Pirro Mani u lind në 14 prill të vitit 1932 në Korçë.
Kur ishte fëmijë kishte dëshirë të bëhej sportist. Mbasi mbaroi shkollën e mesme mori pjesë në një konkurs të cilin e fitoi dhe e caktuan të punonte si regjisor në Estradën e Gjirokastrës, por nuk arriti të shkonte se u njoftua se kishte fituar një bursë studimi në Akademinë e Arteve në Moskë. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë.

Pas kthimit në atdhe në 1961 u emërua regjisor i Teatrit “A.Z.Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Ndër veprat që bënë jehonë në Teatrin e Korçës, përmenden “Pamje nga ura”, ku interpretoi rolin e Edi Karbone-s, “Ishulli i Afërditës”, “Këneta” dhe “Nata e dymbëdhjetë”. Suksesi i vënies në skenë të këtyre veprave, tërhoqi vëmendjen a ambjenteve artistike dhe Pirro u transferua si regjisor në Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë, ku punoi prej vitit 1967 deri më 1992, dhe ku shpalosi talentin e tij të magjishëm duke vënë në skenë vepra që kanë mbetur në mendjen e artdashësve dhe duke e ngritur emrin e tij në një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.

Pirro_Mani
Pirro Mani, regjisor, Artist i Popullit

Në karrierën artistike të Pirro Manit numërohen mbi 80 shfaqje. Ai konsiderohet nga kritika si mjeshtër i regjisë e skenave masive e njohës i thellë i mizanskenës.
Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të” , “Përmbytja e madhe”, “Prometeu”, etj. Pirro është angazhuar edhe në disa filma artistikë ku shpalosen vlerat e tij si aktor duke krijuar figura që kanë mbetur në mendjen e shikuesit si Stavri Lara në fimin “Vitet e para” (1965), Sali Protopapa në filmin “I teti ne Bronz” (1970) dhe së fundi Luan Kodra në filmin “Loin des barbares” (1994). Pirro Mani ka qenë dhe një pedagog i shkëlqyer. Gjatë karrierës së tij artistike Pirro është nderuar me shumë çmime, ai mban dhe titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Që prej disa vitesh Pirro Mani jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.

U nda nga jeta më 3 qershor 2021.