Muzika Popullore

Nga Prof. Kostandin Trako
Artikull Botuar Nga “Shkëndija” Nr. 2 Dhjetor 1942 – E përmuajshme kulturore drejtuar nga Ernest Koliqi

Para se të flasim mbi keqësimin e muzikës popullore në krahasim me muzikën kulte të kohëve të fundit, duhet t i përgjigjemi një pyetjeje shumë të rëndësishme: Ç’kuptojmë me fjalët «MUZIKE POPULLORE»? Përgjegja është kaq e rëndë, sa ky terminasion nuk do të thotë për Europën perëndimore dhe të
mesme, pikërisht po atë kuptim si ndër nè, n’Europen lindore. Ndryshimi i këtij kuptimi vjen, prej asaj që: n’Europën perëndimore — të paktën në ditët t’ona – konditat dhe praktikat e muzikës popullore, janë të tjera, nga ato t’Europës lindore; ky ndryshim në radhën e tij, i detyrohet faktit se: n’Europën perëndimore ndryshimi ndërmjet jetës ose kulturës së popullsis qytetase dhe t’asaj krahinore, është shumë më i vogël se ndër nè, n’Europën lindore.
Ne këtu, shikojmë dhe vëmë rè mjaft mirë ndryshimin e madh që gjendet ndërmjet muzikës popullore të qytetit dhe muzikës popullore të katundit. Ndër ne, banuesit e qyteteve dhe veçanërisht të qyteteve të vegjël, kanë një muzikë popullore të tyren, me cilësira krejtësisht të tjera, se sa muzika e banorëve të katundeve. N’Europën perëndimore, përkundrazi: muzika popullore e qytetarëve dhe e katundarëve është një soj. Më mirë të themi se: Qytetarët nuk kanë aty një muzikë popullore të tyren. Muzikën popullore të qytetarëve t’Europes lindore mund t’a quajmë, muzikë popullore të klasës dominuese, ose muzikë kulte në stil popullor; tjetrën mund t’a quajmë muzikë katundare, sepse është mbrojtur dhe është trashëguar pothujse vetëm prej katundarëve t’anë. Cili është pra ndryshimi ndërmjet këtyre dy kategorive? Muzika kulte nuk njeh individet melodike që ka, disa cilësira të jashtëme e të përbashkëta, porse ndryshojnë në kuptimin e tyre, kaqë shumë njëra prej tjetrës, sa që nuk mund të jenë të përmbledhura në asnjë formullim. Me të vërtet ato nuk janë tipe, porse individe. Ndryshe qëndrojnë punët në muzikën popullore katundare: këtu burojnë stile muzikale të përbashkëta. Kështu në muzikën popullore shqiptare, kam gjetur në katundet t’ona një t’ashtu quajtur “Stil i vjetër malodik”, i cili përmbleth në gjirin e tij disa qidra melodi. Duke i studjuar këto lloj melodi, si nga pikepamja e karakterit melodik, gjithashtu edhe nga pikëpamja e skeletit te tyre, do të vëmë rè, se këto ngjasin shume; p.sh. muzika Korçare-Kosovare dhe ajo Gjinokastrite. Ato formojnë pra, një stil melodik katundar të përbashkët, ose nje kategori melodish katundare. Pastaj, kam gjetur prapë një «Stil melodik të ri», në të cilin bëjnë pjesë mijra melodi të ngjajshme ndërmjet tyre, porse krejt të ndryshme prej melodive të stilit të vjetër. Komponentet e një të tille kategorie melodirash, do të konstatojnë, se melodit e mara një nga një, ngjasin njëra me tjetrën kaq shumë sa nga ndonje herë të duken se s’janë tjeter gjë, vetëm se variasione të thjeshta. Mbi mënyrën si burojnë ose si krijohen të tilla stile melodike të përbashketa, nuk mund të bëhen vetëm se ipoteza. Me të vërtet pothuaj se lindja e tyre, mund të shpjegohet dyke llogaritur instiktin zhvillues të katundarëve, të cilët nga jeta e tyre katundare, gjithkund n’atë mënyrë punojnë n’atë drejtim. Duhet pra, t’i vështrojmë si disa prodhime të disa fuqive elementare. Ja, se këtu kemi të bëjmë me melodira individe, porse me melodira typike. Melodit e këtyre stileve të bashkëta katundare janë pikërisht pjesët më kryesore të muzikës sonë popullore. Egzistenca e disa të tillave stile, është karakterizimi kryesor me të cilën muzika fshatare dallohet prej muzikes kulte të stylit popullor. Dhe egzakt ky ndryshim ka humbur pjesërisht në muzikën popullore t’Europës perëndimore.
Muzika kulte shqiptare e stylit popullor është shumë e paktë dhe fare pak e njohur, si brenda kufive të shtetit t’onë, gjith ashtu dhe përtej tyre. — Prej se përbëhej ajo? – Prej melodirash të krijuara prej kompozitorësh të klasës zotëronjëse, që fatkeqësisht janë të paktë dhe të njohur dhe pastaj të shpërndara prej grupeve të sazexhinjve dhe t’orchestrave (mandolinata) të qyteteve. Meloditë kanë gjithsecila partikularitetet dhe cilësit e tyre naturale, porse në egzekutimin e orchestravet krijojne në fillim një atmosferë plot me eksuberim romantik, që, në fillim të pushton, porse dhe shumë shpejt të lodh. Meloditë e muzikës katundare, kanë përkundrazi, një thjeshtësi klasike dhe një objektivitet që kurrë nuk të lodh. Mua ç’do melodi më duket se formon bashkëtrupimin dhe përqëndrimin më të lartë të perfeksionit artistik. Ato janë shëmbëlla klasike dhe mënyra si mund të shprehet një mendim e gjykim muzikal me mjetet më të shkurta e më të thjeshta.
Gjithkush ka patur rastin të dëgjojë t’ashtu quajturat melodi: beraçen, kolonjarçen, dovolliçen, këngët që meren me grykë, me të shtruar, me të qarë dhe këngët dibrane e kosovare si p.sh. Gani Bej, Xhiu i Fajës dhe më në fund këngët malësore të shoqëruara me instrumentin kombëtar dhe historik «LA HUTEN», etj. dhe mund t’a marim me mend si është dhe ç’është kjo muzikë popullore katundare, lindur nga gjaku dhe traditat e shenjta të popullit shqiptar.
Duhet të dëshmoj se gjej një muzikë katundare në lulëzim të plotë, e cila deri tashti ka qënë e varrosur por jo dhe e vdekur. Këtë lulëzim nuk e gjej vetëm ndër nè shqiptarët, porse dhe në popujt fqinjë me shtetin t’onë. Gjith ashtu dhe në slovakët, rumunët, rutenët, ungarezët etj. etj. Në tjetër anë gjejmë gjith ashtu, n’arabět e Afrikës veriore, një ndryshim të madh ndërmjet muzikës qytetare dhe t’asaj katundare. Muzika e katundevet është krejtësisht e ndryshme prej asaj që dëgjohet ndër kafenete e qyteteve arabe. Vallë p.sh. në Asinë e larkme, muzika e klasave t’epërme si dhe e klasave t’ulëta, ndryshon po gjith’ ashtu? Ja pra se ç’nuk mund të dihet tashti për tashti.
Në muzikën kulte është ndjerë gjithmone influenca e muzikës popullore.
Nuk është nevojë që të kthejmë vëzhgimin t’onë n’epoka shumë të larguara, mjafton të përmendim fenomenet e dy, tre shekujve të fundit. Mendohem përshembëll në rolin kaqe të rëndësishmë të melodive Koral, në muzikën e Johan Sebastian Bach-ut. Përgjithësisht të mirënjojturat Pastorale dhe Musette të shekullit të XVII dhe të XVIII, nuk janë tjetër gjë vetëm se imitime popullore lokale, të kënduara me gajde ose me «Vièle». Gjith’ ashtu është e ditur se deri në ç’gradë klasikët Vienezë u treguan të influencuar prej mbrojtësve të muzikës popullore. Kështu thema kryesore e lëvizjes së parë nga Simfonia Pastorale është një melodi Jugë-Slavone. Objektimi që mund të thohet se melodia e Simfonisë pastorale ka mbrijtur popullore në Serbi dhe q’u përhap aty, nuk mund të meret parasysh. Nuk mundemi me të vërtet të besojmë aspak se kjo simfoni u këndua shpesh herë në Sërbi në giysmën e parë të shekullit të kaluar; kaqë më pak, se një transhkrim i disa fragmenteve të saj ka mundur të përhapet në mbretëri prej muzikantësh katundarë. Më shumë është e pabesuarshme, se Beethoven paska dëgjuar temën e kujtuar prej muzikantësh kroatë, me të vërtet kënduar me gajde në Komitatin «Odennburg». Këtë na e tregon, – duket — se dhe pedala FA-DO, si dhe ideja prej një masë që përsëritet në shumë herë në fillimin e lëvizjes. Të tilla lëvizje Ostinato, të ndonjë ideje muzikale prej një ose dy masash, dëgjohen shpesh herë edhe sot në gajdexhinjt e Shqipërisë dhe në krahinat fqinjë me shtetin t’onë.
Besimin ose mbështetjen e ndërgjegjeshme dhe – si t’a themi – programatike, në muzikën popullore, nuk e gjejmë tjetër gjëkundi vetëm se në romantistët. T’ashtu quajturit kompozitorë nacionalë si: Grieg, Smentana dhe Dvorak, s’kanë bërë tjetër gjë, vetëm se e kanë zhvilluar dhe vazhduar këtë, në stil të madh.
N’atë kohë edhe nuk bëhesh ndryshim ndërmjet muzikës kulte të stilit popullor dhe muzikës katundare. Cilido lidhesh me një nga këto dy burime dhe sidomos cila i binte më shumë në dorë. Kuptohet se n’atë kohë muzika kulte e stilit popullor ishte shumë më e njohur se sa muzika katundare. Etnografia dhe veçanërisht folklori, si shkenca, ishin edhe si nji varg i gjatë, civilizimi katundar nuk para zgjonte marjen parasysh të mbledhësve dhe t’artistëve. Nga tjatër anë, influencimi kufizohesh edhe në vepra të jashtme, d.m.th më shumë në përdorimin e ndonjë motivi, ndonjë melodie ose të disa fragmenteve dhe sidomos të disa karaktereve të dukëshme të muzikës kulte të stilit popullor.
Kompozitorët e lart përmëndur të shekullit XIX u frymëzuan, ashtu sikurse thuhet, veçanërisht prej muzikës kulte të stilit popullor t’Atdheut të tyre. Pa fjalë se, në këta, gjënden shumë privatësira që mungonin deri atëhere në muzikën kulte europiane; porse këto janë të përzjera atje — sikundër thashë — në vënde të bashkëta të perëndimit, me një sentimentalitet romantik. Mungon freskimi i pa prekur, “krijimi ose formimi primitiv, thjeshtësia e muzikës katundare; mungon ajo që në ditët t’ona quhet «objektivitet», ajo që më shpejt mund t’a quaj «mungesë sentimentaliteti».

You cannot copy content of this page