Ndoc Gjetja ..foto by; K.Traboini

Duke kujtuar “Krishtin” e poezisë, Ndoc Gjetja
Nga Përparim Hysi

 

Më 9 mars 1944,ka lindur “Krishti” i poezisë,Ndoc Gjetja. Thonë që ka vdekur,kurse unë nuk jam i atij mendimi.Përkundrazi.Ka dy arsye ku kundërshtoj ata që thonë për të që ka vdekur. Së pari,Ndoc Gjetja është Poet nga më të bukurit.Po vallë a vdesin poetë të tillë? Së dyti,qoft në pamje,qoft në shpirt ai qe si Krisht.Në nuk bindeni,faji nuk është imi. Provoni ta shihni një fotografi të tij,që e ka bërë kolegu,miku,poeti,esseisti,publicisti në zë,Kolec Traboini dhe menjëherë do më jepni të drejtë. Ndoc Gjetja qe lezhian dhe kjo ,veç tjerash, më shtyn që t’i them dy fjalë për të. Për të janë shkruar aq e aq,por unë po mundohem të them mendimet e mia.Dhe aq.Se dhe unë “jam” nga Lezha…

 

* * *

Në të vërtetë unë jam nga Fieri.Pra,jam myzeqar,por atje,në Myzeqe, ka një thënie që thotë: -Po pive 40-sapllake me ujë në një vënd,atëherë je vëndali. Unë kam qenë tri vjet të mira në Lezhë dhe i kam pirë me tepricë ato”saplaket” që numërojnë në Myzeqe,kështu që kam të drejtë të quhem”lezhian”. Veç një gjë u them lexuesëve,kur kam qenë unë në Lezhë,Lezha jo vetëm qe qytet i vogël,por nuk kishte asnjë poet. I vetmi poet kishte ardhur nga Tirana (i kishin prerë veshin se kushedi se ç’kishte”bërë?!”-kondra partisë,sigurisht ) dhe ky qe i ndjeri Aleksandër Banushi. Ky qe dhe drejtor i shtëpisë së kulturës në Lezhë. E mbaj mend mirë se qe në juri kur,ne si repart ushtarak së bashku me rininë e Lezhës,dhamë një shfaqje mikse.Atje unë recitova dhe u çmova për poezinë “Devoll-Devoll” të Dritëroit.Në juri,veç të ndjerit,poetit Aleksandër Banushi,qe dhe sekretari “veterani” i rinisë,shkodrani nga Lezha,Skënder Beci dhe tjetri që plotësonte treshen e jurisë,qe i apasionuari dhe njohës i mirë i letërsisë,doktor Apollon Gjebrea. Që të tre i kujtoj me përmallimse për të tre ruaj përshtypjet më të miras.Doktor Gjebresë dhe Skënder Becit u uroj jetë të gjatë.Lezhianët të më ndjekin në rrëfimin tim dhe t’më korregjojnë. Orkestrën e drejtonte fizarmonicisti virtuoz Agim Velaj dhe ndërhynte,gjatë shfaqjes mikse,me këngët e Vaçes,këngëtarja Çlirime Duhani që,me sa mbaj mend,punonte mësuese.

 

Për lezhianët kam dobësi.Janë fisnikë:me burra e me gra.Kujtesa ime vjen duke u shterur,por nuk harroj kurrë bujarinë e tyre dhe shpirtin e madh. Për ta mund të ulesha e të shkruaj faqe të tëra,se kot nuk”jam” nga Lezha.

Në Lezhë kam njohur trimërinë e priftit katolik (atij që kishte atë vilën,në krah të djathtë kur lije urën e Drinit e shkoje për Shkodër). Pa ia bërë bef syri,urdhërit të partiakëve për të hequr kryqin mbi vilë,iu përgjegj:-Kurrën e kurrës.Dhe kur”vulnetarët e qoft largut” hipën dhe e hoqën kryqin mbi vilë,ai (po mos ka brirë trimëria?!) :- A,e hoqët,a?

-I thojni partisë se unë kryqin e kam çetu!!! (dhe shënoi mbi zëmër). Vallë, a mund të harrohet një trimëri e tillë? Dhe kjo ndodhi në Lezhë. Në Lezhë kam qenë dhe kur arrestuan atë”priftin e rrezikshëm”,agjent të UDB-së e Vatikanit,pasuesin e Françeskut të Azisit dhe dishepullin e ma të madhit Françeskan Shqiptar,AT FISHTËS.At Zef Pllumin. E si mos me ken prej Lezhe?!!!

 

* * *

U zgjata disi,por buka që kam hangër më del prej fytit,po e harrova Lezhën. Por tash e kam fjalën për Poetin e bukur,Ndoç Gjetja. Ka ndodh me mua po ashtu siç tregon De Rada për Milosaon. Ky, Milosao , pas do kohësh kthehet në vënd të vet (qe djali i sundimtarit të Shkodrës) dhe hasë në bukurinë e Ritës.Shkëmbehet ky dialog:

-Bilë,e kujt je ti,moj vashë?

-Jam e bijë e Kallogresë! ,uli ballët e zbardhuar.

Mandej Milosao,thotë:-Në katundin tonë vashat,nuk i gjeje kaq të hijshme.

I solla këto vargje,për të thënë,një të vërtetë të madhe dhe po aq të bukur.Unë kam qenë në Lezhë nga viti 1964 deri në fund të vitit 1967 dhe atëherë nuk kish asnjë poet. Kur befas,Lezha shpërtheu me talentet në poezi që,fal talentit dhe fjalës aq cilësore poetike,pothuaj,”pushtuan” Tiranën. Pa tjetër ( ma merr mëndja që askush nuk ma merr për njëanëshmëri) ,por më i bukuri,më fini,më i drejt përdrejti,ka qenë Ndoc Gjetja.Pas tij,si bekim erdhi Rudolf Marku dhe Preç Zogaj. Aty pas mesviteve 75,erdhi devolliu Agim Isaku dhe”shkolla poetike” e Lezhës u bë e gjithë fuqishme. Qe çudi.Lezha,para të gjithëve,dhe,mandej,në disa qytete të vogla lindën poetë me emër.E tillë qe Lushnja ku Faslli Haliti,Visar Zhiti,Fatbardh Rustemi,Bujar Xhaferri apo uniku Sherif Bali zunë e po derdhnin mjaltë poezie të vërtetë.Por në Lushnjë,Faslli Hallti u dërgua të hapte kanale,kurse Visar Zhiti drejt e në burg.

 

* * *

Ndoc Gjetja e “pushtoi” Tiranën jo se kishte krah të ngrohtë,por saj vargut të tij.Por Tirana qe ca”qibare” me të ardhurit.Qoshenë e kishin ata,të partisë,që kishin “shitur shpirtin” për fat të keq.Dhe Gjetjes i dhanë të drejtonte revistën “Skena dhe ekrani”. As që do merrem,për kthesën dhe punë cilësore të kësaj revsite,ku Poeti qe zëri i parë,por dua të them një të vërtetë pak të veçantë të këtij Poeti. Ndërsa njerëzit dhe krijuesit,përgjithësisht,duan të “pushtojnë kryeqytetin”,Ndoci,përkundrazi:e la vullnetarisht Tiranën dhe u kthye atje,në Lezhën e tij të dashur.

Qe i varfër,por i ndershëm dhe,pse qe i tillë,e zgjodhën kryetar të këshillit të qarkut. Por poeti nuk është nga ata puthadorët e pushtetit;ai nuk e njeh përkuljen,temenanë made in turkoshake,por është krenar.Kur e propozojnë si “Nderi i bashkisë së Lezhës”,vuri re se ca”anëtarë” lanë mbledhjen (qe lënie me porosi) ,thotë:-E di nuk e kanë pasë me mua.

 

* * *

 

Kthehem e stërkethehem për të folur për Ndocin dhe asoasacionet nuk më ndahen.Por për të mos mërzitur lexuesin me këto fjalët e mia,ja tek po ju paraqes veç dy -tri poezi të tij,për të parë se kush është Ndoç Gjetja.

 

Sikur

 

Ç’mrekulli do të kish qenë

Sikur të jepnin që sot dorëheqjen

Presidenti dhe çdo lloj ministri

Dhe ta merrte pushtetin s h p i r t i…

 

 

Autoportret

 

Vëndbanimi: -Në Lezhë dhe mëndjen emigranti në yje.

 

Profesioni

Thurës ëndrash dhe mbrojtës besnik i tyre.

 

Gjendja civile

 

Mbetje teknologjike e adminsitratës shtetërore

se nuk diti t’u japë përkuljen e duhur eprorëve.

 

Gjatësia

 

E majftueshme për të arritur një ditë “mollën e ndaluar”

 

Titujt

 

I dekoruar njeri qysh në ditën e lindjes nga nëna.

 

Bindjet

 

Njeriun e bën të lumtur njeriu

 

Antipatitë

 

Burrat me grada dhe gratë me shumë tule të mëdha.

 

Simpatitë

 

Jezusi,Don Kishoti dhe Buda.

 

Frikërat

 

Shëndoshja e trurit,ujë,zjarri dhe turma

 

Besimi

 

Në kryqin e tij që mban përditë në shpinë

 

Pasuria

 

Dritat e mëndjes me të cilën luftoj varfërinë.

Epitaf për veten

 

Këtu prehet ai që quhet Ndoc Gjetja

I cili pati ardhur gabimisht në botë

Nga vetja e tepruar bënte vjersha

Dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

………………………………….

Pastaj e përcollën në banesën e fundit

Me shpenzimet falas nga bashkia e Lezhës.

 

Siç e shihni,nuk e shkrova të plotë.Qe kundra fuqive të mia.Poetët hyjnë pak tek profetët. Ata me zë dhe me grintë si Ndoc Gjetja qëllojnë drejt e në shënjë. Dy vargjet e fundit,sjell nga unë,kanë vërtetuar atë që tha Gjetja.Ai vdiq i varfër dhe u varros me shpenzimet e bashkisë.Por,në të njëjtën kohë,për të dhënë më të plotë këtë poet unë nuk kam se si mos vë në dukje,se,në se pushteti,për arsye krejt iracionale,nuk e donte Gjetjen (kujtoni ata këshilltarët ligavecë që ikën kur votohej për nderi i qytetit),atë e donin dhe e duan qytetarët lezhianë,pa dallim bindjesh politike. Gjetja është i vetmi (më gjeni një të dytë) ,të cilit biznesmenë lezhianë,me shpenzimet e tyre,i ngritën një shtëpi.Se nuk kishte shtëpi ku të fuste kokën. Në vitin 1997 kur i vranë të vetmin djalë, ceremoninë e ritet e përcielljjes,i bëri në shtëpi të botës. Lezhjanët janë fisnikë. Ata dinë ta njohin të mirin.Ia ngritën shtëpinë,por Gjetja nuk e gëzoi dot.Mejrisht ai vdiq,për të mbetur gjallë dhe i pavdekshëm përmjet vargjeve.

 

Dhe në mbyllje,duke qenë “pak” lezhian,s’kam si mos vë re se Lezha tani është si një zgjua bletësh ku rrjedh mjaltë poetikë,ku veç të sipërmëve, duhen përmëndur.Elida Marku e Daniel Gazulli,Preng Jaku e Lekë Gjoka,Ndue Deda e Armela Hysi (përkimi i mbiemrit është veç rastësi);Shpresa Kapisyzi,Dritan Mesuli,Edmond Kaçeli,Nikoll Mojsi e tjerë.(të më falin të tjerë).

Por mbi të gjithë si rruaza më e madhe në gjerdanin poetik të Lezhës ,pa dyshim,që është Ndoc Gjetja.

Me Ndocin ka ndodhur si me pulëbardhat.Ato shpjeri nga të duash,por një ditë do fluturojnë dhe do vdesin tek ranishtja e tyre.Dhe “Ndoci” atje është:tek “ranishtja” e tij që quhet Lezhë.Unë si”pak” lezhian veç mbiemrit Gjetja do t’i shtoja atë:Lezha! Provoni t’i thërrisni:- O Ndoc Gjetja ngreu se po të kërkon Lezha,dhe brof ka me dalë nga varri më i gjallë mbi të gjallët.Si në ballada. Tash po “fle” në “ranishten” e vetë dhe po bërtas:-Je i gjallë,O Ndoc Gjetja-Lezha…

 

_______

Oh,po i shkëmbej dy fjalë me ty,mor Ndoc Gjetja! *

 

“Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur

E puthi në ballë dhe i thirri “nënë”

Mos u mundoni të dini më tepër

Se iku sikur mos kishte qenë …”

 

Ndoc Gjetja “Epitaf për vete”

 

Nga Përparim Hysi

 

Oh,po i shkëmbej dy fjalë me ty,

Me ty,mor ma i bukuri Poet,Ndoc Gjetja!

Më bloi,more mik,malli për ty

Dhe qe! Për ty,asht buqeta!

 

Vdekja! E shpifur,e ligë,tinzare

(asht sjell rrotull-rrotull,me të marrë?!!!)

Ja me vdekjen tek bën hajgare **

Ke dalë e Lezhën e vështron me mall.

 

Se ti je si Krishti,more Ndoc Gjetja

( a s’thuhet që Krishti u ngjallë )

Ndaj ty nuk mundet me të marrë vdekja

Ja tek je i gjallë,mbi të gjallë.

 

Buqeta ime është për ditëlindje

Është një buqetë e mbushur me mall

Ka dalë gjithë Lezha e të jep përqafime

Se ti je krenaria dhe ballin ke të bardhë.

 

Hana sot s’është e përgjakur,por e plotë ** *

Vjen të puth si nënë e dashur në ballë

Ti je Poeti më zëmrën e madhe sa një botë

Ndaj,për jetë,mbetesh i gjallë.

 

Tek shkruaj këto vargje,pak përlotem

Se të kam dashur dhe të dua,Ndoc Gjetja

Përlotem e çmallem se me ty po tokem

Jo,Poet i dashur, ty s’ka ç’të bën vdekja.

 

Se,po provova,një çsat që të thërres:

-Ngreu se sot ka festë Lezha!

Frap do çohesh,siç laje sytë në mëngjes,

Se ti je i gjallë dhe i pavdekshëm,i miri Ndoc Gjetja!

 

* nesër ka ditëlindjen (ka lindur më 9 mars 1944)

** tallet,e përqesh vdekjen.

*** si aluzion për ç’shkroi poeti tek”Epitaf për vete”