Jakup (Halil) Mato Prof. Dr. lindi më 16 shtator 1934 në Fterrë të rrethit të Sarandës, vdiq më 30 gusht 2005 në Tiranë.
Shkollën fillore e mbaroi në Fterrë. Shkollën shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në Gjirokastër dhe më pas bëhet mësues e drejtor shkolle në Kuçi të Vlorës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Histori-Filologji 1959, punoi në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Me pas punoi në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, (sot Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë) në fillim si specialist i letërsisë, dhe pastaj si kryeredaktor i gazetës “Mësuesi” dhe drejtor i arteve 1970.
Prof. Dr. Jakup Mato ka kryer detyra që lidheshin me artet. Midis të tjerave ka qenë drejtor i Institutit të Lartë të Arteve (sot: Akademia e Arteve) punonjës shkencor, dy herë drejtor i Qendrës për Studimin e Arteve të Akademisë së Shkencave. Për shumë vite ka dhënë leksionet e Estetikës në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin e Lartë të Arteve. Anëtar i bordit të Enciklopedisë së Artit Shqiptar. Sekretar shkencor i redaksisë së artit dhe kulturës të Fjalorit enciklopedik shqiptar.
Që në vitet gjashtëdhjetë ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë e kritikë dhe ka mbajtur dhe botuar një sërë kumtesash për letërsinë dhe artet.
Ka botuar monografitë :
“Risi të letërsisë shqipe”, shtëpia botuese “Naim Frasheri” 1983 Bv dhe Bm 891 983.01
“Paradokset e satirës dhe të humorit”, shtëpia botuese Toena 2000 ISBN 99927-1-267-8 / 9992712678
“Imazhe, kode, kumte”, Botim i Akademisë se Shkencave 2001 ISBN 99927-761-8-8 / 9992776188
“Rrjedhave të artit paraprofesionist”, Botim i Akademisë se Shkencave 2004 ISBN 99943-614-2-2
“Poetika e dramaturgjisë dhe mendimi estetik”, Botim i Akademisë së Shkencave 2005 99943-763-330-2-2