Nga Guglielmo Evangelista /

guglielmo
Guglielmo Evangelista

Nga këndvështrimi i historisë automobilistike, Shqipëria mund të konsiderohet si fari i fundit i Evropës. Deri para pavarësisë së 1912-tës, vendi bënte pjesë në Perandorinë Osmane, ku automobilët ishin të ndaluar. Në vazhdim fuqitë që pushtuan vendin gjatë Luftës së Parë Botërore sollën shumë automobilë; shqiptarët filluan të mësoheshin me to dhe ndokush edhe arriti të blejë, por situata mbeti e pafavorëshme: pa rrugë, pa shoferë, pa mekanike.

Mbi të gjitha nuk ekzistonte asnjë rregull, dhe kështu nuk rezulton se ishin parashikuar targat apo regjistrimet e makinave.

targa-1
Automobil në Durrës gjatë Luftës së Dytë Botërore

Efektet e para filluan të duken pas reformave në vitin 1925 e më pas, që ndërmori Presidenti i Republikës Ahmed Bey Zogolli (që në 1928 u shpall mbret me emrin Zog I).

Targat shqiptare ishin në formë drejtkëndëshe, të bardha me shkronja të zeza në një rresht, me një shkronjë që tregonte Prefekturën e pasuar nga numër progresiv. Targa në pjesën përpara makinës ishte në madhësi më të vogël e tipit “italian” dhe kishte shkronjat ndërkombëtare të përfaqësimit AL.

Megjithatë mund të vihen re ndryshime në madhësi e nganjëherë pas shkronjës kishte një pikë në mes të hapsirës ndarëse.

Pastaj ishin targat diplomatike me shkronjat filestare CD, ato ushtarake me shkronjat SU (Shërbimi Ushtarak) dhe targat qeveritare me shkronjën Z (Zyrtare). Këto të fundit si dhe makinat private në shërbimin publik ishin të zeza shkruar me shkronja të bardha.

targa-2
Automjet Larës rrugësh FIAT 603 në Tiranë

Numrat progresive ishin të vegjël, për arësye të numrit të vogël të makinave që në vitin 1929 llogariteshin të qarkullonin vetëm 375 makina.
Shkronjat filluese të tetë Prefekturave të asaj kohe ishin:

B – Berat
D – Durrës
E – Elbasan
G – Gjirokastër
K – Korçë
S – Shkodër
T – Tiranë
V – Vlorë

targa-3
FIAT 15 në Gjirokastër (Arkivi i Familjes Muzafer Isuf Jaho)
targa-4
Autobuz MAN ne Shkoder, 1937 (Arkiv i Familjes Ciurcija)
targa-5
Shitës makinash amerikane. Duken targat me shkronjat S dhe G. (Arkivi i Familjes Ciurcija)
targa-6
Shpërndarës karburanti
targa-7
FIAT 15, në shërbim të ushtrisë shqiptare
targa-9
Në qendër të qytetit të Shkodrës (Arkiv i Familjes Muzafer Isuf Jaho)

Më 7 prill 1939 filloi zbarkimi i trupave italiane në Shqipëri. Ishte një marrje e lehtë: reagimi i ushtrisë shqiptare ishte i dobët dhe i gjithë aksioni kushtoi vetëm 11 të vrarë. Në 12 prill Asamblea Kushtetuese shqiptare i ofroi Kurorën e Shqipërisë Mbretit të Italisë (dhe Perandor i Etiopisë) Viktor Emanuelit të III-të.

Situata e re nuk ishte gjë tjetër vetëm një njohje e hapur e gjendjes që në fakt ekzistonte, lidhjeve të forta midis dy vendeve, me interesat e italianëve në Shqipëri, ndërmarrjet e shumta dhe një komunitet italian.

Kështu, situata e re, duke filluar nga 1939-ta, pasoi me një italianizim të institucioneve shqiptare, gjë që solli edhe ndryshimin e targave dhe adoptimin e një tipi, formati e shkrimi.

Për kuriozitet Tirana, kryeqyteti nuk paraqitej në targë me një shkronjë, por si Roma, vihej emri i plotë i qytetit.

Kishte formën zyrtare, identike në pamje dhe madhësi me atë italiane, por paraqiste stemën e Shqipërisë, një shqiponjë me dy fashio në të dy anët.

targa-10
FIAT 1100 në Tiranë.
targa-11
Ditë bore në Tiranë, 1937. Veture zyrtare, duket shkronja Z e bardhë, në sfondin e zi.
targa-12
Në të majtë: E famëshmja Tiranë 198, (nga www.targheitaliane.it) Në të djathtë: Një targë e Durrësit.
targa-13
FIAT 1100 në Tiranë.

Në targat shqiptare, në krahasim me ato të mëparshmet, pas 1939-tës u vunë dy shkronja që përfaqësonin Prefekturat, si dhe vihet re një shtim i Prefekturave.

Qarku Sigla
Berat BE
Durrës DU
Elbasan EL
Gjirokastër GI
Korçë KO
Kukës KU
Peshkopië PK
Shkodër SK
Tiranë Tiranë
Vlorë VL

 

Albania

Sipas disa burimeve, Prefekturat e Lezhës, e Levanit (qendra e qarkut të Fierit), kishin targat LZ e LV, por ndoshta bëhet fjalë vetëm për një projekt që nuk pati kohë të realizohej, sepse nuk pasqyrohet në dokumentet zyrtare. Po e shkruaj këtë thjesht për informacion e kuriozitet.

Në vitin 1941, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Shqipëria bëri disa rregullime të kufirit, e kryesisht mori provincat e reja lindore të Kosovës dhe Dibrës.

Ndoshta askush nuk mendonte për targat në zonën e re: në ato momente ka pasur gjëra më dramatike për të menduar e vlerësuar se sa numri, shumë i kufizuar i automjeteve ekzistuese. Për fat të keq, mungesa e dokumentacionit dhe materialit fotografik na pengon të kemi saktësi më të madhe.

Në vitin 1941 është raportuar regjistimi i targave me inicialet BT (Bitola) për Manastir, vetëm se ky qytet i Maqedonisë u pushtua nga Bullgaria dhe nuk u bë pjesë e Shqipërisë.

Edhe me praninë italiane regjistrimet vazhduan shumë ngadalë, edhe pse shumë automjete ishin të importuara, e se me Luftën e Dytë Botërore, qarkullimi dhe blerja e makinave ishin paralizuar praktikisht.

Vetëm Durrësi dhe Tirana e tejkaluan numrin 1000 të automjeteve dhe në vitin 1943, numri më i lartë i njohur për kryeqytetin rezultoi të ishte 2099.

targa-14

Për automjetet e Qeverisë vazhdoi të mbahej targa me shkronjën Z që, për ta dalluar nga të tjerat, si edhe më parë, vazhduan të ishin ndryshe, por në këto vite sfond i zi u ndryshua në të bardhë i shkruar me shkronja të kuqe.

Kurioz ishte fakti i rivendosjes së targave për 4 makina të blinduara Lancia IZM që u shitën në vitet 20-të në Shqipëri e që kishin bërë pjesë në Ushtrinë Mbretërore. Ato u gjetën në vitin 1939, në gjendje pune, por nuk u përdorën dhe në vitin 1940 u dërguan në ofiçinën e Bolonjës ku morën targat SM 4,5,6,7.

Praktikisht mbajtën numrin serial origjinal, me inicialet Italiane SM (Servizio Militare) në “shërbimi ushtarak”, të përdorura nga Ushtria Mbretërore deri në vitet 20-të (që ndoshta në atë kohën ndikoi edhe në kodimin e targave shqiptare).

Përballë Vlorës gjendet ishulli i Sazanit: që ka qenë nën pushtetin Italian që nga viti 1918 dhe për këtë arsye nuk ishte pjesë e Shqipërisë. Në vitin 1941 ai u bë pjesë e krahinës së Kotorrit.

Ishulli ishte i banuar vetëm nga personeli i Forcave Detare Mbretërore dhe për këtë arsye aty qarkulluan vetëm automjete ushtarake. Sipas tabelave të “Rregullores për shërbimin e automobilistik të Marinës Mbretërore” në vitet ’30, autoreparti përfshinte 2 vetura dhe 5 kamionë.

Në qendrat kryesore ka pasur trupat zjarrfikëse, të cilat një pjesë kishin targa civile në varësi të administratës lokale. Gjatë periudhës italiane trupat zjarrfikëse janë marrë nga, Ushtria (si në Eritrea) dhe rrjedhimisht dhe automjetet ishin me targë të Ushtrisë Mbretërore.

targa-15
Këto makina shfaqen në shumë fotografi, si para edhe pas 1939-tës. Targat janë 11 dhe 12, por nuk shihet sigla që duket me 3 shkronja.

Pas 8 shtator të vitit 1943 italianët u zhdukën nga skena dhe për pak më shumë se një vit, deri më 28 nëntor 1944, vazhdoi lufta e gjatë dhe e përgjakshme në mes partizanëve shqiptarë dhe gjermanëve që përfundoi me shpalljen e Republikës Popullore.

Me fillimin e një diktature pabesueshmërisht të fortë, në vend që të shfaqen kushtet rozë dhe tërheqëse të jetesës si në vendet e tjera komuniste ishte e ndaluar për qytetarët për të blerë makina edhe pse ishte e lejuar për të mbajtur ato ekzistuese.

Pra, pronarët e numrit të reduktuar të makinave të pas luftës (të 6000 automjeteve në vitet e para të viteve ’50) nuk ishin më fisnikët shqiptarë të së kaluarës apo udhëheqësit fashiste italiane, por shteti, organet e ndryshme publike dhe kooperativat. Këtyre mjeteve, më së shumti kamionë, i bashkoheshin vetëm disa vetura që u caktuan personalisht për liderit e regjimit, disa prej tyre ishin relike e kohës së italianëve. Shumë vite më parë u fol se ishin parë disa motorçikleta të markës Guzzi prodhim i viteve ’30, ende në gjendje pune.

Targat u kthyen në thelb si ato të para 1939-tës, duke shtuar një ose dy yje të kuq.

 

Në mbyllje të këtij artikulli, unë ndjehem i detyruar të falenderoj Kapitenin e Rangut të Parë Paolo Muner për fotografitë me shumë vlerë që ka arritur të gjejë, si dhe bashkë-partnerin Matteo Sabadin që për këtë temë, me ka dhënë mjaft informacion.

Ky artikull është publikuar në gjuhën italiane në numrin 35, korrik 2014 të Notiziario dell’A.I.S.T.A. (Associazione Italiana Studio Targhe Automobilistiche): www.aista.it me drejtuese artistike Monica Martino.

 

Shqipëroi: Pjerin Logoreci

 

Shënim: Disa foto janë marrë nga arkivi i autorit, të mbledhura në vite dhe që kanë origjinë të panjohur ose që nuk është arritur të gjindet deri më tani.

Redaksia e Gazetës Vatra shfrytëzon rastin të falenderojë zotin Guglielmo Evangelista për këtë studim të veçantë, gjithashtu dhe Prof. Paolo Muner për ndihmesen e vazhdueshme që ai jep në lidhje me studimet dhe botimet e tij në fushën e historisë e kulturës shqiptare.