Ramadan Sokoli u lind në Shkodër më 14 qershor të vitit 1920. Arsimin fillor dhe të mesëm i kryen në qytetin e lindjes. Në vitet 1940-1944 kryen studimet e larta muzikore në Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence, Itali. Pas shkollës, kthehet në Shqipëri dhe kryen detyrën e pedagogut të Folklorit Muzikor Shqiptar në Liceun Artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve, degë të cilën e krijoi ai vetë.
Në vitin 1946 Ramadan Sokoli së bashku me familjen, u goditën nga lufta e klasave. Pas arrestimit, Ramadani u mbajt rreth 16 muaj nën hetime e tortura nëpër qelitë e diktaturës dhe më pas u dënua me katër vjet burgim.
Pas përfundimit të dënimit në fund të vitit 1950, u detyrua të kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër. Ai është një ndër figurat e shquara të kulturës kombëtare shqiptare, ai ka një fushë të gjërë veprimtarie, e cila përfshin atë pedagogjike, krijimtarinë muzikore dhe në fushën e etnomuzikologjisë, që merret me studimin e traditave tona etnokulturore”. Në krijimtarinë muzikore, Ramadan Sokoli ka shkruar këngë për fëmijë, të rritur, si dhe pjesë instrumentale. Ai ka lënë këngë të bukura që, ndonëse kanë kaluar 6 dekada, ato këndohen edhe sot. Si “Lulja me erë”, e cila në periudhën e luftës në Kosovë i është ndërruar teksi në patriotik, “Zanusha”, “Turtullesha”, ka shkruar shumë romanca dhe vepra pa fund instrumentale. Ramadan Sokoli ka marrë pjesë si lektor në Universitetet e ndryshme të Europës apo në konferencat e simpoziumet ndërkombëtare. Prof.Sokoli ka prezantuar punime e leksione në Gjermani, Zvicër, Itali, Greqi Turqi, Sllovaki, Tokio, Spanjë, Norvegji, Moskë, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, Kosovë, etj.

ramadan sokoli
Prof. Ramadan Sokoli

Në vitin 1995 Akademia e Shkencave të Shqipërise i dha titullin “Profesor” duke e zgjedhur anëtar të kësaj Akademie.
Po t’i hedhim një sy krijimtarisë së tij në çdo fushë, ose e thënë ndryshe regjistrimit bibliografik të botimeve të R. Sokolit, janë mbi 20 libra të mirëfilltë shkencorë që mbajnë autorësinë e tij, janë mëse 1100 shkrime e krijime me emrin e tij (apo me pseudonimet e tij), si dhe libra dhe mëse 150 shkrime që flasin për kontributin e tij të gjithanshëm në shërbim të kulturës shqiptare. Madje duhet theksuar se në shumicën e botimeve, Prof. Sokoli hapi hullitë e para të lëvrimit të tyre shkencor.
Në periudhën midis viteve 1944-1990 ka botuar në mëse 20 organe shtypi. Veç këtyre, shtatë punime të plota në përmasa librash, janë të përfunduara dhe të depozituara në arkiva të ndryshme të Institucioneve Kërkimore Shkencore ku profesori i ka dorëzuar qysh nga vitet 1950 e këtej, dhe që falë kujdesit të vetë Prof. Sokolit, kopjet e atyre dorëshkrimeve i gjejmë në arkivin e tij personal.
Nga krijimtaria e Prof. Sokolit trashëgojmë sot: mbi 60 biseda shkencore të transmetuara në emisionet e Radio Tiranës; mbi 25 skenarë dokumentarësh shkencorë televizivë; mbi 300 këngë, valle, pjesë instrumentale, tablo muzikore, etj.
Vetëm në këto 10 vitet e fundit, kontributi i tij shkencor në fushën e publicistikës i kalon të 100 shkrimet të botuara në organet periodike brenda shtetit amë, ndërsa shkrimet e botuara në po këto 10 vite kushtuar figurës së tij poliedrike, e kalojnë numrin 50.
Tashmë në biografinë e tij figurojnë mbi 1100 zëra që regjistrojnë krijimtarinë e tij në të gjitha fushat dhe mëse 150 shkrime që flasin për të.
Emri dhe vepra e Prof. Ramadan Sokolit është përfshirë në disa enciklopedi të huaja edhe në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara të Shekullit të XX, përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge, Angli. Ai është nderuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Profesor Ramadan Sokoli u nda nga jeta në Tiranë më 8 mars 2008.

Botimet:
“Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, Tiranë, 1958;
“Albanskie narodnie pesni”, Tiranë 1965;
“Figura të ndritura”, Tiranë, 1965;
“Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965;
“Chansons populaires albanais”, Tiranë, 1966;
“Metodë për fyell”, Tiranë, 1970;
“Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë, 1971;
“Folklori muzikor shqiptar-organografia”, Tiranë, 1975, 1984, 1987, 1991;
“Figura e Skënderbeut në muzikë”, Tiranë, 1978;
“Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1982;
“Këngë patriotike”, Tiranë, 1985;
“Veglat muzikore të popullit shqiptar”, me bashkautor, Tiranë, 1991;
“16 shekuj”, Tiranë, 1995;
“Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, Tiranë, 2000;
“Gojëdhana dhe përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000
“Përtej 16 Shekujve”, Tiranë, 2002
“20 miniatura pianistike”, Tiranë, 2002