KOPI KYÇYKU, lindur në Pogradec më 1943, ka mbaruar fakultetet Gjeologji-Miniera dhe Histori-Filologji (degët gjuhë-letërsi dhe histori-gjeografi), ishte doktor i shkencave, inxhinier, akademik, gazetar, eseist, profesor i gjuhës italiane dhe i historisë së Ballkanit, , profesor në universitetet e Tiranës e të Bukureshtit, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (qysh më 1967), autor i shumë vëllimeve me poezi, tregime, drama, pamflete, artikuj kritikë për letërsinë e artet, si dhe studimesh shkencore; përkthyes i mjaft veprash letrare, historike dhe gjeologjike nga disa gjuhë, në shqip, rumanisht dhe italisht.
Laureat i Medaljes “Mihai Eminescu”, akorduar me Dekretin e Presidentit të Republikës së Moldavisë (2012).
Është anëtar themelues i Fondacionit Evropian “Nikolae Titulesku”, anëtar i ADIRI (Shoqata e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare), anëtar i Shoqatës së Inxhinierëve të Rumanisë, anëtar themelues dhe anëtar i Komitetit Drejtues Ndërkombëtar i Qëndrës Evropiane të Studimeve Ndëretnike dhe të Komunikimit pranë Akademisë Rumune, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës Qëndrore, anëtar titullar i Akademisë Evropiane të Arteve (Belgjikë), anëtar i Këshillit të Nderit të European Academy of Performing Arts, Kavalier i Shën Silvestrit Papë, Doktor Honoris Causa i Universitetit “Danubius” të Galacit (Rumani), anëtar i Shoqatës së Ballkanistikës dhe të Sllavistikës, anëtar titullar dhe anëtar nderi i shumë akademive dhe forumeve shkencore ndërkombëtare, president themelues i Fondacionit “Simpatizantët e Ataturkut” dhe i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Haemus” e themelues dhe bashkëdrejtues i revistës dygjuhëshe evropiane me të njëjtin emër (në shqip e në rumanisht), që del në Bukuresht qysh nga viti 1998, themelues dhe botues i revistës “The Eastern European Messenger”, që botohet në Londër, në gjuhën angleze etj.
Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe simpoziume shkencore, të organizuara në shumë vende të botës dhe ka dhënë mësim, si profesor i ftuar, në universitete të Evropës, Azisë dhe Afrikës, duke u nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për veprimtarinë shkencore-didaktike dhe për përkthime.
Është zgjedhur zëvendëspresident në të pesëmbëdhjetë edicionet e Kongresit Ndërkombëtar të Botës Shpirtërore Rumune.
Në lëmin e historisë ka shkruar dhe ka botuar në shqip, rumanisht dhe italisht një numër të madh monografish, ndër të cilat: “Mustafa Qemal Ataturku”, “Turqia e Pasluftës (1945-1985)”, “Kryengritja e armatosur e Ilindenit, Maqedoni (1903)”, “Marrëdhëniet shqiptaro-rumune gjatë shekujve”, “Arumunët e Shqipërisë në kontekst ballkanik”, “Arumunët në optikën shqiptaro-rumune”, “Historia e Shqipërisë”, “Pater – Emil Konduraqi”, “Historia e Maqedonisë”, “Ataturkizmi dhe Turqia e Mijëvjetshit të Tretë”, “Histori e shkurtër e Azerbaixhanit”, “Algjeria – e kaluara dhe e sotmja”, “Zinxhiri i anktheve – radiografi e çiltër për vete dhe për të tjerë”, “Hajdar Alijev – një Ataturk i epokës sonë”, “Me pushkë dhe penë – Hristo Botev”, “Mes strehësh e trandjesh”, “Dy Evropa – një divorc intelektual?” (bashkautor Razvan Theodoresku), “Udha drejt përkryerjes” (bashkautor Horia Nestoresku-Balçesht), “Një evropian i madh” (bashkautor Zoe Petre), “Astrit Leka – një jetë e stuhishme” etj. Është autor i tekstit universitar “Stilistika e gjuhës italiane” dhe i Historisë së Teatrit Universal, në tre vëllime (rumanisht).
Mes shumë librave dhe autorëve që ka përkthyer, veçohen “Antologji e poezisë rumune moderne” (me pjesë nga 185 autorë të rumanishtes, 2003) dhe “Bukuria që vret” (prozë nga tetë klasikë të shqipes, 2006)
Ka fituar Trofeun “Shqiponja e Artë”.
KOPI KYÇYKU dhe mban titullin “Nderi i Qarkut të Korçës”.