Dom Nikoll Kaçorri u lind në fshatin Krejë, Lurë në vitin 1862. Mësimet e para i mori në Seminarin e Troshanit në Lezhë, më pas studioi për filozofi-teologji në Itali. Më 1884 kur mbaroi studimet u shugurua në Shkodër. Në vitin 1890 shkon në Zvicër për të vazhduar studimet për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë. U kthye në Shqipëri si sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pastaj u emërua famullitar në kishën katolike në Durrës. Në Durrës Kaçorri sherbeu edhe si mësues i shkollës fillore që u hap në këtë qytet. Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Emërohet Ipeshkv.

nikolle-kacorri
Dom Nikoll Kaçorri

Ai ishte ndër të parët që organizoi shoqërite patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909). Gjatë viteve 1905 – 1907 Nikoll Kaçorri drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.
Për veprimtarinë e tij kundër Portës së Lartë u dënua me dy vjet burg.
E njohur është thënia e tij “Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”
Në Durrës ai gjendej në mes dy zjarreve, nga njera anë pushtetarëve otomane, e nga ana tjetër dhespotit të Kishës Ortodokse, Jakovi. Por popullsia muslimane e Durrësit dhe e Shijakut, nuk e tradhëtoi kurrë, por e mbështeti, e mbrojti, shpesh herë edhe me armë. Ishte Imzot Kaçorri priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Por trazirat dhe trupat serbe që po afroheshin nuk siguronin qetësi. Nikoll Kaçorri në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e Pavarësisë. Në mbledhjen e 41 delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, Nikoll Kaçorri thotë:
“Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”
Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Kaçorri u zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare.
Pas rënies së kësaj qeverie, u tërhoq në Durrës. Por kryengritja e Shqipërisë së mesme e udhehequr nga Haxhi Qamili, i digji qelën ku banonte dhe i shkatrroi bibliotekën e tij personale, ndër më të pasurat në Shqipëri në atë kohë, Nikoll Kaçorri u detyrua të emigrojë jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë e vet politike e patriotike.
Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikoll Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin”.
Më 28 janari 1916, me dekret të Perandorit të Austro-Hungarisë, Franc Jozef, Dom Nikoll Kaçorri u dekorua me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit. Si shumë atdhetarë të tjerë imzot Nikoll Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme. Vdiq në sanatoriumin Würth, pasi vuajti tre-katër muaj, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në Zentralfriedhof në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Në varrim morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Vinter e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë.
Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri Figura e Dom Nikoll Kaçorrit nuk është përmendur. Vetem në 1962, me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, u dekorua “Për veprimtari patriotike e klasit të dytë”!
Në vitin 1992, ku Presidenti i Shqiperisë ka dekoruar Dom Nikoll Kaçorrit me “Urdhërin e Lirisë së Klasit të I-rë”, kurse më datë 17 dhjetor 2007 Presidenti Bamir Topi e ka dekoruar Dom Nikoll Kaçorrin (Pas vdekjes), me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”
Në vitit 2011, kleriku Dom Izak Doda, i cili punoi për komunitetin shqiptar, në Vjenë, kërkoi për identifikimin e varrezës së Imzot Kaçorrit.
Më pas u bënë përpjekje nga Dom Pren Kola e Edmond Kaçorri, që nuk arritën sukses. Më pas falë ndihmës nga instituti Kulturevereinigung në Wien me drejtues Bernhard Stillfried i cili mbështeti Pjetër Logorecin, u mundësua atdhesimi i eshtrave të Dom Nikoll Kaçorrit në Shqipëri.