Nga Pjerin Logoreci
Tefta Tashko Koço (lindur Tefta Tashko ne Faiyum, Egjipt me 2 Nëntor 1910. Ajo ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili kishte emigruar familjarisht në Egjipt. Pas vdekjes se Thanasit më 1915, familja e tij u kthye në Korçë në vitin 1921.
Në Korçë nisi rruga e Teftës si këngëtare dhe data 26 Qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në Shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, ne Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit.
Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 Nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert,Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.
Tefta së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja mori pjese në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali, Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja).
Tefta Tashko u martua me Kristaq Koçon dhe patën një djalë, dirigjenitin Eno Koço, Arstist i Merituar.
Në vitin 1945, Tefta këndoi në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37 vjeçare në Tiranë më 30 Dhjetor 1947. Tefta Tashko mban Titullin Artiste e Popullit.
Materiale që kanë mbetur në Arkiva:
Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë shtëpisë diskografike “Columbia”-Itali, 1942:
“Un’o ty moj të kam dashur”;
“Kjo dashtnija kjoft mallkue”;
“Kenke nur’ i bukurisë”;
“Për një ditë, kur del goca në pazar”;
“Këndon Kumrija”;
“Metelikun ta kam falë”;
“Ma ven dorën përmbi dorë”;
“Dallandyshe vaj, vaj”;
“Qante lulja lulen”;
“Moj fëllanxë”;
“Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”;
“Dy gisht përmni vetull”;
“Moj hyrije, bukurie”;
“Shamija e beqarit”;
“Iku nata”;
“Del një vashë prej hamamit”;
“Zare trëndafile”;
“Të dua, moj goc, e vogël”;
“As aman, moj lule”;
“Kroi i fshatit tonë”;
“O moj sylarushe”;
“Dolla në penxhere”;
“Bilbil çapkëni”;
“As u gremis moj lejthate”;
“Dashtnuer tu bana”;
“Ani, moj Hatixhe”;
“Seç këndon bilbili malite”;
“Shkapërceva dy-tri male”;
“Edhe ky bilbili çka qënke një zog”;
“Kam shtëpinë e vogël”;
“I kam hypë vaporit”;
“Fry, moj er’ e malit”;
“O na atë fushë t’mejdanit”;
“Edhe gurët e sokakut”.
Tefta Tashko Koço – Ma ven dorën përmbi dore