Për dy net rresht, më 13 dhe 14 maj, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, do të vijë një prej artistëve më virtuozë Tedi Papavrami. Violinisti i njohur, Tedi Papavrami, do të interpretojë për herë të parë në Shqipëri ciklin e plotë të sonatave dhe partiturave të Johan Sebastian Bah.

Tedi Papavrami lindi në Tiranë, më 13 maj 1971. Filloi studimin e violinës që në moshën katërvjeçare me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ndikoi thellë mbi të ardhmen e tij artistike. Në moshën tetëvjeçare interpreton Cingareskën e Sarasates me Orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tri vite më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganinit. Në shtator të vitit 1982, vazhdon studimet në Paris në Conservatoire National Superieur de Musique, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985, fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia dhe më 1986 fiton Çmimin e Parë të Konservatorit të Parisit. Në vitin 1992 vlerësohet me Çmimin “George Enescu” dhe në vitin 1993 fiton Çmimin e Parë dhe Çmimin Special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate” në Pamplona. Tedi ka luajtur në Europë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, Hong Kong, etj.

Pas vitit 2000 dhe vdekjes së Jusuf Vrionit, ka përkthyer në frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë.

Ndërkohë këto ditë del në shqip edhe libri i tij, “Fugë për violinë”, ku ka shkruar kujtimet e tij për vitet në Shqipëri.

‪Tedi Papavrami – duke luajtur:  Paganini Capric N° 24‬