Nene Tereza dhe shqiptaret
Shën Tereza

Në Sheshin Shën Pjetri 120 mijë njerëz nga vende të ndryshme të botës. Të shumtë dhe shqiptarët të pranishëm në ceremoni. Papa: Ndoshta do vazhdojmë ta thërrasim jo Shën Tereza, por Nënë Tereza

Nga Vatikani, Romë

Rreth 120 mijë persona, sipas të dhënave nga Vatikani, besimtarë, ndjekës të Nënë Terezës apo dhe njerëz të thjeshtë u mblodhën sot në Sheshin e Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të kësaj gruaje me origjinë shqiptare e cila me veprën e saj bëri që e gjithë bota të fliste për të. Ceremonia e cila nisi në në orën 10.30, përbën dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kishën katolike në këtë vit të Jubileut të Mëshirës. Rreth orës 10.40 minuta, Papa Françesku lexoi formulën e shenjtërimit, duke e shpallur kështu Nënë Terezën shenjtore.

Gjatë leximit të omelisë më pas, Papa u ndal në ato vlera që kanë dalluar Nënë Terezën. “Në të gjithë ekzistencën e saj ka qenë bujare e mbartëse të mëshirës hyjnore. Ajo u angazhua në mbrojtje të jetës, u përkul ndaj personave të braktisur, të lënë në prag të vdekjes nëpër rrugë, duke u njohur atyre dinjitetin që Zoti u kishte dhënë”, u shpreh Papa ndërsa vuri në dukje forcën dhe ndikimin që Nënë Tereza arriti të ketë edhe përballë njërezve të fuqishëm të kohës. “ Ajo bëri që zëri i saj të dëgjohej nga të fuqishmit e tokës, që të njihnin fajet e tyre, përballë krimeve, përballë krimeve të varfërisë së krijuar prej vetë atyre”, nënvizoi Papa Françesku.

E duke ju kthyer dhe një herë veprës së saj ndaj të varfërve dhe të pambrojturve ai theksoi se “mëshira ishte për të kripa që i jepet shije çdo vepre, drita që çante errësirën e atyre që nuk kishin as lot për të qarë për varfërinë dhe vuajtjet e tyre. Misioni i saj në periferitë e qyteteve dhe në periferitë ekzistenciale mbetet si një dëshmi elokuente e afërsisë së Zotit me më të varfërit nga të varfërit. Sot ja dorëzoj këtë figurë gruaje emblematike të gjithë botës së vullnetarëve. Le të jetë ajo modeli juaj e Shenjtërisë”.

Nënë Tereza është një figurë aktuale që ka bërë botën të flasë për të dhe veprën e saj. Misionet e motrave të Nënë Terezës janë sot të pranishme në shumë vende të botës duke ndjekur trashëgiminë e saj. E pikërisht për këtë, Papa Françesku u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta thërrasim Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur dhe bujare saqë në mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Dhe duke ju referuar filozofisë së Nënë Terezës mesazhi i Papës sot shkonte përtej atij vetëm fetar. “Kjo punëtore e palodhur e Mëshirës na ndihmoftë të kuptojmë gjthë më shumë se kriteri i vetëm dhe veprimi ynë i vetëm është të dhurojmë dashuri falas, të lirë nga çdo ideologji, nga çdo pengesë dhe e shpërndarë mbi të gjithë pa dallime gjuhe, Kulture, rrace apo feje. Nënë Tereza pëlqente të thoshte “ndoshta nuk flas gjuhën e tyre, por mund të buzëqesh”. Le të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj dhe t’ja dhurojmë të gjithë atyre që takojmë rrugës sonë, në veçanti atyre që vuajnë. Do të hapim kështu horizonte shprese shumë njerëzve që ndjehen të humbur dhe që kanë nevojë për mirëkuptim dhe ngrohtësi”, u shpreh Papa, përballë dhjetra mijërë të pranishmëve që kishin mbushur sheshin Shën Pjetri.

Që prej orëve të para të mëngjesit, ende pa gdhirë, të rinj e të moshuar, burra e gra, persona me aftësi të kufizuar, u mblodhën për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje, duke sfiduar edhe temperaturat e larta dhe diellin e fortë. Sheshi ishte mbushur thuajse plot që rreth orës 8.30 me të ardhur jo vetëm nga Italia, por dhe nga shumë vende të tjera. Në fakt, Nënë Tereza, në ndryshim ndoshta nga shumë figura të tjera të shpallur gjithashtu shenjtorë, e kishte marrë këtë cilësim që kur ajo ishte gjallë, për shkak të angazhimit të fortë, jo vetëm në Indi, në mbështetje të njerëzve në nevojë, të varfërve dhe të sëmurëve. Ajo është një figurë e njohur në të gjithë botën. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që sot këtu në Vatikan nuk janë vetëm besimtarë katolikë, por njerëz që kanë parë te Nënë Tereza mëshirimin e dashurisë dhe të përkrahjes ndaj atyre që janë dhe më të pambrojtur. Janë me dhjetra e dhjetra personat me aftësi të kufizuara që kanë ardhur sot këtu në shesh. Për 1500 vetë, të varfër të cilët trajtohen në shtëpitë e misionareve të Nënë Terezës, e që sot kanë ardhur për të ndjekur ceremoninë e shenjtërimit të saj, Papa Françesku do të shtrojë një drekë me pica napolitane në një nga mjediset e Vatikanit. Një drekë e cila do të shërbehet nga mbi 200 misionare të Nënë Terezës

Të shumtë në numër dhe shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot është shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin Shën Pjetri, sikundër të dallosh shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvisin apo mbajnë të hedhur krahëve.

Në ceremoninë e sotme ishin të pranishëm të paktën 13 kryetarë shtetesh dhe qeverish, ku gjithashtu të shumtë në numër ishin edhe ata të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova. Nga Tirana përveç autoriteteve më të larta shtetërore ndodheshin edhe drejtuesit e opozitës

Masat e sigurisë ishin të larta. Pati një prani të shtuar dhe të dukshme të forcave të Policisë por dhe të Ushtrisë italiane. Përveç 2 mijë forcave të angazhuara normalisht për shkak të Jubileut, sot u shtuan dhe së paku 1 mijë agjentë policie, pa folur më pas për forcat e zjarrfikëseve apo vullnetarë . Që prej dy ditësh janë angazhuar dhe specialistë të posaçëm për kontrolle antieksploziv në nënkalimet e nëndheshme apo dhe kanalizimet. Sot në të gjitha hyrjet dhe daljet nga sheshi Shën Pjetër ka patur kontrolle të rrepta të punonjësve të sigurisë, njësoj sikundër ndodh dhe nëpër aeroporte, aq sa nuk lejohet kalimi as me termuse të vegjël me lëngje të freskëta.

E gjithë zona këtu e Shën Pjetrit ishte ndarë në tre pjesë në formë rrathësh koncentrik, për të garantuar një mbulim sa më të mirë sheshit, i cili ishte zemra e akt

 

KUSH ISHTE NENE TEREZA ?

Anjesë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si NENE TEREZA, tashme e shenjte lindi në vitin 1910, në një familje shqiptare (prindërit e lindur në Kosovën e sotme), në Shkup. Rrugëtimin si murgeshë e nisi në Kishën e Letnicës në Kosovë, në moshën 17-vjeçare. Dy vjet më vonë udhëtoi drejt Indisë ku krijoi urdhrin e saj Misionaret e Bamirësisë, i cili edhe sot udhëheq shtëpi për fëmijë të braktisur, njerëz të varfër dhe të sëmurë.Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.

Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv. Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.

Nënë Tereza, murgesha shqiptare, themeluesja e Misionareve të Dashurisë, që ia kushtoi jetën më të varfërve ndër të varfër dhe të sëmurëve është shenjtëruar 19 vjet pas vdekjes. Nënë Tereza e Kalkutës, e njohur gjatë misionit të saj si dhe e vlerësuar me çmimin Nobel të Paqes, gruaja më e thjeshtë dhe më madhështore njihet në të gjithë botën.

E jo më larg se të hënën, më 5 shtator, do të kujtohet edhe kalimi i saj në Shtëpinë e Atit Qiellor.
Nënë Tereza u shpall e Lume nga Papa i shenjtë Gjon Pali II në vitin 2003, vetëm pesë vjet pas vdekjes. Ishte Papa Françesku ai, që propozoi dhe ngulmoi shpalljen e Shenjtërimit të saj. Shenjtërimi i saj po kremtohet nga mbarë bota. Nga dita e sotme humanistja shqiptare do të njihet si Shën Tereza e Kalkutës. Papa kryesoi në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës.