Nga Kopi Kyçyku /
Do të desha të them qysh në fillim se, gjatë shekujve, shqiptarët kanë gjetur në Rumani dhe në Bullgari një strehë të ngrohtë e të sigurtë. Madje janë cilësuar „kushërinj të një gjaku”[1]. Edhe shqiptarët i kanë parë me të njëjtin sy rumunët dhe bullgarët. Kështu, për shembull, koincidenca ogurmirë bën që fjala vllah(u) në gjuhën tonë të na kujtojë fjalën vlla(u). Në vijim të kësaj ideje, vërejmë se shqiptarët në Rumani dhe (a)rumunët në Shqipëri e kanë ndjerë veten gjithmonë si në shtëpi të vet.
Meqë objekti i kësaj kumtese ka „statusin” zyrtar e sidomos shpirtëror të bashkëkombësve tanë në Rumani dhe në Bullgari, theksi do të vihet pikërisht në këtë aspekt. Duhet nënvizuar fakti që tolerancën dhe zemërgjerësinë proverbiale ndaj të gjitha pakicave, – etnike, kulturore, gjuhësore, – pasardhësit e dakëve dhe të protobullgarëve i kanë shfaqur gjatë gjithë kohërave, pa asnjë përjashtim a kufizim.
Prania e dokumentuar e shqiptarëve në Trevat Rumune nis në messhekullin XVI, kur i shohim si barinj, ushtarë, roja[2] të armatosur të sundimtarëve, tregtarë dhe, më pas, si emigrantë politikë.
Në pellgun armbajtës të Maleve Perëndimorë (Munţii Apuseni) janë gjetur mbishkrime tejet të hershëm me emërtimet e vendbanimeve të paraardhësve të shqiptarëve, pra të kolonëve ilirë, të cilët zunë vend në qëndrën minerare Alburnus Maior, në vicus dhe castelle: vicus Pirustarum, castellum Baridustarum[3], sipas sistemit të organizimit dalmat, rreth shekullit II pas Krishtit.
Në epokën feudale lufta kundër sundimit otoman përmban veprime paralele apo të përbashkëta të të dy popujve tanë. Në fushatat e veta antiosmane Janosh Huniadi (Janku i Hunedoarës) bashkëpunoi ushtarakisht me popullin shqiptar, i cili, nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, vazhdonte t’u jepte goditje të rënda pushtuesve otomanë[4]. Është i njohur, gjithashtu, aksioni mbrojtës paralel antiosman që ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit XV, nga njëra anë kreu i rumunëve, Stefani i Madh (1457-1504) e nga ana tjetër Skënderbeu.
Një princ me prejardhje shqiptare, Vasile Lupu, që sundoi në vitet 1635-1653, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Moldavi, duke i sjellë shërbime të mëdha këtij vendi.
Prania e shqiptarëve në Rumani lidhet edhe me Revolucionin e Pandurëve[5] të vitit 1821. Dokumentet dëshmojnë se numuri i shqiptarëve pjesëmarrës në këtë revolucion ishte jo i vogël[6]. Ndër ta ka qënë edhe intelektuali atdhetar Naum Veqilharxhi (Bredhi), i cili, siç dihet, pat luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare[7]. I lindur në Vithkuq, Veqilharxhi qëndroi shumë vjet në qytetin rumun Braila, ku përpiloi edhe një alfabet për gjuhën shqipe[8]. Siç e dimë, duke përdorur këtë alfabet, ai hartoi dy abetare dhe shkoi t’i botonte në Kostandinopojë. Atje Veqilharxhi ia doli mbanë t’i nxirrte në dritë, por pas një viti u vra, me sa duket nga agjentët e Fanarit. Gjithsesi, fatmirësisht, abetaret e Veqilharxhit u shpërndanë anembanë Shqipërisë.
Edhe familja Gjika, e mirënjohur në historinë e Rumanisë, është me prejardhje shqiptare. Duke filluar të paktën nga shekulli XVII, ajo u ka dhënë Moldavisë dhe Viseve Rumune një numur të madh sundimtarësh. Nga gjiri i Gjikajve ka dalë edhe Elena Gjika, e njohur sidomos me pseudonimin letrar Dora d’Istria. Për disa dhjetëvjetsha rresht, asnjë femër tjetër, përveç Zhorzh Sandit (George Sand), nuk ka gëzuar aq popullaritet në botën intelektuale evropiane, sa Dora d’Istria. „Është për t’u habitur sa njohuri u grumbulluan në mendjen e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe me sa lehtësi mundte t’i nxirrte në ballë gjithsaherë i duhej të zhvillonte ndonjë betejë. Sepse ajo ka qënë një predikuese me kredo prej luftëtari. Liberalizmi pat gjetur tek ajo një mbrojtëse të palodhur. Pò ashtu edhe e drejta e kombeve për të jetuar” ka shkruar historiani i madh rumun Nikolae Jorga[9].
Dora d’Istria ka shkruar në gjuhën frënge studime letrare, social-politike, filologjike, etnografike, shënime udhëtimi etj, ku trajton aspekte dhe ngjarje nga vende të ndryshme. Shumë syresh kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, kauzën e së cilës e bëri të njohur në shtetet evropiane: La nationalité albanaise d’après les chants populaires, Paris, 1866; Fyletia e Arbënare prej kohëve të lashta, në „Revue des deux mondes”, 15 maj, 1866; Les écrivains albanais de l’Italie méridionale, Athinë, 1867; La nazionalità albanese secondo i canti popolari, Kozencë, 1867; Gli Albanesi musulmani, Firence I, 1868; II dhe III, 1870; Affaires de l’Albanie, Athinë, 1872; Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei Principi Ghika nei secoli XVII, XVIII e XIX da documenti inediti degli archivi di Venezia, Vienna, Berlino, Constantinopoli ecc. Traduzione dal francese di B. Cecchetti, Firence, 1873.
Njëherazi, Dora d’Istria shfaqi ndjenja simpatie edhe ndaj Rumanisë. Ja një copëz e shkëputur nga shkrimet e saj: „Liria, lumturia e vendit tim – ja preokupimet që do të mbushin tash e tutje jetën time. E larguar nga fati, qysh në fëmini, nga brigjet e dashura të Dëmbovicës[10] sime, nuk kam rreshtur asnjëherë të jem pjesë e vendlindjes, fatet e të cilit kanë përbërë objektin e përsiatjeve të mia të qëndrueshme”[11].
Ndër veprat e tjera të Dora d’Istrias, përmendim: La vie monastique dans l’église orientale, Bruksel, 1855; Les roumains et la papauté, Athinë, 1856; Osservazioni sull’organizzazione dei Principati Danubiani, Torino, 1856; La Roumanie et l’église orthodoxe, Bruksel, 1857; La nationalité roumaine d’après les chants populaires, Paris, 1859; Un été au bord du Danube, Paris, 1861.
Si përfundim, Dora d’Istria, „albanese d’origine, rumena di nascita”, sikurse është shkruar në pllakën përkujtimore në varrezat e Trespianos (Firence), ku ruhet hiri i saj, ka qënë një shkrimtare e gjuhës frënge, e njohur dhe e çmuar nga bashkëkohësit e vet dhe që, me vepra, ka dhënë ndihmesë reale jo vetëm në parashtrimin e kauzës shqiptare, por, sidomos, në mbrojtjen e saj para opinionit evropian.
Në dy dhjetëvjetshat e fundit të shekullit XIX, shqiptarët e Rumanisë zhvilluan një veprimtari të fuqishme në shërbim të Rilindjes Kombëtare dhe të popullit shqiptar. U botuan studime, libra, gazeta dhe revista, ndër të cilat „Historia e përgjithshme” dhe disa vëllime poetike të Naim Frashërit.
Duhet theksuar se themelet e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar janë hedhur pikërisht në Bukuresht, nga ku, pas një këshillimi, në Hotelin Kontinental, me pjesëtarë të dalluar të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, sidhe me politikanë rumunë, në radhë të parë me kryeministrin Take Jonesku, atdhetari i shquar Ismail Qemali u drejtua për në Vlorë, ku e përjetësoi veten me Aktin e madh të Ngritjes së Flamurit Kombëtar, më 28 Nëntor 1912.
Në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit XIX, në vazhdën e pararendësve të tyre të hershëm, arbënashëve, – që i dhanë emrin një fshati të tërë, kur u ngulitën në Bullgari, – mijëra shqiptarë, kryesisht nga trevat jugore të Shqipërisë, emigruan në Bullgari për shkaqe ekonomike. Ata zunë punë dhe u strehuan në qytetet Sofje, Plovdiv, Varnë, Plevnë, sidhe në katundin Rilë, i famshëm për manastirin ortodoks. Vlen të theksohet se qënia pranë njëri-tjetrit, pa dallim feje, e të mërguarve, ishte jo vetëm dëshmi dhe konkretizim i thënies së famshme „Feja e shqyptarit asht shqyptaria”, por edhe garanci për zhvillimin e një veprimtarie të gjithanshme atdhetare. Pas mbledhjeve te dyqani i Dhimitër Moles, te kafeneja „Shqypria” e Spiro Goros apo te lokali i Adem Shkabës, pasonte lëçitja dhe shpërndarja e librave shqip dhe rrahja e shkëmbimi i mendimeve për rrugën që duhej ndjekur deri në çlirimin e trevave shqiptare nga robëria shumëshekullore otomane. Në këtë atmosferë të shëndetshme lindi ideja e themelimit të një shoqërie atdhetare, që të shërbente si vatër për të gjithë emigrantët shqiptarë. Bëhet fjalë për shoqërinë „Dëshira”, që, siç do të thoshte kënga, „Që më një të kollozhekut / u formua shoqëria, / u formua brenda mu në Sofje/ për lirin’ e Shqipërisë”. Ishte, pra, 1 janari i 1893-shit. Ky veprim do të ishte hapi i parë drejt shndrrimit të kryeqytetit bullgar në një nga qëndrat e rëndësishme të lëvizjes nacionalçlirimtare dhe të ideve rilindëse, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Trajtimi me përparësi në këtë kumtesë i gjithçkaje që lidhet me „Dëshirën” shpjegohet me faktin se kjo shoqëri ngërthen e zbërthen nga çdo këndvështrim krejt problematikën, të shkuarën, të tashmen e bazat e të ardhmes së bashkësisë së shqiptarëve në Bullgari. „Dëshira” u bë sinonimi i veprimtarisë së mirëfilltë atdhetare shqiptare në Bullgari, duke e shndrruar këtë vend e sidomos kryeqytein Sofje në një nga qëndrat më të mëdha botuese të emigracionit shqiptar. Pavarësisht se formalisht antarësia në shoqërinë „Dëshira” u rezervohej ortodoksëve, në të vërtetë, nënvizimi i faktit që „shoqëria kishte karakter të theksuar kulturor” dhe përbëhej nga ata që flasin shqip, pasqyrohej edhe në statut: „Çdo shqiptar, që dëshiron lulëzimin e gjuhës së kombit shqiptar, konsiderohet antar”, përderisa shoqëria në fjalë synonte „të shpërndajë dije dhe të hapë shkolla shqipe në Shqipëri”. „Dëshira” ishte e pavarur nga shteti bullgar, prej të cilit vetëm mbështetej financiarisht. Ajo filloi mësimdhënien e shqipes për të mitur e të rritur, sidhe botonte organin e vet të shtypit, „Kalendarin kombiar”. Aty botoheshin me shumicë materiale letrare-artistike dhe fare pak artikuj me karakter politik. Me rëndësi të posaçme ishte fakti që „Kalendari kombiar” u bënte thirrje shqiptarëve të kishin besim e të mbështeteshin në forcat e veta, jo në të huajt dhe të ishin të vllazëruar. Duke vënë në dukje se midis myslimanëve dhe të krishterëve nuk ka dallime, theksohej: „Zoti na ka krijuar të gjithë – shqiptarë, prej kaq kohe flasim këtë gjuhë dhe kemi një gjak. Feja është diçka që ndryshon. Më parë se të krishterë e myslimanë, jemi shqiptarë”[12]. Ndër bashkëpuntorët më në zë të „Kalendarit kombiar” , të botuar qysh më 1897 nga Kosta Jani Trebicka dhe Kristo Nini Luarasi, shquhej Lumo Skëndua (pseudonimi i Mithat Frashërit).
Por organi më i njohur e më i rregullt i „Dëshirës” ishte e përdyjavshmja demokratike e përparimtare „Drita”, që doli në periudhën 1901-1908 dhe kishte kryeredaktor Shahin Kolonjën. Në materialet e „Dritës” përvijoheshin detyra për emigracionin shqiptar, jo vetëm në Bullgari, por edhe më gjerë, duke i parë problemet në lidhje të ngushtë me zhvillimet në Shqipëri. Shtypshkronja e Kristo Luarasit „Mbrothtësia” shtypi 50 libra të ofruara nga „Dëshira” , të cilat u dërguan në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare. Gjithashtu, „Dëshira” punoi shumë për të përhapur krijimet e Sami Frashërit. „Dëshira” dhe „Mbrothtësia” u bënë furnizueset kryesore të shkollave të sapoçelura në Shqipëri, me materiale didaktike dhe me gazeta. Veprimtaria teatrore e „Dëshirës” ishte, po ashtu, e gjerë. Të hollat e mbledhura nga pjesët e vëna në skenë, dërgoheshin në Shqipëri.
Nuk mund të lemë pa përmendur ndihmesën e madhe që ka dhënë në ato vite shqiptari katolik Josif Bagëri me botimin e gazetës demokratike „Shqypeja e Shqypnisë”.
Deri në vitin 1912, mërgimtarët shqiptarë në Bullgari patën përkrahjen e shtetit bullgar në luftën për zgjidhjen e çështjes kombëtare, sepse interesat dhe gjendja ishin të njëjta për të dy vendet.
Për fat të keq, me kalimin e kohës, veprimtaria dhe shpirti atdhetar i „Dëshirës” u zbehën, sidomos me krijimin e një simotre rivale, e quajtur „Gjergj Kastrioti”. Ky ishte sinjali i parë i përçarjes së kolonisë shqiptare në Bullgari. Më 1928, orvatjet për bashkimin e dy shoqërive të mësipërme, dështuan. Më 1933, në 40-vjetorin e themelimit të „Dëshirës”, u vendos dhe u realizua hedhja në letër e historikut të saj, që ruhet në Institutin e Ballkanistikës në Sofje, si dorëshkrim me titull „Shënime historike mbi themelimin dhe veprimtarinë e shoqërisë shqiptare kulturore arsimore në Sofje – vitet 1893-1939”[13], me autor Leonid Grabockën.
Që t’u avitemi paksa agimeve të shekullit XX, vjetari statistikor i Rumanisë i 1930-ës paraqit të dhëna, sipas të cilave numuri i shqiptarëve në atë vend ishte rreth 10.000. Numuri i shqiptarëve në Bullgari, natyrisht, ka qënë më i pakët dhe nuk kemi të dhëna të sakta. Në periudhën midis dy luftrave, njëherazi me ardhjen në Rumani për studime të shumë të rinjsh shqiptarë, mund të flitet për një rigjallërim të bashkësisë shqiptare, e cila kishte edhe shtypin e saj. Ndër më aktivët dhe më të përkushtuarit ndaj kauzës shqiptare ishin prozatorët e poetët Aleksandër Stavre Drenova (Asdren), Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Ali Asllani, Viktor Eftimiu, gazetarët Foqion Postoli e Nik Pemma, mjeku Ibrahim Temo, piktori Vangjush Mio, këngëtarët e operës Mihailesku Toskani dhe Kristaq Antoniu etj.
Në prag të Luftës së Dytë Botërore, numuri i shqiptarëve të mirëfilltë dhe i atyre me zanafillë shqiptare, që jetonin në Rumani, ishte afro 40.000.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore shqiptarët e Rumanisë u organizuan në një Komitet Antifashist Shqiptar, i cili pas lufte u shndrrua në Komitetin Demokrat Shqiptar. Ky i fundit u çthemelua në mënyrë abuzive në vitin 1953. Bashkimi Kulturor i Shqiptarëve të Rumanisë (UCAR), që u krijua më 1990, shpalli si pikësynim kryesor „mbrojtjen e interesave kulturore të etnisë shqiptare të vendit tonë (Rumanisë – sh.y.), thellimin e njohjes së kulturës, gjuhës dhe historisë së popullit shqiptar”[14]. Të njëjtat pretendime ka tani edhe Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR), e cila u krijua më pas.
Në zgjedhjet parlamentare të nëntorit 1996, UCAR (BKSHR) u bë organizatë parlamentare. Shteti rumun paskëtaj i dha UCAR-it fonde me vlerë më të madhe se sa përpara zgjedhjeve të lartpërmendura, çka bëri të mundur zhvillimin e veprimtarive të shumta kulturore, sidhe botimin e së përmuajshmes „Albanezul” (Shqiptari).
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2000 dhe 2004, vendin e deputetit në Parlamentin rumun e fitoi ALAR. Fondet që iu caktuan kësaj organizate u bënë gjithnjë e më konsistente. Krahas botimit të periodikut të saj të përmuajshëm „Prietenul albanezului” (Miku i shqiptarit), ALAR e zgjeroi gamën e veprimtarive të veta kulturale-artistike.
Sipas statistikave zyrtare, sot bashkësia shqiptare ka vetëm 520 pjesëtarë. Gjuha shqipe flitet nga një numur përherë e më i kufizuar individësh me prejardhje shqiptare dhe, me përjashtime tepër të pakta, nuk po u përcillet brezave të rinj. Në këto rrethana shtrohet çështja e ruajtjes së traditave dhe sidomos e gjuhës amtare si një kusht sine qua non për mbijetimin e etnisë në të ardhmen. Nga ana tjetër, kjo e fundit do të duhej ta rritte numurin e antarëve të saj me nxënësit, studentët, pasuniversitarët dhe afaristët shqiptarë, që jetojnë përkohësisht në Rumani. Duke vepruar kësisoj, të gjithë ata që do të vendosen përfundimisht në Rumani, nuk do ta harrojnë më gjuhën amtare, ndërsa në Parlament do të përfaqësohen nga njerëz që vijnë me të vërtetë nga radhët e etnisë shqiptare dhe në asnjë mënyrë nga individë që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me të, që nuk ia njohin as gjuhën, as zakonet, as shpirtin. Lufta e paparimtë dhe e pandërprerë për kolltuk, me intriga dhe fyerje të ndërsjella midis UCAR (BKRSH) dhe ALAR, u vlen vetëm krerëve të organizatave të lartpërmendura, por kurrsesi shqiptarëve dhe shqiptarizmës. Për mendimin tonë, nga kjo gjëndje e rëndë dhe pa perspektivë, mund të dilet vetëm duke krijuar një organizatë të re, të bazuar në dashurinë për kombin e për virtytet tona stërgjyshore, larg interesave meskine e të ulta. Paskëtaj fondet e akorduara me bujari nga shteti rumun për etninë shqiptare do të përdoren në mënyrë korrekte e të ndershme, vetëm e vetëm në shërbim të saj, jo për qëllime të tjera dhe do të kontribuohet realisht për ruajtjen, zhvillimin dhe mishërimin e identitetit në rrafsh gjuhësor, kulturor e fetar, sidhe në dobi të bashkëjetesës vllazërore tradicionale shumëshekullore ndërmjet popullit rumun dhe pakicës kombëtare shqiptare.
Për t’i mbyllur këto rreshta me një ton optimist, dua të theksoj veprimtarinë e një heroi të vërtetë të shqiptarisë, që më sjell në kujtesë filmin „Edhe i vetëm trim në luftë”. Fjalën e kam për profesorin Thoma Kacori, që jeton në Sofje, krejt jeta e të cilit dëshmon se, në fund të fundit, jo sasia, por cilësia dhe përkushtimi kanë peshën më të madhe kur lufton për një kauzë të shenjtë. Shembulli i tij tingëllon si një grishje edhe për pasardhësit e sotëm të shqiptarëve të Bullgarisë, para të cilëve, pak a shumë qëndrojnë të njëjtat probleme si ato të bashkësisë dhe etnisë shqiptare të Rumanisë.
[1] Shih „Brève histoire de l’Albanie”, 1918, të historianit erudit Nikolae Jorga (1879-1940).
[2] Këta quheshin arnautë, që në turqisht do të thotë „roje besnike”. Të tillë ka pasur nga të gjithë vendet e Ballkanit, por, meqënëse shumica dërrmuese ishin shqiptarë, termi arnaut u bë sinonim i fjalës shqiptar. Madje vetë Shqipëria në gjuhën turke thirret Arnavutluk, pra vendi i arnautëve.
[3] Shih „ Istoria României” (Historia e Rumanisë), Bukuresht, 1960, vëll. I, f. 369,383 dhe 401.
[4] Shih Kopi Kyçyku, „Istoria Albaniei” (Historia e Shqipërisë), Shtëpia Botuese „Corint”, Bukuresht, 2002, f. 140.
[5] Pandurë quheshin këmbësorët e fundshekullit XVIII dhe fillimshekullin XIX dhe ishin kryesisht me prejardhje nga krahina e Oltenieis, në Juglindje të Rumanisë së sotme. Pandurët u rreshtuan si vullnetarë në njësitë e komanduara nga Tudor Vladimiresku.
[6] Shih „Istoria României” (Historia e Rumanisë), Bukuresht, 1960, vëll. I, f. 226, 231, 268, 303, 331, 363; vëll. II, f. 191.
[7] Shih Victor Papacostea, La participation de l’écrivain albanais Vechilhardji à la révolution de 1821, në «Balcania», vëll. VIII, Bukuresht, 1945, f. 187-191.
[8] Shih Th. Capidan, Românii nomazi din Pind, Tesalia, Acarnania, Etolia, Olymp, Peninsula Calcidică şi Veria / Rumunët endacakë të Pindit, Thesalisë, Akarnanisë, Etolisë, Olimpit, Gadishullit Kalcidik dhe Verisë, në „Daco-Romania”, IV, 1923-1926, f. 66 e 70; Shih edhe Albanische Studien, Jena, 1854, f. 292-293.
[9] Shih parathënien e tij për monografinë „Dora d’Istria” të autores Magda Nicolaesku Joan, Bukuresht, 1929.
[10] Lumi që përshkon Bukureshtin e që është bërë, në një farë mënyre, sinonim i tij.
[11] Rreshtat e mësipërm janë të dedikimit me titull „Vëllezërve të mi rumunë”, që paraprin punimin „La Suisse allemande”.
[12] Shih www.bng.bg: Shoqëria patriotike shqiptare „Dëshira” në Sofje.
[13] Ibidem.
[14] Shih „Arkivin e BKRSH-së”, Bukuresht, 1990.