K.Traboini_maj_2013
Kolec Traboini

 

Poeti Kolec Traboini është nga ata krijues që shpreh shpirtin fenomenologjik me të gjithë qartësinë e mendimit filozofik e artistik dhe me dhuntinë e njerëzores. Është autor i 20 librave me poezi, prozë, esé, ku përfshihen 12 vëllime me poezi, nga të cilat tre antologji poetike me bashkautorë, të mirëpritura dhe të vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësve të poezisë dhe letërsisë. Poeti Kolec Traboini është një ndër lirikët më të zjarrtë të letrave shqipe. Kjo dallohet e ndjehet te vëllimet e tij poetike “Itaka Grua” dhe “Lule Pellazgjike”. Gjithashtu pena poetike e Traboinit dallohet për tonin qytetar e intelektual, është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, kujtojmë poemën “Koha e prostitutave” krejt e veçantë në poezinë bashkkohore e me një forcë të madhe në idetë e mjetet shprehëse e emocionale. Në këtë intervistë poeti i vargjeve lirike shqiptare Kolec Traboini na rrëfen udhëtimin e tij interesant në botën e artit, veçmas asaj të letërsisë, ku sikundër edhe shprehet: “Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë”. Poeti në këtë intervistë bën një apel të dhimbshëm njerëzor, për vlerësimin e poetit Frederik Rreshpja, duke e konsideruar si një nga lirikët më të mëdhenj të gjysëmshekullit të kaluar.

 

Gjithçka në art konsiston në dashurinë për njeriun

Intervistë me poetin Kolec Traboini

– Nëse do të duhej të prezantoje veten para lexuesve si do ta bënit këtë. Do t’ju pëlqenit të quheshit poeti, shkrimtari, kineasti apo gazetari Traboini?

K.Traboini: Njeriu i tunduar nga arti provon veten në të gjitha fushat, por kjo nuk do të thotë se mund të stamposet me një mori epitetesh siç ndodh rëndom. Krijuesi është dalëzots i shpirtit të vet, është njeriu në kërkim të përhershëm të mënyrave dhe formave të shprehjes, në këtë sens nuk mund ta vendosësh as vetëm në një kuadër se do të ndjehej ngushtë. Mes këtyre arteve ku e shpreh veten, autori ka diçka që e dallon dhe ajo është fryma e tij. Poetët në çdo gjini të shkruajnë, në çdo formë arti të shprehen, do të ndjehen si të tillë, sepse në të gjitha do të interferojë ndjesia e thellë e fryma poetike, sinqeriteti deri në brishtësi. Mendoj se e bëra përzgjedhjen…

– Atëherë le të fillojmë me frymën poetike, çfarë është me pak fjalë qëllimi dhe esenca e jetës së një poeti?

K.Traboini: Kur nis e shkruan ai që duhet ta meritojë të quhet poet, ka bërë një marrëveshje me vetveten e kjo është shfaqja e gjithçkaje që përjeton në shpirt para atyre që e lexojnë.
Mosrespektimi i kësaj marrëveshje, pra nëse ai që shkru an kërkon të bëjë të mençurin, të diturin, të zgjedhurin dhe i fsheh trazimet brenda vetes, tregon se është bërë zgjedhje e gabuar. Ky është ndryshimi mes poetit dhe atyre që shkruajnë thjesht se ua kanë mësuar alfabetin.
Poetikën mund ta mësosh në shkolla, por shpirti nuk i përfill zanatçinjtë. Ai është si nëna që e krijon fëmijën në shtatzani pa e prekur një herë me dorë. Nëse do të insistojmë një përqasje me mjeshtëritë do të isha i detyruar të bëja këtë përzgjedhje: arti poetik është si një kudhër kur rrihet gjithnjë hekur i skuqur.

– Çfarë mendime keni për poezinë; a mund ta perifrazoni atë; cili është raporti i autorëve me poezinë; dhe sa në poezi shprehet vetvetja?

K.Traboini: Poezia, lirika e shpirtit është si qielli ku fluturojnë të gjithë zogjtë, ngjashëm qielli i poezisë është hapësira ku fluturojnë të gjithë dëshirat sado mistike të jenë. Më së shumti është i kaltër …eh, po dhe nxin ngandonjëherë, dhe atëherë, mjerë zogjtë e dashuruar mbetur pa strehëz.
Për mua ka rëndësi që të shpreh çfarë kam me shpirt me çdo kusht e në çdo rrethanë. Anipse edhe vetë përpiqem të shpjegohem, të gjitha teorizimet mbi poezinë më duken veç retorikë. Askush deri tani nuk i ka dhënë një definicion të saktë. Ka edhe groteske të tilla kur ata që sapo kanë shkruar një tufëz vargje naive e kanë botuar një librushkë nisin e flasin për mjeshtrinë e poezisë dhe i flasin seriozisht në televizionet kombëtare. Mjerim i madh është kur media kultivon injorancën.
Nëse hedhim vështrimin jashtë, vëmë re se poezia amerikane është shumë e thellë në mendime, por jo dhe aq në ndjesi. Përpiqem t’i njoh, madje edhe i përkthej herë pas here për t’i kuptuar më mirë. Më i fuqishmi i të gjithëve në poezinë moderne ishte ai që quhej poeti i ndyrë i rrugës me emrin Bukowski dhe unë e pëlqej aq shumë, sepse as nuk do t’ia dijë çfarë thonë për të, i thotë gjithë botës intelektuale akademike : “Shko tej!”. Të tjerët janë ndryshe. Ai është më shumë europian, sepse është pinjoll i një babai gjermani përzier me grua polake. Unë i kam jetuar të dyja edhe Amerikën edhe Europën dhe them se arrij të dalloj ndryshimet mes tyre. Poezia amerikane është temperamenti amerikan, të vetmin revolucion të vërtetë në poezi e kanë bërë brezi e Beat Generation. Të tjerët, përjashto Bukowskin, që e thamë më lart, janë më të qetë. Poezia amerikane është jeta amerikane. Madje Xhim Morrison ka më shumë temperament se shumë poetë të atij vendi të madh që natyrisht lind gjigandë në proporcionet e veta. E kjo më bën të mos çuditem që kur u shfaq Khalil Gibran me poezinë e tij mistike arabe, e pritën si një perëndi në qiellin e poezisë e prozës filozofike amerikane e cila i pranon prurjet e artit nga gjithë bota dhe shpesh bëhet frymëzuese e saj.

– Kur shkruan poeti a është në idenë se veprën e vet po e lë në një kohë pas kohës së tij, të djeshmen e përcjell në të nesërmen si testamenti i tij shpirtëror për botën?

K.Traboini: Fort e vështirë të gjykohet prej këtuhi për çka do të jetë e ardhmja e asaj që shkruhet sot. E këtë që nuk kanë arritur ta dinë edhe mendjet më të shquara të botës ku po e dimë ne… Porosia e Kafkës ka qënë të digjet vepra e vet. Kjo tregon shumçka. Profanizmat janë të huaja për letërsinë. E në fund një gjë duhet kuptuar. Kur flas për autorë, nuk kam parasysh mish e gjak e kocka e vese, por diç tjetër që mishërohet brenda veprës së tij. Por më shumë se tek e ardhmja poeti është tek e shkuara. Mendoj se kohët tek poeti nuk vdesin, veçse shtresëzohen në memorien e tij e në vargjet që ndonjëherë ngrenë krye me nostalgjinë e kurrmoskthimit. Sa më e largët të jetë koha, aq më i prekshëm bëhet shpirti njerëzor që e kujton atë. Poeti këtë nostalgji e ka të fuqishme ndaj më së shumti arti i tij nuk është kurrgjë tjetër veç kthim me fytyrë nga fëmijëria.

– Vetë poeti a mishërohet si një dramë kundërshtie me realitetin ku shpesh gjen mospërputhje, shprehja revoltës për qerthullin ku jeton me botën e deziluzionit, poeti a është një ndeshje mes mundësisë e pamundësisë që kurrë nuk ka mundur të përfundojë?

K.Traboini: Eshtë e vërtetë që njeriu ka në thelb tragjizmin sepse lind pa e kuptuar se si e pse dhe vdes me dhembje – e këtë destinë të shuarjes me dhembje e mbart në vetvete tërë jetën. Por në segmentet e jetës ka edhe hapësira të trëndafilta. Ka çaste kur njeriu nuk mendon as lindjen e as vdekjen, veç çastin që jeton dhe në ato çaste i duket vetja i përjetshëm. Për ta krijuar këtë efekt qoftë dhe artificialisht shumë a pak përdorin elementë nxitës e delirues. Të vetmit janë poetët që nuk kanë nevojë për këto lloj stimulantësh, sepse ata dehen edhe pa pirë. Po t’i referohemi Platonit, dishepullit të Sokratit, “poezia është e folura përçart e perëndive”. Mesa duket edhe Platoni jetonte me të tilla ndjesi marramendëse që të jep magjia e krijimit. Apo flas tani edhe unë përçart?! Një zot e di… Por gjithsesi për poetët ka një dënim tjetër që e përjetojnë tërë jetën. Flas për të vërtetët. Ata jetojnë në fund të detit, kanë fatin e perlave zhytur në mes të algave e myshqeve të mediokritetit. Por gjithnjë vjen një kohë që dalin në dritë të diellit, të paktë në të gjallë të tyre. Të shumtët as nuk arrijnë të shohin rreze dielli. Pas vdekjes dalin njerëz pasionantë perlash, që i nxjerrin nga thellësia e detit, i vënë në qiell dhe i quajnë yj. Kavafis a nuk ishte në këtë fat? Ai nuk arriti ta jetojë madhështinë e vet. Bodleri më shumë i shkoi jeta nëpër gjyqe dhe pas vdekjes pushtoi botën. Kafka ishte një njeri me një jetë të mbyllur mizantropi, pa sukses, pa lavdi, pa dashuri, pa asgjë që ta ngrohte në shpirt e mbasi vdiq miqtë e artit dhe kritika letrare e ngriti në atë qiell ku është edhe sot e kësaj dite. Cesar Vallejo Abraham Mendoza ishte poet peruan që botoi vetëm tre libra me poezi gjatë jetës së tij, përkundër kësaj ai është konsideruar si një nga novatorët më të mëdhenj poetikë të shekullit të 20-të dhe për të gjitha gjuhët. Thomas Merton e ka quajtur atë “poeti më i madh universal si Dante.” Gjithçka mbi të pas vdekjes. Edhe Migjeni ynë tragjik po ashtu. Homeri do të thoshte se fatet e poetëve i lozin perenditë, ta zëmë si me Odiseun, nga lufta në fitore dinake, në stërmundime ku humbi gjithë shokët dhe u kthye në Itakë me kërrabën e bariut dhe pas kësaj u harrua, sepse pas kalimit të mundimeve që përbëjnë tharmin e artit çdo gjë në lidhje me Odiseun nuk ka më vlerë. Imagjinata mbi të është murrëtyer. Kurrfarë vlere të mëtejshme nuk do të kishte arti mbi të, ndaj dhe pasi e kthen Odiseun në Itakë, Homeri e braktis edhe më tej e lë në harrim. Poeti i madh e di ku fillon e ku mbaron misioni i tij në një vepër.

– Ju keni shqipëruar mjaft poetë të huaj në një libër që keni në dorëshkrim “Nga Safo tek Bukowski”. A ruani mendimin se shqipërimet veçmas poetike mund të rishqipërohen nga autorë të ndryshëm për shkak se shpesh këto shqipërime janë shumë larg poezive në origjinal?

K.Traboini: Ruaj mendimi që edhe shqipërimet mbajnë vulën e kohës, të nivelit të shqipëruesit e disa faktorëve të tjerë që me kalimin e dekadave anashkalohen. Por dua të them diçka për shqipërimet poetike temë të cilën e kam trajtue edhe në një bisedë televizive. Gjatë viteve të rinisë kur rrëmbenim e lexonim çdo gjë, padyshim edhe poezitë e shqipëruara i kishim në preferencë. Por ashtu siç jemi mrekulluar nga ca shqipërues, ashtu dhe jemi zhgënjyer nga të tjerë, sepse kemi lexuar poezi të autorëve të mëdhenj dhe thonim: “si qenka i madh ky poet me këtë lloj poezie, të varfër në shprehje, me shumë celebrale se emocionale”. Ma do mendja se kanë qenë përkthyer nga njerëz që e kishin poezinë larg vetes. Dhe vazhdoj të mendoj se poezinë mund ta shqipërojnë bukur ata që shkruajnë vetë poezi.

– Si i vlerëson raportet e qeveritarëve shqiptarë me poetët dhe artistët në përgjithësi?

K.Traboini: Nëse e keni fjalën për afinitetet e qeveritarëve mediokër këngëtarë “thesi”, ato vërtet janë një mrekulli dhe shtetarët shpenzojnë para pa hesap ndërkohë që për poezinë nuk japin asnjë cent. Por, edhe paradokset vazhdojnë të pafundme në atdheun tonë ku poetët ndjehen jetimë, ka raste kur ndonjë njeri që nuk ka qenë e as nuk mund të bëhet kurrë shkrimtar, të lartësohet e miklohet deri në qiell nga qeveritarët për një libër politik që është thjeshte një mballosje, si një thes me 700 arna që mban brenda eshtnat e një të vdekuni, e kështu autori po na ngjet jo pak me plakën Nicë që në mënyrën më të llahtarshme ia përplas tufën e kockave të kolonelit Z, priftit dhe gjeneralit.

– Pas dy dekadave a ka mundur të shpëtojnë letërsia nga hierarkia e e konsoliduar e një sistemi të ngurtë dhe a vazhdon letërsia të mbetet viktimë e mentalitetit të real-socit?

K.Traboini: Mjerisht ne ende dhe sot e kësaj dite nuk po shpëtojmë dot nga skematizmi i mendimit mbi letërsinë e aq më tepër poezinë. Ca njerëz dinë të shkruajnë, por nuk dinë çfarë thonë, ca tru të ngelur brenda skemave të shabllonizmit të para dy dekadave. Kur duam të shpëtojmë prej kësisoj klasifikimesh a klishesh me idhuj e mite, biem prapë në të njëjtën skemë kur përmendim dy emra X apo Y, duke u nisur nga preferenca vetiake apo shtetare. Dhe kështu mbetemi aty ku ishim dhe harrojmë se poezia është një pyll me drurë të mëdhenj e të vegjël dhe bukuria nuk matet kurrsesi me dimensionet e trungut. Zot na shpëto prej mendimeve të kalcifikuara e sindromave të real-socit që krijonte idhuj e duke mos patur kurrfarë mëshire a bonsensi nuk përtojnë ta na i imponojnë në kokë përdhunshëm.

– A mund të na thuash një poet që vjen e kalon modestish e lë pas një vepër poetike të admirushme larg të gjitha skemave dhe hierarkisë së sajuar që më shumë shfaqet si piramidë tiranie për poetët?

K.Traboini: Do të përmend disa emra poetësh që i kam njohur personalisht dhe e admiroj krijimtarinë e tyre si një thesar kombëtar i artit shqiptar.
Frederik Reshpja që e konsideroj lirikun më të madh të gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, e kam njohur, kemi punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kemi qënë një grup letrarësh të rinj asokohe në Shkodër që e mbanim si idhullin tonë letrar. Eshtë një mjeshtër i madh, një shpirt i kulluar, një dlirësi e pashoqe në poezi dhe tipik – i burgosur nga diktatura dhe i anashkaluar nga demokracia që edhe poetët përpiqet t’i inkuadrojë në klane politike. Frederik Reshpja i përbuzi të gjithë ata shtetarë e nënpunësa rrangallë që e lanë në gjendje të mjerushme në fundin e jetës. Por ai ishte e mbeti një zog shiu, një yll në qiellin e poetikës, një diamant i lirikës shqipe anipse edhe sot e kësaj dite bëjnë sikur nukka ekzistuar kurrë. Ka një rrugë në Tiranë për një poet që ka qënë deputet e militant partiak, edhe një shkollë në Shkodër po ashtu. Mirë kanë bërë që i kanë vënë, por nuk ka as rrugë e as shkollë me emrin e Frederik Rreshpës që i përbuzi pushtetet të cilët janë bërë strehëz batakçinjsh, spekulatorësh dhe njerëzish pa asnjë meritë, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për këtë vend e për këtë popull. Kështu mund të them edhe për poetin tjetër të shquar shkodran Zef Zorba.
Ndoc Gjetja, të cilit i kam bërë një cikël fotografish në Athinë 1993, ato foto që botohen në të gjitha gazetat dhe unë e kam quajtur edhe në ese “Poeti me fytyrë Krishti”. Nëse e jetërsojmë shembëllesën e mirësisë së Krishtit tek një njeri krijues, ai ishte poeti Ndoc Gjetja.
Madu gjithashtu, Jamarbër Marko, të cilin e njoha në fakultet si bashkstudent në gazetari, por edhe në Kinostudio kur e sollën të punonte punëtor në mirëmbajtje pas dënimit. Ishte një poet i çliruar prej të gjitha skemave që ia zënë frymën poezisë. Ky mund të mos jetë një prej korifenjve që disa trumbetojnë me të madhe, por ama është poet i vërtetë…çfarë duhet të jetë ambicja e çdo poeti. Kush lufton të jetë i parë e kthen qëllimin e jetës në luftë karrigesh, por vendin e vet si poet e ka humbur.

– Çfarë mendimi keni për kritikën letrare bashkohëse; a ndjehet dhe sa ndihmon ajo në evidentimin e vlerave letrare?

K.Traboini: Ju keni të drejtë që pyesni dhe pyetja juaj mbart një shqetësim, por unë do ta formuloja pyetjen më të drejtpërdrejtë. A ekziston kjo kritikë? Në një bisedë që kam bërë me të ndjerin pedagogun tim, Adriatik Kallulli, kohë para se të ndërronte jetë, për të cilin mund të them ishte i vetmi kritik pasionant e serioz i letërsisë shqipe, kemi diskutuar edhe problemin e mungesës së seriozitetit në kritikën letrare e cila sot shfaqet si mosekzistente, apo që e shet lëkurën fort lirë. Dhe ky është një shkak që më bën fort skeptik në vlerësimet apo kritikat që aty-këtu shfaqen më së shumti për hir të interesave materiale. Sot recensionet lavdëruese të vetquajturve kritikë po bëhen me para e kësaj të shkretë paraje po i përkulen edhe shumë nga ata që pretendojnë të kenë tituj shkencorë. Këto janë precedentë të rrezikshëm anipse ndokush ka mendimin se nga mediokriteti nuk i vjen e keqja letërsisë. Kjo ka një të vërtetë, por ama po vëmë re një fenomen tjetër, mediokrit nuk mjaftonë të jenë prezentë me veprat, por kanë nisur të bëhen agresivë, po kërkojnë të dalin në krye të punëve, të vetshpallen me tituj të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilat i kanë blerë nëpër ca instutucione fantazmë e spekulative deri në Amerikë (se edhe bota i ka këto fenomene). Organizojmë madje edhe manifestime masive mediokriteti që ndonjëherë rrokin edhe pëlqimin institucional të shtetit duke e kthyer krijimtarinë poetike në një kaos të vërtetë. Mendoj se autorët seriozë nuk duhet të bien në këtë praktikë që tashmë është në modë, ata nuk kanë nevojë për paterica kritikësh pa personalitet. Nëse me kritikë mendohen këto lloj recensionuesish-lavdemëdhenj me pagesë, atëherë me të drejtë e plot gojë do të themi se kritika letrare nuk ekziston.

– Ke lindur në Shkodër të cilës i ke thurur shumë poezi plot dashuri e nostalgji, po Shkodra a të pret ngrohtë a ke zhvilluar ndonjë veprimtari poetike apo filmike në këtë qytet ku arti shqiptar mund ta konsiderojë djepin e vet?

K.Traboini: Do të kisha dashtë të mos më bëhej kjo pyetje. T’u bëhej atyre që drejtojnë veprimtaritë artistike në Shkodër prej të cilës veprimtaria ime letrare dhe kinematografike nuk ka sesi të ndahet. Ju kujtoj filmat e mi të hershëm “Kol Idromeno” dhe “Marin Barleti” të çmuar për vlera në rang kombëtar. Por edhe kohët e fundit kam krijuar film montazhet “Martirët”, “Martin Gjoka”. Esetë e mia për Shkodrën janë pjesa më e mirë e publicistikës sime nëpër vite. Ndërsa poetikisht Shkodra ka qenë e mbetet burimi i frymëzimit tim. Nga dy vëllimet me poezi botuar në 2012, një kapitull i gjerë me titullin “Ode për Shkodrën” i kushtohet marrdhënieve të mia shpirtërore me qytetin tim të fëmijërisë. Madje hyrja në vëllimin “U dashka të dal natën vonë” titullohet “Poetika e fëmijërisë” në rrugën Badra.
Më vjen keq të them se nuk jam ftuar në asnjë lloj veprimtarie letrare dhe artistike. Eshtë zgjedhja e tyre, por unë kam qenë e mbetem një krijues shkodran. Këtë lloj trazimi shpirtëror që ma sjellë ky indiferentizëm më ka nxitur të shkruaj një ese “Pellazg i mbetur pa atdhe” të cilin e kam botuar në hyrje të vëllimit me lirika “Lule pellazgjike”. Nëse drejtuesit e kulturës në një qytet të tillë me emër të madh nuk marrin mundimin as të lexojnë çfarë shkruhet për qytetin e tyre kjo është pjesë e përgjegjësive të veta, por kjo nuk më çudit kur shoh se varrin e Kol Idromenos në Rrmaj, që duhej të ishte vend pelegrinazhesh për artistët shqiptarë të mbarë botës e kanë lënë në mënyrën më të mjeruar. Kur me kolosin shqiptar të artit sillen kështu, ç’presin të tjerët?!

– Ju si krijes i ardhur nga djepi letrar i gegnisë, çfarë mendoni për një kondradiktë që po vjen gjithnjë e më shumë në evidencë, raporti mes Gjuhës Standarte dhe asaj Gegnishte?

K.Traboini: Natyrisht edhe sikur të mos dua, kësaj pyetjeje nuk mund t’i shmangem. Për çdo shkodran është një plagë anashkalimi, o më mirë shkelmimi i gegnishtes, çfarë më vjen ndërmend se me këtë po duen të shkelmojnë edhe artin që ka lind në këtë djep të gegnisë. Ka një shprehje të njohur “Uthulla e fortë then enën e vet”.
Kapë pas ksaj rrfane, na duket se kjo përkon aq bukur me gjuhëtarët e Tiranës që idhnohen nga se nuk po duen me e afrue të bukurën, gegnishten tonë as në fjalor e as në sintaksë e i gëzohen veç një Drejtshkrimi të cunguem e Fjalori mjeran, që më shumë e turpëron se e nderon Gjuhën Shqipe, sepse në leksik ka 35 mijë fjalë që po të pjestohen me 6 (sepse 6 fjalë janë veç me termin parazit – kooperativë, që nuk e përdor ma kurrkush prej alergjisë kooperativiste), atëherë përfundimi krejt mjerueshëm na del se jemi në kufinjtë e 6-10 mijë fjalëve në rrënjë shqipe. Që pra mbrothësia e përparimi ynë për t`u qarë me lotë: gjuha ma e vjetër me rranjë e degë tek pellazgët, në ilirishte e mandej, po na shfaqet si ma e varfra gjuhë në Europë, e kjo falë gjuhëtarëve të epokës pa lavdi. Në aspektin tjetër ka shumë dëshira me u largue ma shumë se me u afrue. Meqenëse unë jam në rrah të ernave se shkruaj edhe standart, por edhe në gegnishte në ca poetika të veçanta, ndjehem vërtet keq. Në këtë rast nuk më pëlqejnë ekstremet, më pëlqen bashkimi e bashkësia gjuhësore, afrimi e jo largimi. Më pëlqen Kristoforidhi me Mark Shalgjatin e tij, “Prite, o Gjin!”… E nëse e hap këtë temë përsëmbari jam gati me shfry tan dufin tem edhe kundër njënës e tjetrës palë….Tue e tërhjek litarin dy palët e duke mos lëshuar asnji përçik, gjasat janë litari të kputet. E kujt i vlen kjo?
Kurrkujt. Sot nuk ka ma asnjë shkak që të ngulmojmë me frymën e imponimit të dhunshëm edhe në fushë të gjuhës, e cila kurrsesi nuk guxon të bahet fushbetejë klanesh, krahinash, partish apo ideologjish shterpë, aq ma tepër fushë përçarjesh jug-veri.

– Tek ju si autor shfaqen dukuri të tilla, në një aspekt jeni demaskues i rreptë i gjendjes sociale, ndoshta ndër zërat më të rreptë në poezinë e sotme duke ecur në gjurmët e migjeniane si tek “Koha e prostitutave” ndërkohë jeni ndër lirikët më të zjarrtë, kujtoj vëllimet “Itaka grua” dhe “Lule pellazgjike”. A i konsideroni këto kundërshti të pazakonta në gjendjen emocionale të një poeti? Dhe cili mendoni se do të jetë vendi Traboinit në letërsinë shqipe?

K.Traboini: Nëse poeti do të kishte në gjoks një copë shkëmb e jo një det, do të ishte e panatyrshme sepse çdo tronditje e madhe do ta thyente atë. Por poeti është si deti. Përjeton stuhi të mëdha dhe gjithçka nga thellësia i nxjerr në breg. A e keni vënë re ç’ndodh me detin të nesërmen e ditës me dallgë të mëdha. Vjen qetësia. Vjen një ditë e bukur. Deti në horizont kalon nga a kaltra në blu në një vijë të drejtë. Ai të bën magji e ti dashurohesh me të.
Mbaj mend nga fëmijëria se për shitësin ku merrnim ushqime me listë, thonin ai sot është me mot të keq dhe nga ky shkak atë ditë do të përjetonim urinë. Apo ai sot është me mot të mirë dhe ishim të sigurtë se do ta ngopnim barkun mirë. Kohë fëmijërie e varfër që do të më çonte më pas në shtëpinë e fëmijëve jetimë në Shkodër. Konceptet poetike mendoj se qëndronin në vizionin e njerëzve që më rrethonin në fëmijërinë time dhe kjo në një mënyrë a një tjetër më ka injektuar në natyrën time ndryshueshmërinë e motit.
Gjithçka qëndron tek pasioni, dashuria e zjarrtë për të vërtetën, për njeriun, për natyrën, dhe urrejtja po aq përvëluese për çdo gjë që e pengon apo dëmton të bukurën, që shkatërron jetët njerëzore. Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë.
…Vendi im është në poezinë time, në librat e mi. Aty e ndjej veten mirë. Të tjerat janë vetëm ambicje gjallnorësh që vjen një ditë e shuhen bashkë me njeriun.
Poetët që nuk janë më në jetë nuk grinden për hierarkitë letrare. Nuk kanë më luftë bërrylash, as çmime të marra me tarafe. Përtej daljes së arkeotipit nga skena, poetin e përfaqëson poezia e tij. Mirë keq, çdo gjë është kryer.
Gjithçka ka kohën e vet; lindja, adoleshenca, marrëzitë e rinisë dhe dashuria çmendurake me artin, endacakëria nëpër botë, sistemimi i shpirtit në vargje e libra si testament dhe… këmbana që bie për të mbyllur kapitullin.
Për një gjë duhet të mbetet i qetë e i kthjelltë çdo krijues, koha për vlerat e stisura është e pamëshirshme.

Intervistën e realizoi
Rajmonda Moisiu
Connecticut USA