Nga Petraq Marjani, aktor dhe regjisor
E lexova librin me interesin intrigues që ngjall titulli. Sigurisht që për ne që kemi kaluar gjithë jetën në skenë dhe ekran një titull i tillë për vetë hapsirën e pafund që ka kjo fushë na bën pak skeptik. Gjithashtu për të dhënë një mendim të plotë për cdo pjesë të tij do të duheshin disa vetë të shkruanin për fushat e vecanta të trajtuara në libër. Por mendoj se këtë sprovë të madhë të vënë para vehtes autori e ka kaluar me sukses. Siç edhe shkruan në parathënien e librit autori ka preferuar, mendoj me shume zgjuarsi që disa nga pjesët e rëndësishme të një filmi si intepretimi, apo regjia të mos ti trajtojë. Kjo për shkak se autorë të tjerë i kanë trajtuar më parë, por mendoj se ato trajtohen edhe në shkollat tona të larta të artit qoftë në Akademinë e Arteve, por edhe në Shkollën e filmit “Marubi”.
Por për të dhënë një pasqyrë më të qartë të këtij libri do të doja të ndaloj, diku më pak e diku më shumë, në çdo kapitull. Përpara kësaj dua të ndalem pak në mënyrën e trajtimit që autori ka zgjedhur. Së pari, ashtu siç e thekson edhe vetë ai e ka trajtuar materialin në dy aspekte, atë artistik dhe teknik. Dua të theksoj se kinematografia sot i jep aq shumë rëndësi teknikës, saqë thuajse është bërë e pamundur të bësh një film të madh pa njohur mirë teknikën. Për të bërë një paralelizëm do të thosha: të heqësh teknikën nga një film është si të kthehesh në kohën e filmit pa zë.
Një gjë tjetër që dua të theksoj është se në intervistat që më parë ka dhënë autori, në media të krijohet një përshtypje e gabuar në lidhje më atë që trajton në të vërtetë libri. Të krijohet përshtypje se autori ka bërë një analizë të filmit shqiptar. Ndoshta kjo ka ndodhur për shkak se ai i është përgjigjur pyetjeve lidhur me kinematografinë shqiptare, por në libër nuk flitet për kinematografinë shqiptare.
E thënë thjeshte libri trajton disa nga elementet shumë të rëndësishem që përbëjnë një krijim kinematografik, duke mos u ndalur në historikun e zhvillimit por duke e parë në kohën e sotme. Rrallë autori kthehet e tregon dicka të kaluar kur ajo ka lidhje të rëndësishme me të tanishmen.
Po mundohem ti shoh me radhë ato që trajton libri “Bazat teknike dhe artistike të krijimit të filmit”.
Kapitulli i parë është “Skenari”
Autori ndalet në rëndësinë e skenarit në film, Proceset që kalohen për të shkruar skenarin, strukturen e skenarit, ndërtimin e karaktereve dhe dialogun.
Në fund të kapitullit ka referenca. Kjo është për cdo kapitull dhe mendoj se autori i ka shtuar shumë vleren e librit duke vendosur këto referenca sepse në liber shpjegohet në mënyrë koncize dhe ato gjëra që janë të domosdoshme, por për ata të cilët duan të zgjerojnë njohuritë, të thellohen e të studjojnë në lidhje me temën, mund ti gjejnë të zhvilluara tek referencat. (sigurisht që një pjesë e madhe e gjërave te domosdoshme nuk jane ne internet).
Kapitulli i dytë është “Kamera”
Si në të gjithe kapitujt edhe ky kapitull është i ndarë në dy pjesë, kamera funksionimi e përdorimi teknik për të dhënë imazhin e duhur dhe kemi nënkapitujt: Sensori i imazhit, Shkalla e niveleve të ndricimit, formati në regjistrim, Raporti gjerësi-lartësi, Kuadrot për sekondë, Shpejtësia e kuadrit, Ndjeshmëria, Diafragma, Kamerat 3D, Kamerat 360 gradë.
Më pas autori merret me anen artistike si: Planet, Këndet e marrjes së subjektit, Lëvizjen e kameras, Kompozimet e figurës në kuadër, Përdorimi i fotografisë në ndihmë të filmit, si dhe referencat.
Kapitulli i tretë është “Lentet”
Me nënkapituj : Karakteristikat e lenteve, Lentet Sferike, Lentet anamorfike. Dhe referencat.
Kapitulli i katërt është “Zëri”.
Me nënkapituj Mikrofonët, Mikrofonët dinamikë, Mikrofonët me kondensator, Rezistenca e brendëshme, Përgjigja per frekuencën, Balanca, Modeli Polar, Ndjeshmëria e mikrofonëve, Regjistruesit e zërit, Zëri në sallat e kinemasë dhe në montazh, Akustika në regjistrim.
Kapitulli i pestë: “Montazhi”
Me nënkapituj: Editori Adobe Premiere, Montimi i dy fragmenteve, Korrektimi e vlera e ngjyrave, Perdja jeshile, Futja e elementeve 2D dhe 3D dhe efekteve vizuale brenda skenës.
Kapitulli i gjashtë: “Ndricimi”.
Me nënkapituj: Ndricimi real dhe virtual, Mënyrat kryesore të ndricimit në film, Aksesorë në ndihmë të ndricimit, Nivelet e ndricimit, Temperatura e dritës, Llojet e ndricuesve.
Në fund:
Pak fjalë per dekorin sot.
Perdja jeshile, Dekori elektronik, Futja e imazheve 3D ne film, Kompozimi.
Një problem që del kur lexon librin, (kjo edhe në keshillim me disa profesionistë të disa fushave) është se në disa kapituj apo pjesë autori ndoshta harron se i drejtohet një lexuesi të një shkalle të caktuar profesionale dhe e veshtirëson gjuhën, gjë që i flet një specialisti, Pra ajo që duhet të them është që e zgjeron këndin se kujt i drejtohet. Sigurisht, libri nuk i drejtohet një lexuesi që nuk është i lidhur me filmin. Gjithashtu duket sikur autori i ka dhënë shumë rëndësi disa kapitujve dhe ndonje e ka kaluar duke dhënë më pak të dhëna, sic mund të përmend Dekorin, futjen e elementeve 3D. Gjatë një bisede telefonike me autorin me konfirmoi se po shkruante një libër të dytë në lidhje me disa pjesë që nuk janë trajtuar ne librin e parë apo që janë thënë shkurt. Uroj që kjo të plotësojë mangësitë që mund të ndjejnë specialistët e filmit.
Në fund dalin disa pyetje:
⁃ Sa i shërben specialistëve të filmit ky libër?
Sigurisht që ato që janë shkruar janë gjëra që njihen nga specialistet e fushave përkatëse në bote, (përveç ndërhyrjeve që bëhen e ku autori jep mendime që vijnë nga përvoja e tij). Por a njihen nga specialistët e këtyre fushave në Shqiperi?
Padyshim që janë të shkruara në literaturën e specializuar botërore apo jepen në shkolla të specializuara, por janë shumë të shperdara. E më e rëndësishmja nuk i kemi në shqip. Kjo, për mendimin tim është një tjetër vlerë e këtij libri që është i pari i këtij lloji në shqip. Në libër informacioni vjen i nderthurur në menyre logjike për ti shërbyer fushës së kinemasë. Aty nuk ka vetëm teori, por kjo ilustrohet me shembuj, foto e skica si dhe referenca për të zgjeruar njohuritë më tej se ato që janë dhënë në libër. Mendoj se autori ka paraqitur një material të nevojshëm të renditur mirë duke shmangur historinë, …
Ai është një libër me vlera që ka interes dhe vlen të lexohet jo vetëm nga prodhuesit e filmit por edhe nga dashamirësit e këtij zhanri për të mesuar disa nga sekretet gjatë procesit të realizimit të filmit.
Libri ka Informacione të gjera, analiza, këshilla, për cdo proces të punës të shoqëruar me skica e fotografi të cilat argumentojnë dhe qartësojnë atë që shpreh autori.
Libri ka jo vetëm vlera artistike, por edhe nga ana teknike të prezanton me aparaturat më moderne të kohës që përdoren sot nga studiot më të njohura në botë, të informon për truket më të pabesueshme që përdorin specialistet e filmit që cdo sekuencë e veprim të jetë me vërtetësi maksimale.
Kjo si rezultat i ekperiences vetiake të autorit por në radhë të parë nga studimi i gjerë e me pasion në këtë fushë, gjë që kuptohet edhe nga referencat e pasura të vendosura në fund të cdo kapitulli ku gjithsecili sipas interesit mund të përfitojë më shumë.