Nga Valeria Dedaj
Interviste me djalin e aktores “Nderit te Kombit” Marie Logoreci zotin Pjerin Logoreci
Aktorja Marie Logoreci (1920- 1988) u nderua dje nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën “Nder i Kombit”. Motivacioni për të cilin u nderua ishte: “Në vlerësim të interpretimeve mjeshtërore e të paharrueshme të gruas dhe të nënës shqiptare, duke skalitur me realizëm një galeri mbresëlënëse e simbolike portretesh në skenat teatrale, dhe të kontributit thelbësor e të pamohueshëm të saj, si një nga themelueset dhe pionieret e kinematografisë sonë”.
Të pranishëm gjatë ceremonisë ishin të pranishëm familjarë dhe artistë. Pjerin Logoreci, djali i artistes Marie Logoreci në një intervistë për “Shekullin” rrëfen kujtimet që ruan me nënën e tij, por edhe vlerësimin që duhet të kenë institucionet për këta artistë, që vështirë se do t’i rikthehen më skenës shqiptare.
Zoti Logoreci, riktheheni në Tiranë për dekorimin e nënës suaj me “Nder i Kombit” dhe jo vetëm…
Pas ceremonisë së djeshme, për të cilën shpreh falënderimet e mia janë gjithashtu dhe disa angazhime të tjera, për të cilat unë jam duke punuar për realizimin e tyre. Po i bëj në përkujtim të nënës sime në këtë 95-vjetor të lindjes. Sapo kam botuar një libër dhe është në proces botimi një album me fotografi. Ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar do të hap një ekspozitë fotografike. Libri ka parathënien, kujtimet e aktorëve në lidhje me Marie Logorecin.
Fillimisht libri nis me periudhën e fëmijërisë së saj. Tish Daija flet për një periudhë më të vonshme, për rininë e saj kur ishte këngëtare dhe tregon për pjesëmarrjen e saj në teatër me filmin e parë, “Fëmijët e saj”. Më pas Pirro Mani kujton pjesën e rinisë së tij, që e ka takuar rastësisht. Më vonë vijnë me radhë të gjithë aktorët, që tregojnë mbresat e tyre, nga kontaktet e para dhe gjatë kohës që kanë qenë në skenë me të.
Çfarë keni zbuluar nga rrëfimi i tyre?
Në fakt, nëse lexohet i gjithë libri mund të krijohet një panoramë për figurën e saj. Me pak fjalë do të thosha se, ajo ka qenë një njeri që pasionin e saj e ka pasur shumë të shpërndarë. Ka pasur pasion për pikturën, muzikën klasike dhe për teatrin. Roza Anagnosti ka thënë për të se, ka qenë modeli i femrës së kohës. Ajo shprehet se: “Jo vetëm ne si aktorë, por edhe publiku e shihte si model emancipimi, një pjesë përpiqeshin ta imitonin”.
Margarita Xhepa ndalet më tepër te figura e saj artistike. Gjithashtu me Drita Pelingun kam një regjistrim zanor të marrë shumë vite më parë. Janë dhe shumë emra të tjerë që kanë shkruar për të si, Marika Kallamata, Ndrek Luca dhe Yllka Mujo. Unë personalisht kujtoj se ajo ka pasur pasion lulet, kafshët dhe shpendët, me to merrej për shumë orë. Kujdesej shumë për pëllumbat, deri te çiftëzimi i tyre. Ndërsa për anën profesionale është e vështirë që të flas. Kolegët e saj, përveçse anës profesionale nxjerrin në pah dhe anën personale, mbresat që u ka lanë gjatë kohës që kanë interpretuar.
A ruhen materiale në arkivin e TVSHsë gjatë interpretimeve që ajo ka pasur në skenë?
Arkivi i TVSH-së ka vetëm filmin televiziv, ku ka marrë pjesë me një rol të vogël te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe një material për një përvjetor, që i është bërë nga ne. Gjithashtu ka dhe dramën “Përmbytja e madhe”, por që është në një teknik, që nuk riprodhohet. Shpresojmë që me digjitalizimin e televizionit të mundësohet riprodhimi i këtij materiali.
Po materiale zanore nga puna në radio?
Fatkeqësisht jo. Materiale zanore nga periudha që ka punuar në radio dhe në korin shtetëror nuk ka. Mendohet që gjendet një material në Bullgari, për të cilin unë jam interesuar dhe nuk kam marrë një përgjigje nga arkivi bullgar. Them atje, sepse në vitin 1947 kori shtetëror bëri një turne në Bullgari dhe asokohe atje ishte teknika e regjistrimit. Ndërsa në Shqipëri te Radio Tirana koncerte bëheshin direkt, nuk regjistroheshin.
Përmendët se keni në proces botimi edhe një album me fotografi…
Po është një album, që tregon fillimisht fotografi nga jeta dhe aktiviteti në teatër. Kemi menduar që pjesëmarrjen e saj në film ta ndajmë veçmas. Përveçse kësaj ka fotografi dhe pas shumë roleve, në të cilët ka luajtur dhe nuk dua që t’i quaj fotografi personale, sepse lidhen me aktivitetin e saj në skenë, në ambientet e punës me kolegët e tjerë.
Përpjekjet tuaja për ta kujtuar Marie Logorecin janë të vazhdueshme, por çfarë duhet bërë më tepër nga institucionet në nderim të këtyre figurave?
Mendoj se institucionet që kanë pasur këto figura, për shembull brenda këtij muaj Lazer Vlashi, aktori më i vjetër ka pasur ditëlindjen. Ai është akoma gjallë, por nga teatri nuk kujtohet asnjë. Prokop Mima ka pasur ditëlindjen, dhe ky është një aktor brilant, që deri më tani nuk ka ardhur më. Nuk mendoj se mund të vijnë aktorë të tjerë të atij plani. Prandaj mendoj që detyra e parë është e institucioneve, sigurisht dhe e shtetit, sidomos e Ministrisë së Kulturës. Nëse ne lëmë në harresë figurat e mëdha, që kemi atëherë ne nuk do të kemi më kulturë.
Kultura e një kombi mbështetet te figurat e shquara, të të gjitha fushave, sikurse po flasim për artin skenik, ka dhe në fusha të ndryshme. Vendet përkatëse duhet të kujdesen për to, për vazhdimësinë e artit skenik, që fatkeqësisht sot nuk është në atë nivel që ka qenë. Është fatkeqësi, që kjo vazhdimësi mungon. Unë jam i bindur se aktorët e sotëm nuk e njohin Marien, nuk dinë asgjë nga ajo. Ata nuk kanë studiuar të paktën ato biseda që ajo ka me studentët, ku tregon mënyrën e interpretimit të saj dhe të aktorëve kryesorë. Këto nuk besoj se përbëjnë një leksion në Akademinë e Arteve (Universiteti i Arteve). Gjithsesi unë duhet të them se kam pasur ndihmë të madhe për punën që po bëj nga drejtoresha e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti bashkë me Eriona Vyshkën.
Pas këtyre aktiviteteve që do të bëni, por dhe pas ndermit me “Nder i Kombit” për Marie Logorecin. Çfarë mendoni se keni vënë në vend?
Mendoj se albumi është një pjesë që nuk e ka pasur më parë. Ka fotografi që nuk janë parë kurrë, bashkë me kolegët. Ne jemi kujdesur që kjo të dalë në pah në ekspozitën që do të bëjmë në MHK. Por nuk arrita që të bëj diçka, që fatkeqësisht në SHBA e bëra. Ishte menduar që të dilte një seri e pullës së Postës Shqiptare, me fotografinë e saj, gjë që është bërë atje. Normalisht që kjo duhet të kishte dalë dhe këtu, por u shty për në 100-vjetorin e lindjes. Shpresoj që të bëhet diçka.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur ngjarje që ju ngacmojnë kujtesën?
Vazhdimisht ka, sidomos në këto ngjarje, sepse në ditët e tjera nuk të lë përditshmëria. Për shembull, takova Robert Mingën para disa ditësh, i cili kujtoi një fragment nga komedia “Çatia e të gjithëve”, ku ngjarjet zhvillohen në një lokal. Maria atje ka një rol të vogël, por me ngarkesë. Ai e kujtonte dhe vlerësonte potencën e Maries, tha se me një rol të vogël ajo mbante gjithë skenën. Këto kujtime për mua janë shumë.
Biografia
Nga teatri në kinematografi
Maria Çurçia lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. I ati, Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma, Roza, shtëpiake. Paloka ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë Punëtore” një shoqëri sindikaliste. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, në Shkodër, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizatonte bukur, këndonte dhe më vonë filloi të përdorte mandolinën dhe kitarën. Nuk i pëlqente matematika dhe lënda e Besimit.
Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e Veriut. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin në vitin 1937. Në shtëpinë e Logorecëve, Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin, Gurakuqin, e Mjedën. Në këtë mjedis pasioni i saj gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Disa nga rolet e saj janë: Alisa Lengton te “Rrënjët e thella”, Kristina Padera te “Komploti i të dënuarve”, Gertruda te “Hamleti”, Fatimja te “Halili dhe Hajria”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Lady Milford tek “Intrigë e dashuri”, Loken te “Toka jonë”. Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër: “Fëmijët e saj”, në 12 filma të Kinostudios dhe televizionit. Ajo mban titullin “Artiste e Popullit”.
Valeria Dedaj