Nga Pjerin Logoreci /

 

Kërkesën zyrtare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve e parashtroi në mars 1920 në Washington, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Letrat Kredenciale të ministrit fuqiplotë amerikan në Shqipëri mbajnë datën 26 tetor 1922 dhe janë nënshkruar nga Warren Gamaliel Harding, Presidenti i 29-të i SHBA-së dhe sigluar nga Sekretari i Departamentit të Shtetit Charles Hughes. Ministri i parë fuqiplotë i SHBA në Shqipëri u caktua Ulysses Grant Smith i cili shkoi në Tiranë në nëntor 1922, ndërsa Letrat Kredenciale ia dorëzoi Këshillit të Lartë më 4 dhjetor 1922.

ambasada_amerikane

Ministri fuqiplotë i Shqiperisë në Washington u caktua Mithat Frashëri. Letrat Kredenciale janë nënshkruar në gusht 1922, por Frashëri nuk shkoi në Amerikë se u dërgua në Athinë. Në vend të tij u dërgua deputeti Abdyl Sula.
Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për Amerikën. Dhjetra amerikanë shkuan në Shqipëri jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri investitorë e eksploratorë.

Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939, kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit Italian dhe largimit të Mbretit Zog nga vendi.

Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi trë pasaporta amerikane Mbretit, (për vete, Mbretëreshën Geraldinë dhe për Lekën e sapolindur), por Zogu i refuzoi me arsyetimin se ai ishte bashkë me oborrin e tij.

Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, pati për 52 vjet heshtje diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA. Pasi sistemi komunist i Enver Hoxhës e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar.

Më 15 mars të vitit 1991 marrëdhëniet diplomatike u rivendosën. William Rajerson do të bëhej ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve dhe Roland Bimo ambasadori i parë shqiptar në SHBA.