Tish Daija, Artist i Popullit, Kompozitor, Pedagog.

Ka lindur më 30 janar 1926 në Shkodër. Që i vogël duke qëndruar pranë të atit dhe xhaxhait që ishin orkestrantë të njohur në Shoqërinë “Rozafat”, u duk pasioni dhe përvetësoi që fëmijë elementet fillestare të muzikës. Kur ishte 10 vjeç u bë pjesmarrës në bandën muzikore “Antoniane” që drejtohej nga muzikanti i njohur Prenk Jakova (më vonë Artist i Popullit). Në vitet 40 kompozoi këngë të cilat u vlerësuan ndër më të mirat e kohës. Pas vitit 1944 kreu shkollën e mesme në Shkodër dhe u caktua me punë në Vlorë ku, veç muzikës u muar edhe me sport duke u përfshirë në formacionin bazë të “Flamurtarit”. Në vitin 1951 shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik në Konservatorin e famshëm P.I. Cajkovski të Moskës. Gjatë periudhës studentore për arësye të krijimtarisë muzikore u radhit në emrat e studentëve të shquar të Konservatorit. Pas kthimit në atdhe u bë një nga muzikantët më të njohur shqiptarë.

tish_daia
Tish Daija Artist i Popullit

Për rreth 20 vjet ishte Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili në këto 20 vjet u bë shumë i njohur kudo në Europe.
Krijimtaria e Tish Daisë është shumë e gjerë dhe e larmishme.
Fillon me kompozimet e para që i përkasin muzikës së lehtë, pra  këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, etj. Kush nuk e mban mend këngën që këndohet edhe sot “Flakë e borë”.
Tish Daija është autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, opera “Vjosa”, operetat “Vjeshtë e artë” dhe “Lulet e Çajupit”, muzikën e filmit të parë shqiptar me metrazh të shkurter “Fëmijët e saj” etj.
Së bashku me Çesk Zadejën dhe Tonin Harapin, Tish Daija është themelues i Katedrës së Kompozicionit në Akademinë e Arteve të Bukura, ku ka dhënë kontributin e tij të vyer si pedagog.
Daija ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej vitit 1999, si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej viti 2000, si dhe mban titullin e lartë Artist i Popullit.
Tish Daija ka vdekur më 3 tetor në moshën 78 vjeçare në vitin 2004.
Gazetari dhe publicisti Marash Hajati ka shkruar për të librin “Tish Daija, i veçanti” në vitin 2005.