Lef Nosi u lind në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje të pasur. Ai ishte djali më i vogël i Siljanit dhe Anës ndër tetë vëllezër e motra.
Nosi u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell të veçantë punës për njohjen e gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare.

Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar sipas Programit do të ishte një shtet laik. Pikat e tjera të programit tregojnë se për organizimin e brendshëm, me zgjedhje, përfaqësues dhe administratë.
Merr pjesë në Kongresin e Manastirit; ku Nosi mbështet alfabetin e Mjedës e Fishtës. Më 1910, botoi gazetën “Tomorri” ku ka përkrah Aleksandër Xhuvanin, Luigj Gurakuqin, Simon Shuteriqin, Kristo Dakon (25 III 1910). Ishte një nga figurat qëndrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909).
Nosi u bë i njohur për shkrimet dhe artikujt e përkthyer nga shtypi europian, për çështjet e aktualitetit dhe interesat kombëtare shqiptare. Artikujt e përkthyer nga shtypi francez “Austro-Hungaria dhe besëlidhja ballkanike”, “Përshtypjet e një korrespondenti mbi ngjarjet në Shqipërinë e Sipërme” bëhen shkak që turqit e rinj ta arrestonin dhe katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë.
Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin miqtë e tij dhe 9 muaj më vonë Nosi u kthye më 9 prill 1911 në Elbasan.

lef-nosi-tirane
Lef Nosi

Lef Nosi ka bërë një punë të madhe në mbledhjen e dokumenteve historike, antikave, koleksioneve të rralla, filatelisë, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike dhe ballkanologjike. Në mënyrë të veçantë mblodhi një material të pasur folklorik, si Cikli i Kreshnikëve, këngët legjendare, baladat etj. Shtoi bashkëpunimin me klubet atdhetare të kolonive shqiptare të Janinës, Stambollit, Manastirit, Bukureshtit dhe klube të tjera brenda trojeve amtare. Në vijim punoi dhe hartoi “Abetare për shkolla fillore meshkujsh e femrash”, të cilën e botoi në bashkëpunim me klubin e Manastirit.

Më 28 nëntor 1912, Lef Nosi ishte njëri nga delegatët e Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, së bashku me Mit’hat bej Frashërin, Shefqet bej Daiun dhe Qemal Karaosmanin.
Lef Nosi u zgjodh nga qeveria e Vlores, si Ministër i Post-Telegrafit.

Nën drejtimin e tij Ministria e Qeverisë së Vlorës nxori gjashtë emisione pullash.
Nosi ka qenë pjestar në delegacionin e Elbasanit që u caktua për pritjen e princ Wied-it, kur erdhi në Durrës, në mars 1914. Kurse në 1919 zgjidhet si një nga delegatët për në Versajë, përkrah me Mehmet bej Konicën, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën, Imzot Luigj Bumçin etj.

Në vitet 1921-1923 ka bashkëpunuar me miqtë e tij, në federatën “Atdheu”, ku bënin pjesë Ahmet Dakli, Avni Rustemi, Halim Xhelo, Karl Gurakuqi, Koço Grameno dhe kosovari Bedri Pejani. Lef Nosi, me mikun e tij, Ahmet Daklin, kanë qenë në grupin politik “As i beut as i pashës”, të cilët dështuan në zgjedhjet e viti 1923, Me Revolucionin e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit. Tërhiqet nga jeta politike me “Fitoren e Legalitetit” në dhjetor të 1924 dhe i kushtohet studimeve gjuhësore, historike, etnografike, albanologjike, si dhe fushave të filatelisë, e mbledhjes së shprehjeve e fjalëve të urta, dokumenteve e librave të rrallë me vlerë për historinë e popullit tonë.

Ai ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ishte nënshkruar nga delegatët. Origjinali mendohet të ketë qenë pjesë e koleksioneve të Lef Nosit.

Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet n’atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj. Më 14 shtator 1943 mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që e shkëputi Shqipërinë nga Italia dhe e shpalli shtet të pavarur dhe neutral. Në vitin 1943 u bë kryetar i Asamblesë Kombëtare, tetorin e po atij viti, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, institucioni i mbretit në mungesë të trashëgimtarit.

Lef-Nosi
Lef Nosi – Kryetar i Asamblesë Kombëtare

“Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”, deklaroi në gjyq Lef Nosi. Sipas tij, politika e Regjencës ishte ruajtja e pavarësisë së Shqipërisë dhe ikja e pushtuesve. Kundrejt aleatëve Regjenca mbante qëndrim asnjanës. Ndihmon në shpëtimin e hebrenjve nga gjermanët.
Më 1 shkurt 1946 hapet gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin. Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, ushtarakë. Të tre të akuzuarit u thirren “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”.
“Pëteni në Francë kishte bamun aleancë me gjermanët. Regjenca nuk mori ushtri t’ua dërgonte gjermanëve për të luftue aleatët”, – tha Lef Nosi në Gjyq. Gjykata shpalli vendimin më 13 shkurt 1946, për ekzekutim me pushkatim. U ekzekutua me 15 shkurt 1946.

Lef Nosi ishte njohës i gjuhëve: turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Ai kishte bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit.
Pas vitit 1990, Nosi u nderua si patriot i shquar, në një ceremoni organizuar në vendlindjen e tij, kurse në vitin 2004 i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Një rrugë në Elbasan mban emrin Lef Nosi. Një shkollë e mesme në Prizren mban emrin e tij. Në vitin 2007, dekorohet me urdhrin “Gjergj Kastrioti”.