Nga Kastriot Myftaraj /

kastriot_myftaraj
Kastriot Myftaraj

Nesër, në 5 shtator në Çorovodë të Skraparit do të festohet me bujë të madhe përvjetori i çlirimit të këtij qyteti nga pushtuesit fashistë italianë dhe “tradhtarët” e vendit në 5 shtator 1942. Veçanërisht këtë herë festimet do të bëhen të fryra me pompë të madhe demagogjike, për shkak se është viti jubilar i 70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë.

Çorovoda
Çorovoda

Në të vërtetë, çlirimi i Çorovodës nga pushtuesit e huaj, fashistët italianë, nuk ka ndodhur kurrë për arsyen e thjeshtë italianët nuk e kishin pushtuar as Çorovodën dhe as Skraparin kur pushtuan Shqipërinë në 1939. Në shtator 1942 në Çorovodë kishte vetëm milicë dhe karabinierë shqiptarë që ishin një forcë policore për ruajtjen e rendit publik. Asnjë ushtar të vetëm italian nuk kishte në Çorovodë dhe as në Skrapar në shtator 1942. Historiografia zyrtare e kohës së diktaturës komuniste nuk pretendon që në këtë luftë të ketë rënë qoftë edhe një dëshmor i vetëm nga ana e partizanëve, apo që të jetë vrarë qoftë edhe një armik i vetëm, qoftë ky ushtar apo karabinier italian, ose milic apo karabinier shqiptar. Nuk ka dyshim se e ashtuquajtura Lufta e Çorovodës ishte një luftë e rreme. Këtë gjë nuk e fsheh dot as ai që është botimi zyrtar historik i regjimit komunist për Luftën e Dytë Botërore, libri me katër vëllime, “Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, ku i ashtuquajturi çlirim i Çorovodës përshkruhet kështu:

“Më 4 shtator në mëngjes, forcat kryengritëse u hodhën në sulm në të gjithë frontin prej 11 km. Armiku në vijën e mbrojtjes të zënë me ngutësi u thye në të gjithë sektorët. Forcat partizane duke manovruar në dy krahët, në bashkëpunim me forcat që sulmonin përballë nga Qafa e Devrisë, pjesërisht e rrethuan armikun. Në mbrëmje partizanët lanë Qafën e Devrisë dhe kapën me sulm Serzën (në verilindje të Koritës), majën e Gradishtës duke e detyruar armikun të tërhiqej në Radësh dhe të organizonte mbrojtje me ngutësi në vijën 2 km në jugperëndim të Koritës, Shkëmbi i Zhukës, Qafa e Çfynishtit (Radësh). Për të shfrytëzuar suksesin e arritur natën e datës 4 për 5 shtator forcat partizane organizuan sulmin vendimtar kundër batalionit të 10 të milicisë. Me ardhjen e forcave vullnetare nga thellësia e zonës së lirë, më 5 shtator në mëngjes filloi mësymja e vrullshme në të gjitha drejtimet. Goditja kryesore jepej në drejtimin Koritë-Çorovodë. Armiku u thye dhe duke shfrytëzuar terrenin e thyer u tërhoq me shpejtësi nga Radëshi, Mollasi, Vërzhezha dhe Therepeli e Paraspuari për në Berat. Kështu me sulme njësitesh të vogla e me skuadra, në një front 10-11 km gjerësi, kryengritësit krijuan një epërsi numerike në drejtime të caktuara dhe e vunë armikun përballë një situate kritike që nuk mund të zgjidhej ndryshe përveçse duke u tërhequr. Armiku, duke mbuluar tërheqjen e forcave të veta, me një pjesë forcash manovroi nga Korita në krahun e majtë dhe i hodhi këto në kundërsulm për të pushtuar disa brigje në malin e Radëshit. Por përballë armikut zunë pozicion forcat vullnetare dhe me iniciativë hapën zjarr duke e thyer kundërsulmin e milicëve dhe duke i detyruar ata të tërhiqeshin nga fshati Radësh. Këto forca të armikut që kundërsulmuan në drejtim të Radëshit do të ishin rrethuar në rast se forcat partizane që krahmerrnin nga e djathta me një pjesë të forcave do ta kishin mbyllur rrethimin në Radësh, ndërsa me forcat kryesore të përparonin me shpejtësi për të mbyllur rrugën në afërsi të Vërzhezhës. Ditën e 5 shtatorit batalioni i 10-të i milicisë doli në brigjet e lumit Osum, në Kakrukë, duke i shpëtuar rrethimit të forcave partizane. Ndërkohë kjo tërheqje e forcave të armikut lehtësoi përparimin e forcave partizane që sulmonin drejtpërdrejt në Çorovodë. Reth orës 2ºº të pasdites së 5 shtatorit forcat partizane çliruan Çorovodën.” (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, Vëllimi I, f. 341-342)

Që të gjitha këto beteja e manovra luftarake të përshkruara më lart janë thjesht krijesë e fantazisë së historiografëve komunistë, kjo kuptohet nga fakti se nuk thuhet që të jetë vrarë, madje as që të jetë plagosur, një partizan apo një armik i vetëm në këtë luftë “legjendare”. I vetmi gjak që u derdh në luftën për çlirimin e Çorovodës ishte gjak dashi, qingji e pule që u derdh pa kursim në festën që pasoi “çlirimin” e Çorovodës. Ky gjak ka vazhduar që të derdhet për 70 vite dhe duket se do të vazhdojë të derdhet ende pa kursim.

Nëse nuk mund të thuhet se Çorovoda u çlirua nga pushtuesit e huaj në 5 shtator 1942, mund të thuhet me siguri se ajo u “çlirua” nga qytetërimi në këtë ditë. Çorovoda kishte nisur të merrte sadopak pamjen e një qyteti, ose më saktë qyteze, në kuptimin e europian, vetëm pas pushtimit italian të Shqipërisë në 7 prill 1939. Italianët ndërtuan në qytet të parën rrugë të shtruar me asfalt, të parat kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, të parët centrale elektrike dhe telefonike me kapacitet relativisht të madh, të parin spital modern civil, të parat ndërtesa shkollore të llojit bashkëkohor, të parat ndërtesa të llojit bashkëkohor për Policinë, Nënprefekturën, Gjykatën, komunën etj. Çdo gjurmë tjetër qytetërimi bashkëkohor që kishte Çorovoda para 7 prillit 1939 ishte ndërtuar pas vitit 1925, kur Italia, në marrëveshje me shtetin shqiptar nisi të financojë një projekt të madh të modernizimit të Shqipërisë. Të vetmit “pushtues” italianë që kishin shkelur në Çorovodë pas 7 prillit 1939 qenë inxhinierët, arkitektët, mjekët, gjeometrët, urbanistët dhe specialistë të tjerë të tillë.

“Çlirimi” i Çorovodës në 5 shtator 1942 i dha fund këtij procesi qytetërimi, por për fat të mirë jo për shumë kohë. Se ajo që nuk thuhet kur flitet për çlirimin e Çorovodës është se ky “çlirim” zgjati vetëm… 24 orë! Në librin e përmendur më lart thuhet: “Armiqtë, nga frika e goditjeve, përparonin shumë ngadalë. Kolonat që vinin nga Berati vetëm më 11 shtator hynë në Çorovodën e zbrazur disa ditë më parë nga forcat çlirimtare, për të mos u goditur në befasi nga forcat armike.” (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, Vëllimi I, f. 344)

Kështu, “çlirimtarët” as që e mbrojtën qytetin. Ata vetëm sa hynë në Çorovodë për të bërë një festë dhe u larguan prej andej pa shkrepur një pushkë. Sa ditë zgjati “çlirimi” i Çorovodës? Historiografia zyrtare komuniste thotë se nga qyteti i “çliruar” në 5 shtator, partizanët qenë larguar disa ditë para 11 shtatorit kur atje hynë përsëri armiqtë. Se sa ditë para 11 shtatorit qenë larguar partizanët kjo nuk thuhet me saktësi. Merret vesh, për të fshehur faktin se partizanët nuk e kishin mbajtur Çorovodën më tepër se 24 orë.

Në të dy rastet historiografia komuniste nuk thotë që në Çorovodë kishte pushtues italianë, as që u larguan nga qyteti në 5 shtator, as që hynë atje në 11 shtator. Gjithçka që ndodhi është se milicët shqiptarë u larguan nga Çorovoda në 5 shtator dhe u rikthyen atje në 11 shtator. Të dy palët, si partizanët, ashtu dhe milicët, pra si “çlirimtarët”, ashtu edhe “pushtuesit” ishin në shumicën e tyre skraparlinj. E gjithë kjo historia është si ajo anekdota “Më rrojte të rrojta, gjak nuk derdh, brisku është i berberit”. Sipas kësaj anekdote dy skraparlinj që njiheshin në Skrapar si armiq të betuar mes tyre, takohen në qytetin e Vlorës në dyqanin e një berberi. Njëri prej tyre, kur e pa tjetrin që ishte ulur të rruhej te berberi, ia rrëmbeu briskun nga dora berberit, dhe i tha armikut të tij: “Tani mor qen, në fillim do të ruaj në të thatë, dhe pastaj do të ther!” Dhe ndërsa po e ruante me vështirësi një vlonjat që priste rradhën të ruhej tha: “Po there në fillim a i vrarë, e pastaj rruaje kollaj!”

Kur buçiti zëri i vlonjatit skraparliut i ra brisku nga dora dhe atë e mori skraparliut tjetri, i cili e kapi për zverku armikun e tij dhe e uli në karrigen e berberit e nisi ta ruante në të thatë, duke ia përsëritur kërcënimin se në fund do ta therte. Por kur në fund u panë sy në sy, i pari tha: “Më rrojte, të rrojta, gjak nuk u derdh, brisku është i berberit!”

Edhe në të ashtuquajturën Luftë të Çorovodës, të dy palët, partizanë dhe milicë kërcënonin njëri-tjetrin me armët e italianëve, por nuk derdhën një pikë gjak të njëri-tjetrit.

Çfarë bënë partizanët gjatë 24 orëve që Çorovoda qëndroi e çliruar? Ja se çfarë sipas historiografisë komuniste: “Forcat partizane kryen spastrimin nga parullat fashiste dhe dogjën të gjitha aktet gjyqësore dhe financiare”. (“Historia e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të Popullit Shqiptar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, Vëllimi I, f. 342)

Në të vërtetë këtë punë të bukur e bëri një burrë nga fshati Potom, i cili kishte marrë një kredi një bankën bujqësore të hapur nga italianët, dhe nuk kishte shlyer detyrimet e për këtë kishte një proces gjyqësor. Zjarrvënësi ndoqi për ta vrarë edhe përgjegjësin e degës së bankës bujqësore në Çorovodë, por nuk e kapi dot. Ky zjarrvënës është gjyshi i një biznismeni të sotëm skraparli, me banim në Tiranë që thotë lart e poshtë se i vetmi terrorizëm i kohës sonë është ai që bëjnë bankat dhe një ditë u duhet vënë zjarri bankave. Ky zotëri ka marrë dhjetëra milionë euro kredi në banka dhe sa i përket pagesës së tyre ndjek me besnikëri traditën e gjyshit.

Për herë të parë në historinë e saj, Çorovoda do të shihte për herë të parë ushtarë italianë vetëm në vitin 1991 kur ata erdhën me Operacionin “Pelikan”, që ishte një operacion humanitar, i furnizimit me ushqime të popullsisë së Shqipërisë përgjegjësinë për të cilën regjimi komunist i “çlirimtarëve” me yll të kuq në ballë të vitit 1944, ia dorëzoi Perëndimit në 1991 në gjendjen e një katastrofe humanitare.

Në kohën e regjimit të Enver Hoxhës është thënë edhe një tjetër gënjeshtër e madhe për Luftën e Çorovodës, sikur Çorovoda ishte qyteti i parë që u çlirua në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga pushtuesit fashistë. Në të vërtetë, çlirime të tilla prej disa ditësh apo orësh patën ndodhur shumë në Jugosllavi, apo në Bashkimin Sovjetik që në vitin 1941. Në 1941 partizanët e Titos e çliruan dhe e mbajtën për disa muaj qytetin e Uzhicës, shumë më të madh dhe më të rëndësishëm se Çorovoda (në Uzhicë kishte madje edhe një fabrikë armësh). Tashmë nuk ka mbetur veçse të na thonë se para se 11 shtatori të ishte një ditë e zezë për Amerikën ka qenë e tillë për Europën se në këtë ditë u ripushtua qyteti i parë Europian në Luftën e Dytë Botërore, Çorovoda!

Nesër megjithatë do të ketë festime madhështore në Çorovodë nga një turmë njerëzish me shami të kuqe. Do të mbahen fjalime dhe do të vendosen kurora nga politikanë te monumenti që përkujton luftën për “çlirimin” e qytetit. Vetëm një gjë nuk mund të bëjnë dot, të përmendin emrin e një dëshmori të vetëm partizan, të rënë në luftën për çlirimin e Çorovodës. Por festuesit nuk mërziten nga kjo gjë, se ashtu si “çlirimtarët” e vitit 1942 ata sillen sipas parimit: “S’ kam turp, s’ keni çfarë të më bëni”.