu hyjnë njerëzve edhe në brekë.

Deputeti me sejmenin e vet nën sqetull, socialista apo specialista?!

A mos dolëm jashtë teme ndoshta? Mos e bëmë qimen tra në këtë diskutim publik të ankthshëm? Jo besoj se përversiteti nuk është vetëm ajo çfarë beri ai pedofili i deputetit por edhe shtrati që e ka pjellë, se diku e gjeti terrenin që lulëzoi kjo farë e keqe që kërkon vajza 14 vjeçare si të ishte një pasha i kohës moskurrit.
A nuk ju kujton kjo ngjarje Aishe Vatën 18 vjeçare me kokën e prerë në një arë me misër? Sa shpejt e harruat. Ky është trajtimi ndaj vajzave shqiptare, të mjerat vajza kur janë jetime e të pa mbrojtura nga shteti e shoqëria. Ndaj të duket skandaloze që më shumë se e akuzojnë na tregojnë meritat e ish ushtarakun Agron Cane që në Sarandë e dinë të gjithë se nuk është rasti i parë e më kot deputeti Kokëdhima kërkon alibinë e mosdijes. Shkoni tek njerëzit e flisni me ta që tju molloisin plot histori për mikun tënd Agron Cane, e mos u shfaq ndër njerëz me pompë e cuje si të ishe jo deputet por beu i Bregut.
Mbrojta që salistët i bëjnë Full –Hajnit guvernator i Bankës Shqiptare, heshtja e pushtetit në këtë rast vjedhje si një kompromis i ndyrë, është bërë një kancer i vërtetë në jetën politike, por edhe shoqërore shqiptare. Në të njëjtin stil po punohet edhe në këtë rast skandaloz. Kjo tregon se për Koçon e koçizmin si fenomen është më e rëndësishme të mbaj pranë vetes njerëz përvers se sa jo njerëz të përgatitur si nga kultura e personaliteti. Ky është stili i Saliut qe punësoi më së shumti agjentë të sigurimit, i bëri ministra e deputetë dhe Koço Kokedhima me këtë stil punon mesa shihet. Se ja hakmarrjet që tregojnë sa i vogël është njeriu, deputeti me shpurën e tij citoi te plotë emrin e nënës së vajzës qëllimisht ta marrë vesh gjithë Saranda, një akt prej flliqani ky, pra ky kokërr deputeti shkeli një parim moral të shtypit e medias dhe as nuk meriton të ketë një gazetë. Ndërkohë ka lëshuar zagaret e vet në Sarandë kundër gazetarit Telnis Skuqi. Ku të çon Mushka Koço….Merre shtruar e kujdes se rruga ka gropa.
Desha t’ju them gjithë atyre atyre që e lehtësojnë Koço Kokëdhimën me sejmenin e tij pedofil duke menduar gabueshëm se kështu mbrojnë PS, se për mua përgjegjësi më të madhe ka Deputeti se sa Pedofili sepse Koço Kokëdhima i krijoj kushte, i dha mundësinë të shprehte talentin në kërkim të hormoneve vajzërore. Kokëdhima u kish dashtë të jap dorëheqjen sepse është jo vetëm e turpshme por edhe e dënueshme e sa për atë që nuk e dinte Koço Kokëdhima se çfarë mynxure ishte Agron Cane mos gënjeni veten. Agron Cane këto ka bërë edhe më parë dhe madje në ushtri ja kanë mbuluar raste të kësaj natyre. Ky marrok e ndjente vetën hamshor i Koço Kokëdhimës dhe nuk ka asnje justifikim mbajtja e tij si sekretar. Por duhet të ketë diçka më shumë në këtë mbrojtje. Mos vallë ishte vënë aty për të rekurtuar vajza të reja për ndonjë kodoshllëk se vështirë është të mendosh se ky plak i marrë i donte vetëm për vete?! Të gjitha ndodhin në këtë botë, hetuesit nëse ka hetues në këtë vend, duhet të bëjnë punën e vet të zbulimit e jo të mbulimit të fakteve “për arsye shtetërore. Të kërkohet edhe në lidhjet që ka Agron Cane. Po kush ti bëjë hetimet? Ata që ngutën ta paraqesin një një rast patologjik i vetmuar? Duhen parë madje edhe të gjitha lidhjet e tij me Koço Kokëdhimën. Sa për atë që Koço Kokëdhima ishte ndër nisiator i parë për të rrëmbyer pasuritë popullit, Kinostudion, këtë pronë të popullit që ishte parajsë e gjelbër në diktaturë dhe e betonoi demokracia e Koçove, lereni se meriton shkrime të veçanta. Por ai di të mbrohet e të bunkerizohet mjaft mirë, se ja Top Channel asnjë lajm të vetëm nuk jep. Ka dhe një gazetë Koçua, që mund tia bëjë gjëmën kujdo, se këta kur bëhen pasunar për së mbari duan edhe të pushtojnë gjithçka siç ka pushtuar Bregun e detit dhe siç e shkatrroi Kinostudion këtë tempull arti.
Incidente të tilla njihen gjithë botën por kësisoj zullapërie si në Shqipëria nuk ka bota, këta nuk e njohin institucionin e dorëheqjes sikur krimi më i përbindshëm të ndodh në sektorin, dikasterin apo në zyrat e tyre. Mendoni sikur në zyrën e një kongresmeni amerikan do të ndodhte kjo gjë me një 14 vjeçare. Katastrofë për kongresmenin. O shqiptar të marrosur pas partive, e dini se ka patur një Nikson në këtë botë, President Amerikan që për një përgjim, nga ekipi i tij zgjedhor dha dorëheqjen, e nuk e bëka këtë Koçua i Kokëdhimëve se pa të nuk bën Shqipëria as Qeveria?! Pse çfarë është ky Zoti? Punë e madhe se është mik për kokë i Kryeministrit. E keqja e këtij vendi ne të vërtetë nuk janë përverset si Agron Cane por ata që i bëjnë shtrat të ngrohtë Agron Canëve që nuk janë të pakët, prandaj nëse ka pikë dinjiteti ky Koço Kokëdhima duhet të lëshojë Kuvendin e do të jetë më i nderuar, përndryshe emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me emrin e një pedofili.
Si pjestar i deritashëm i barrikadës tuaj kundër të keqes në këtë vend, marr guximin tua them hapur të nderuar pushtetarë, se kësisoj deputetësh nuk i duhen Partisë Socialiste se të ngjallin imazhin se këta janë jo socialista por specialista-thënie proverbiale e Pjetër Arbnorit. Ndaj mund të them se Koço Kokëdhima me atë përversin që e mbante nën sqetull është e mira të dalin nga sytë e opinionit publik , të tërhiqet nga jeta politike e ti lëshoj vendin dikujt që është më i devotshëm për popullin se sa për miqtë, tarafin xhepat dhe dhe pronën e vet. Të tillë specialista nuk i duhen Partisë Socialiste e nëse kryetari që është dhe kryeministër do të vazhdojë të mbaj afër të tillë figura që më shumë jetojnë në delire se në realitet duhet ta dijë se po shkel në një dërrasë të kalbur, po prish reputacionin e vet. E kjo nuk është në të mirën e askujt.