Vedat_Kokona
Vedat Kokona

Vedat Kokona (8 gusht 1913 – 14 tetor 1998) shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij të dyfishtë anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare .

Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir, të Turqisë, nga një familje intelektuale shqiptare. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore. Më 1935 përfundoi Liceun e Korçës, pastaj ndoqi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi. Që kur ishte nxënës, ra në sy prirja e tij për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhën frënge e përvetësoi mjaft mirë. Pas përfundimit të shkollës, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Më vonë, emërohet mësues i Gjuhës Shqipe në Liceun e Korçës. Aty, Kokona, u dallua si një mësues i zoti dhe intelektual neutral. Në fillim të viteve ’40 e emëruan në gjimnazin e Tiranës. Me pushtimin fashist, kur Kokona punonte si mësues, do t´i kërkohej që të spiunonte nxënësit dhe të merrej me punë, që nuk mund t´i pranonte karakteri i tij. Kështu, kjo ishte dhe arsyeja që dha dorëheqjen nga profesioni i mësuesit. Pas luftës shërbeu si mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. Më 1949 emërohet redaktor dhe përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frasheri”. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si mësimdhënës në katedrën e gjuhës frënge, gjersa doli në pension. Vedat Kokona mban tituj, urdhra dhe dekorata të shumta. Ai është doktor “Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës, “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, “Oficer i Palmave Akademike Franceze”.

Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge. Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Nga mendja dhe dora e tij dolën mjaft fjalorë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40-mijë fjalë. Ai është autori më i rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Qysh në moshë të re dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë.

Vdiq në Tiranë më 14 tetor 1998

Përkthime nga Vedat Kokona:

“Ana Karenina” e Leon Tolstoit,
“Fundërrinat” e Maksim Gorkit,
“Saga e Forsajtëve” e Xhon Gollsuarthit,
“David Koperfild” të Dikensit,
“Udha e Volokolamskut” e Aleksandër Bekut,
“Stuhi në Gang” e Rabindranat Tagores etj.

Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Me urdhër të nomenklaturave partiake përktheu shumë raporte të kongreseve të partisë, rinisë, të Bashkimeve Profesionale e të gruas që nga Kongresi i Parë e deri tek i shtati. Gjithashtu, ka botuar 30-40 vëllime të përkthyera me urdhër nga lart, nga nomenklatura komuniste.

 

Vepra

Thërrime me mjaltë – 2004