“Princi i përfolur Lekë Dukagjini”
Intervistë me studjuesin Tonin Çobani
– Në historiografin e derisotme shqiptare, historia e shek.XV është identifikuar me historinë e Skënderbeut apo, si thuhet, me Epokën e Skënderbeut. Ky personalizim i një epoke aq sa është i drejtë, është edhe i mangët, sepse Skënderbeu nuk ka qenë i vetmi princ shqiptar që ka mbrojtur trojet shqiptare kundër invazionit osman. Përreth tij ka pasur edhe të tjerë princa të shquar që bënë të njëjtën gjë ose që dhe e vazhduan vepren e Skënderbeut pas vdekjes së tij (1468), si ka ndodhur me Lekë Dukagjinin(1410-1481), i cili rezistoi derisa vdiq. Kaq do të ishte e mjaftueshme për pyetjen tuaj “Pse ia vlen që të merresh me Lekë Dukagjinin”. Por ka edhe më. Lekë Dukagjini ishte një nder princat iluministë shqiptarë, me emrin e të cilit lidhet një nga monomentet e rralla të kulturës shqiptare, siç është Kanuni i shqiptarëve. Edhe vetëm për këtë autorësi do t’ia vlente një monografi për Lekë Dukagjinin. Pastaj fakti që ky princi ka qenë gjithmonë i anashkaluar është një arsye më shumë për t’i kushtuar një studim biografik, të munguar deri më sot për një princ shqiptar, çuditërisht “të përfolur” nga të gjithë historianët e Skënderbeut, nga studiues të ndryshëm që janë marrë me Kanunin e tij dhe, veçanërisht, nga politikanë dhe sociologë të Pasluftës së Dytë Botërore.
– Për hartimin e monografisë së Skëndebeut, historiani Frashëri ka ecur përmes dokumentave, të shekullit të XV. Ka qenë një rrugë e hapur më parë nga Noli, por që nuk mundi ta çonte deri në fund. Po, ju çfarë rruge keni zgjedhur për monografinë tuaj?
– Sigurisht edhe unë kam ndjekur të njëjtën rrugë si Noli, Gegaj dhe Frashëri, sepse jam munduar të bëj një jetëshkrim të bazuar shkëncërisht në fakte të shkruara dhe, ku kanë munguar këto fakte, i jam drejtuar gojëdhënave, folklorit, toponimeve etj. Burimet historike kanë qenë parësore. Jam mbështetur kryesisht te historianët dhe kronistët më të afërt të periudhës së Skënderbeut, të cilët, gjithashtu, kanë qenë më afër edhe për Lekë Dukagjinin, si Marin Barleti, Gjon Muzaka, Tivarasi\Biemmi dhe Dhimiter Frëngu. Historiografia e derisotme, përfshirë edhe Nolin dhe profesor Kriston që përmendni ju, i ka vjelur këta autorë për figurën e Skënderbeut dhe nuk është kujtuar ndonjëherë të kërkojë prej tyre diçka më tepër për princër të tjerë shqiptarë, siç është në rastin tonë Lekë Dukagjini, i cili dokumentohet se ka luftuar përkrah Skënderbeut dhe, pas vdekjes së Skënderbeut (1468), se ka qenë në krye të trupave shqiptare deri më 1479 kur venedikasit firmosën traktatin e pushtimit të trojeve ballkanike nga Perandoria Osmane. Por, sipas gojëdhënave, Lekë Dukagjini e ka vazhduar luftën në trojet e principatës së tij të Dukagjinëve derisa vdiq më 1481. Dhe Principata e Dukagjinëve nuk është Dukagjini i sotëm në Shqipërinë e Veriut apo Rrafshi i Dukagjinit në territoret e Kosovës. Principata e Dukagjinëve, që kishte si kryeqendra Lezhën dhe Ulpianën, përfshinte gjithë Shqipërinë e Veriut, nga thellësia e trojeve të sotme të Malit të Zi deri në thellësi të Serbisë, që Barleti e quan Mesia. Dukagjini dhe Rrafshi i Dukagjinit janë dy makrotoponime që kanë mbetur si relike të kësaj principate që edhe në kohën e Skënderbeut kishte një shtrirje më të madhe se ajo e Kastriotëve.
– Si keni mundur që të dokumentoni autencitetin e Kanunit, i përfolur si i krijuar nga fqinjët, apo thjesht një kod i transplatuar në rrugë të tjera?
– Eshtë një aradhë e tërë studiuesish, me në krye Pupovcin, që me argumente të rafinuara e mohojnë autorësinë e Lekë Dukagjinit, vetëm për faktin se ai Kanun deri sot nuk është gjetur i shkruar. Por më thoni ju Iliada e Odisea të Homerit janë gjetur të shkruara nga Homeri? Po jua them unë: Iliada dhe Odisea janë mbledhur nga goja e rapsodëve shetitës disa shekuj pas vdekjes së Homerit, por sot askush nuk e vë më në dyshim autorësinë e tyre, ashtu si nuk vihet në dyshim autorësia e Konfucit për veprën e tij filozofike, e Muhametit për Kuranin etj. Kanuni i Lekë Dukagjinit është një vepër unikale me frymë humaniste e periudhës së Rilindjes Evropiane në gjuhën shqipe, e cila, megjithëse u përfol dhe vazhdon të përflitet edhe sot e kësaj dite, është vlerësuar nga studiues seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumentale” (A.Buda), “kontribut në thesarin e kulturës botërore” (Schwerin) dhe autori i saj, Lekë Dukagjini, është cilësuar “një personalitet imponues” (Durham) e “Hero Kombëtar” (Hahn) i popullit të vet. Çuditërisht edhe profesor Frashëri vazhdon të mbrojë një tezë të sajuar për një Kanun jo të Lekë Dukagjinit, por të Skënderbeut.
Kanuni i Lekë Dukagjinit është Kanuni i Maleve, pra, trashëgimia kulturore e shqiptarëve qysh para pushtimit osman. Kanuni i Skënderbeut dhe kanune të tjera janë derivate të tij në kushtet e pushtimit osman dhe të islamizimit të një pjese të popullsisë së atyre anëve. Gjeçovi, që vetë ishte bartës i Kanunit të Lekë Dukagjinit, e ka fiksuar atë taman në kohën kur vazhdonte të ishte aktiv. Në monografinë time argumentohet koha kur është ngjizur Kanuni dhe autorësia kaq e përfolur që lidhet me emrin e Lekë Dukagjinit, si krijues i Kanunit.
Kuintesenca e Kanunit të Lekë Dukagjinit janë kodet e krijuara si fjalë të urta popullore, të cilat Gjeçovi i ka vënë në thojza. Si fjalë të urta ato janë të formësuara edhe ritmikisht, shpesh herë edhe rimojnë ose janë si formula me një ngarkesë të mbyllur figurative. Në kapitullin për Kanunin, unë jam marrë vetëm me këto fjalë të urta të dala nga goja e Lekë Dukagjinit, si formulime origjinale të tij ose të bartura nga tradita e deriatëhershme, por që kanë marrë vlerë juridike ndër kuvende të drejtuara prej Lekë Dukagjinit. Dhe kështu, besoj unë se kanë mbetur, pasi, ato, shpesh herë, janë të shoqëruara edhe me gojëdhëna interesante përsa i përket kuptimshmërisë së tyre ndër kuvendet popullore të pleqësive. Ne nuk duhet të harrojmë se Lekë Dukagjini nuk ishte një feudal oriental, si jemi mësuar t’i njohim deri sot feudalët shqiptarë. Ai ndryshonte edhe prej Skënderbeut, i cili ishte një ndër ushtarakët më të suksesshëm të kohës së tij, pasi kishte marrë mësime në oborret e sulltanëve të një prej perandorive feudo-ushtarake më të fuqishme në Azi dhe Evropë. Lekë Dukagjini ishte një princ me kulturë evropiano-perëndimore, një humanist i krahasueshëm me princërit e Firencës dhe të Venecias, ku mendohet të ketë kryer studimet së bashku me shumë fëmijë të princërve të atëhershëm shqiptarë. Për shkak të pushtimit të egër osman, ne nuk trashëgojmë thuajse asgjë nga ajo kulturë humaniste, përveç Kanunit, veprës së krijuar prej Lekë Dukagjinit.
– A keni qenë i hapur për recensat e historianëve tanë dhe a keni bashkëpunuar me ta për hartimin e një figure si Leka?
– Ideja e bashkëpunimit varet se si kuptohet. Monografia ime “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”ka kaluar në dorën e dy redaktorë “të rreptë”, që janë dr. Tefë Topalli dhe dr. Ndue Zef Toma. Disa kapituj janë botuar në gazetën “Koha jonë”, në revistat “Pajtimi”(Tiranë), “Pheniks“(Shkodër), “Ekskluzive”(Prishtinë), “Kuvendi”(Detroit) dhe në një Vebsite ku kapitulli përmbledhës është në variantet shqip dhe anglisht. Vleresimet kanë qenë tepër pozitive. Unë këtë e quaj bashkëpunim. Sigurisht, kur të botohet libri, do të mirëpres edhe verejtje.-
– Një pyetje më e hapur, a do të mundim, nëpërmjet monografisë suaj, që të marrim njoftime reale të dokumentuara, se kush është figura e vërtetë fizike e Lekës, apo karakteri i tij real, nëpërmjet përshkrimeve të dokumentuara?
– Po të përgjigjem edhe unë hapur. Në monografinë për Lekë Dukagjinin ka shumë gjera të munguara, por unë jam përpjekur të sjell edhe 16 faqe ilustrime me stema, harta, portrete (apokrife), kompozime figurative, që, besoj, do ta plotësojnë edhe një kërshëri të tillë.
– Çfarë metode, keni ndjekur për përzgjedhjen e materalit që keni pasur në dorë dhe për sa vjet keni punuar?
– Si të them, kam dy vjet që nuk e heq nga dora, ndërsa grumbullimin e materialit (janë pasqyruar mbi 170 referenca) kam nisur ta bëj një dekadë më parë, për të mos thënë se ideja për një monografi për Lekë Dukagjinin ka qenë një grishje që lidhet me fillimet e angazhimeve të mia shkencore. Sa për kureshtjen e lexuesve të gazetës suaj, mund të shtoj se monografia “Princi i përfolur Lekë Dukagjini” do të jetë rreth 200 faqesh, përfshirë edhe një ressume në anglisht.
– Diçka për bibliografinë tuaj?
– Një bibliografi e zgjedhur është përfshirë si pjesë më vete e librit. Nese pyetja juaj kërkon diçka të veçntë ndaj saj, mund të them se nuk jam kufizuar vetëm në botime historike, sepse i jam referuar shume edhe një « biblioteke kulturore », nëse do të mund ta quaja kështu, një bibliografi më të përgjithshme që më ka ndihmuar të interpretoj mendësitë e kohës, shijet dhe në përgjithësi organizimin e shoqërisë shqiptare të peridhës paraosmane.
– A mendoni se ia keni arritur qëllimit?
– Nuk do ta botoja librin, nëse do të kisha sadopak dyshim se ia kam arritur qellimit apo jo. Dhe qellimi im ka qenë të strukturoj jetëshkrimin e një princi të shquar të epokës së iluminizmit shqiptar, vepër deri sot e munguar në kulturën tonë. Por do nuk do të isha I sinqertë deri në fund, nëse do të thoja se monografia ime është gjithçka mund të thuhej për Lekë Dukagjinin. Lexuesi dhe specialistët mediovalistë do ta thonë fjalën e tyre, vërejtjet e të cilëve do të plotësojnë qellimin tim.
Bisedoi: Ben Andoni