Revista ” YLLI” ka qënë një nga revistat e para të shtypit periodik, që qarkulluan gjatë periudhës së sistemit socialist në Shqipëri. Numri i parë i kësaj reviste qarkulloi në vitin 1951 dhe ishte një botim i pasaçëm i Gazetës ”Zëri i Popullit”. Për një kohë të gjatë të dy organet kishin të njëjtën llogari financiare.
Në kopertinën e Revistës ” YLLI” shkruhej, “REVISTË politiko – shoqërore dhe letraro – artistike”. Çmimi i saj filloi me 20 lekë numri dhe në numrin e fundi ishte 40 lekë. Kishte pajtime 6 – mujore dhe vjetore gjithashtu ajo shitej dhe nëpër kinkaleri dhe librari. Revista ” Ylli” mund të konsiderohet dhe një plotësim të “Zërit të popullit”, një formë e ilustruar e tij. Efekti propagandistik i kësaj reviste ka qënë i madh në sajë të fotografive cilësore, si në kopertinën e saj dhe në faqet e brendëshme. Këtu kanë punuar dhe bashkëpunuar fotoreporterët më të mirë të kohës.
Që nga vitet 60-të, revista YLLI, hapi rubrikën “vitrina e fotografisë shqiptare”, ajo organizonte çdo vit një konkurs fotografik, për fotografët profesionistët dhe amatorë. Në vitin 1967, Ylli është e para që kapërcen tek fotografia me ngjyra. Në atë kohë fotografitë me ngjyra që u shtypen në këtë revistë por edhe në të tjera që e ndoqën më pas janë fotografi bardhë e zi të ngjyrosura. Në Shqipëri do të duheshin edhe 7 vjet që të vinte fotografia e vërtetë me ngjyra. Laboratori i parë me ngjyra hapet në ATSH më 1974 dhe vite më pas më 1981.
Revista përveç anës politiko – shoqërore botonte poezi dhe prozë të shkurtër. Ka pasur edhe disa rubrika interesante, atë të dokumenteve historike, të njohurive dhe pamjeve gjeografike nga vendi, rubrika për shtetet e botës, sportet, dhe sidomos fotografi nga fushat e futbollit, rebuse dhe lojra të ndryshme etj. Vend të veçantë në faqet e saj zinte karikatura dhe në faqet e mesit piktura.
Duke qenë revista më kryesore e kohës, ajo është jo vetëm një histori e zhvillimeve të asaj kohe dhe një histori e fotografisë shqiptare në ata vite. Kopertinat e saj nuk janë thjeshtë propogandë por edhe paraqitje e realitetit të kohës, ndonjëherë edhe të manipuluar.
Kryeredaktorë, në vite kanë qenë: Qamil Buxheli, Novruz Turhani, Llambro Ruci.
Redaktorë: Adem Rada, Arben Puto, Endri Keko, Kin Dushi, Vullnet Mato, Kujtim Buza, Nasho Jorgaqi , Naum Prifti, Piro Naçe, Zisa Cikuli , Ymer Minxhozi (sekretar i kolegjumit)
Piktor : Dhimitër Ligori (karikaturist)
Fotoreporter : Petrit Kumi .
Adresa e redaksisë : Rr.” Labinoti” 71, Tiranë