Në dhjetor 1990 u aktivizua “Gladio” komunist dhe që nga ajo kohë Shqipëria vuan pasojat e konfliktit brenda tij
Nga Kastriot Myftaraj /
Diktatori komunist shqiptar Ramiz Alia, në fjalimet e tij publike dhe sekrete (për kohën) në 1989-1990, proceset e përmbysjes politike që po ndodhnin në vendet komuniste, i quan si të inskenuara nga Perëndimi kapitalist, nga shërbimet e fshehta perëndimore. Një situatë e tillë nënkupton se duhej të aktivizohej si reagim dhe masë mbrojtëse ai që mund të quhet si “Gladio” komunist shqiptar. Në të gjitha vendet e NATO-s, në kohën e Luftës së Ftohtë ishte krijuar një organizatë sekrete me emrin “Gladio”, e cila do të hynte në veprim nëse në vendin përkatës do të kishte një përmbysje të sistemit politiko-shoqëror, të ardhur me subversion (veprim nga brenda me ndihmën e huaj), ose me pushtim ushtarak sovjetik. Organizata sekrete të ngjashme kishte edhe në vendet komuniste, të cilat duhet të hynin në veprim në vendet përkatëse nëse në këto vende përmbysej sistemi politiko-shoqëror komunist. Në rastin e veprimit të organizatave të tilla sekrete, nuk është e domosdoshme që të gjithë pjesëmarrësit në lëvizje të jenë në dijeni të planit të vërtetë, të agjendës së lëvizjes të cilën e njeh vetëm një elitë konspiratorësh. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve, thuajse të gjithë, marrin pjesë në lëvizje të nxitur nga sloganet e shpallura të saj, pa kuptuar se janë duke u manipuluar në shërbim të një agjende konspirative.
Në Shqipëri, organizata sekrete, homologe e “Gladios”, kishte si qëllim që të merrte sa më shumë që të ishte e mundur pushtet të çdo lloji në vend, në rast se do të ndodhte një përmbysje e diktaturës komuniste. Në 1989, diktatura komuniste në Shqipëri e kuptoi se proceset politiko-shoqërore në Europën Lindore komuniste, duke përfshirë edhe Jugosllavinë, për shkak të dinamikës së tyre, do të preknin edhe Shqipërinë. Në mos tjetër, për shkak të pasojave ekonomike që sollën befasisht këto procese për Shqipërinë. Shqipëria komuniste e bënte pjesën më të madhe të tregtisë së jashtme me këto vende. Ekonomia e centralizuar shtetërore shqiptare e cila, pavarësisht se çfarë thoshte propaganda e diktaturës komuniste, ishte praktikisht pjesë e ekonomisë së bllokut sovjeto-komunist të Europës Lindore dhe operonte në kuadrin e SEV i njohur në Shqipëri me akronimin KNER (Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke). Kjo për shkak se ekonomia e Shqipërisë mbahej me anë të tregëtisë me clearing (një version i kësaj praktike tregtare që praktikisht konsistonte në shkëmbimin në natyrë mall me mall). Kur vendet komuniste të Lindjes, duke përfshirë edhe Jugosllavinë, e braktisën këtë formë tregëtie duke hyrë në shkëmbimet e modelit kapitalist drejtpërdrejt me valutë, ekonomia shqiptare ra në kolaps të plotë. Ky ndryshim i befasishëm e çoi ekonominë e centralizuar shqiptare, që edhe ashtu kishte marrë tatëpjetën, deri në falimentim të plotë brenda një viti.
Fabrikat dhe uzinat ndërprenë punën për mungesë të lëndës së parë të nevojshme që vinte nga jashtë vendit dhe të pajisjeve të këmbimit që po kështu vinin nga importi. Në verën e vitit 1990 regjimi komunist shqiptar shpalli praktikisht falimentimin ekonomik, duke mbyllur industritë në vend dhe duke vendosur pagesën prej 80% të pagës për punëtorët, ndonëse këta nuk shkonin të punonin në fabrika e uzina. Rezervat ushqimore në vend ishin në minimumin e tyre historik dhe regjimi komunist thjesht nuk dinte si ta ushqente popullin, me anë të ekonomisë së centralizuar shtetërore që kishte shkuar në kolaps. Dhe regjimi komunist totalitar i cili kishte shtetëzuar gjithçka, kishte detyrim ta ushqente popullin me anë të ekonomisë shtetërore, që nga buka deri te vaji, që nga djathi deri te sheqeri, për të mos folur për mishin, qumështin, vezët, që në 1990 shiheshin si luks. Në 1990 shteti komunist shqiptar kishte vështirësi për t’ i dhënë popullit qoftë edhe bukën, në kuptimin më të ngushtë të fjalës, pra atë bukën e keqe që shitej në atë kohë. Të Turmat e uritura që sulmonin dyqanet nuk mund të ndaleshin veçse duke u grirë me mitraloza, por kjo nuk ishte zgjidhje. Diktatura komuniste pse nuk e kishte për gjë që ta mbanin popullin në një nivel jetese mizerabël, me mungesa të mëdha ushqimore, duhet të kujdesej që të mos kalohej ai kufi pas të cilit uria bëhet e tillë sa njeriu humb instinktin e vetëruajtjes, kur frika zhduket krejt.
Në verën e vitit 1990 diktatori komunist Ramiz Alia e kuptoi se nëse nuk ndodhte diçka magjike që do ta shpëtonte vendin nga kriza, atëherë në dimrin e ardhshëm shteti komunist nuk do të ishte në gjendje që t’ u ofronte as bukën shqiptarëve. Korrjet e vitit 1990 pritej të ishin më të këqijat gjatë shumë viteve për shkak se mbjelljet kishin qenë të këqija, në mungesë të naftës, pjesëve të këmbimit për traktorët, si dhe të plehrave kimike. ta çonte vendin në një situatë kur do të kishte një krizë humanitare ekstreme në vend, me rrezikun që gjysma e popullsisë të rrezikohej të vdiste nga uria, me ç’ rast shteti komunist do të ishte i detyruar t’ i drejtohej botës për ndihmë, çka do të çonte në shpërbërjen e turpshme të partisë-shtet dhe të institucioneve të saj, duke nisur që nga Sigurimi i Shtetit. Këtë perspektivë shteti komunist donte ta shmangte me çdo kusht.
Frika më e madhe për diktaturën komuniste në vitin 1990 ishte se në një situatë të katastrofës humanitare në Shqipëri, kur popullsisë do t’ i mungonte edhe buka, dhe nga vendi do të kishte eksode masive në drejtim të Perëndimit, vendet europianoperëndimore, me mbështetjen e SHBA, do ta deklaronin diktaturën komuniste shqiptar si një rrezik për Europën, që me ekzistencën e tij përbënte rrezik për sigurinë e popullit shqiptar dhe për sigurinë europiane dhe do t’ i kërkonin në mënyrë ultimative regjimit komunist shqiptar që ta dorëzonte vendin nën kujdestarinë ndërkombëtare, që do të krijonte institucionet qeverisëse paskomuniste, pa pjesëmarrjen e PPSH. Në fakt një kujdestari ndërkombëtare mbi Shqipërinë, por pa përmasën politike, ndodhi në 1991, kur për të kapërcyer krizën humanitare në vend u ndërmor Operacioni “Pelikan”, me të cilin forcat ushtarake italiane morën përsipër shpërndarjen në vend të ndihmave ushqimore për Shqipërinë. Nëse Shqipëria do të ishte vendosur nën kujdestarinë ndërkombëtare në dimrin e vitit 1990-91, atëherë në vend do të kishin ardhur forca ushtarake ndërkombëtare dhe një i dërguar i posaçëm ndërkombëtar, ashtu si ndodhi në 1997. Kujdestaria ndërkombëtare do të kishte vazhduar ndoshta për katër-pesë vite, deri në 1994-95. A do të kishte qenë më mirë apo më keq për Shqipërinë, nisur nga ato që ndodhën më vonë?
Ramiz Alia dhe zyrat sekrete të regjimit , duke dashur që diktatura komuniste të mos shpërbëhej turpshëm, por të evoulonte, duke u shpëtuar ajo çka ishte më e rëndësishme Partia Komuniste (e quajtur Partia e Punës) vendosën të aktivizojnë “Gladio” komunist shqiptar, kuptohet të përshtatur me rrethanat. Meqënëse përmbysja politike në vend nuk po ndodhte për shkak të një sulmi ushtarak, por në mënyrë paqësore, për shkak të kolapsit ekonomik, atëherë edhe “Gladio” shqiptar do të përshtatej me këtë rrethanë. “Gladio” shqiptar i përshtatur me rrethanat do të thoshte që në vend do të ndodhte një lëvizje politiko-qytetare, e cila do të kërkonte lejimin e pluralizmit politik, çka jo vetëm që do t’ i jepte një shans të ri për të mbijetuar PPSH-së, por do ta shndërronte befasisht këtë parti, pikërisht partinë komuniste që kishte ndërtuar diktaturën staliniste në vend, në një aktor të rëndësishëm në procesin e demokratizimit të vendit.
Kështu, në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH u inskenua e ashtuqujtura Lëvizja Studentore e Dhjetorit, me ç’ rast një lëvizje studentësh për kërkesa ekonomike, e bërë në kuadrin e pluralizmit ramizian të mendimit, u shndrrua në lëvizje politike, me kërkesa për pluralizmin politik, të paraqitura nga një grup studentësh dhe intelektualësh të privilegjuar të regjimit, të instruktuar nga instruktorët e Komitetit Qendror të PPSH. Të gjithë këta njerëz kishin pasur një rol në “Gladio” shqiptar. Në mënyrë që këta njerëz, të cilët do të luanin rolin e liderëve të lëvizjes mos të shkonin si “qeni në vreshtë”, siç u tha një nga instruktorët, domethënë të dhunoheshin gabimisht nga forcat policore që do të bënin përpjekje të rreme për ta shtypur lëvizjen, këta studentë dhe intelektualë të përzgjedhur u veshën me një uniformë informale që do t’ i bënte ata të dalloheshin lehtë. Studentët e përzgjedhur u veshën me me xhupa lëkure të zinj, që ishin të rrallë dhe elegantë në Shqipërinë e kohës. Intelektualët, të cilët qenë pothuajse të gjithë profesorë universitarë u veshën me pardesy të bardha të modës perëndimore, të cilat gjithashtu qenë praktikisht joekzistuese në Shqipërinë e kohës.
Këta studentë dhe intelektualë të përzgjedhur ishin instruktuar gjatë tre muajve deri edhe në kurse të bëra nga aktorë të besuar, në mënyrë që të dinin si të flisnin para turmave, se regjimi komunist kishte preokupimin nëse këta njerëz do të mund ta realizionin misionin e tyre, duke mbledhur turmat dhe duke i hipnotizuar me karizmën dhe oratorinë e tyre, apo farsa do të dështonte. Këta njerëz do t’ i bënin shërbimin më të madh partisë që ishte boshti i diktaturës komuniste, pra do t’ i bënin të mundur që të bënte ndryshimet politike, pa u dukur ato shumë si një lojë e regjimit për mbijetesën e vet me anë të një metamorfozë politike djallëzore. Ky është krimi i madh i atyre studentëve dhe intelektualëve që mburren dhe sot e kësaj dite se kanë qenë në Lëvizjen e Dhjetorit. Ata i dhanë mundësi regjimit komunist të zbatonte skenarin-farsë të vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri, me kërkesë nga poshtë dhe me aprovim nga lart, sipas skemës tradicionale të diktaturës komuniste. Ajo që bëri lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte se i dha mundësi Komitetit Qendror të PPSH që të jepte licencën e pluralizmit politik në vend.
Në ato momente më e mira ishte që të lihej regjimi të mbytej në batakun ku kishte hyrë. Nëse nuk do të kishte ndodhur farsa e dhjetorit 1990, e vendosjes së pluralizmit me dekret të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH, pasi kishte marrë miratimin e Komitetit Qendror të PPSH, diktatura komuniste do të kishte qenë e detyruar të shpallte falimentimin e plotë politik dhe ekonomik dhe atëherë gjërat do të mund të ecnin më mbarë në Shqipëri. Lëvizja studentore dhe udhëheqja intelektuale e saj, që u bënë liderët e opozitës e cila doli nga lëvizja e dhjetorit, e shpëtuan e shpëtuan diktaturën komuniste nga fundi i turpshëm, dhe PPSH, partinë që mishëronte diktaturën nga vdekja politike. Nëse fundi i regjimit komunist dhe i PPSH do të kishte ardhur kështu, atëherë asnjë komunist nuk do të mund të angazhohej më në politikën shqiptare.
Por studentët nuk i kuptonin këto gjëra kaq thellë në atë kohë, mund të thotë dikush. Nuk e besoj aspak këtë gjë. Çdo njeri në Shqipëri, i cili ishte kundër regjimit komunist dhe që dëgjonte radiot e huaja perëndimore në gjuhën shqipe, e kuptonte se diktatura komuniste ishte si një bishë e tërbuar që ka ngecur në batak, apo rërë thithëse, gjendej në përpëlitjet e vdekjes, dhe se gjëja më e mirë që duhej bërë në ato rrethana ishte të lihej të mbytej një herë e përgjithmonë. Ajo çka bënë studentët e lëvizjes së dhjetorit, ishte se i hodhën litarin e shpëtimit bishës që kishte ngecur në batak dhe po mbytej atje. Çdokush që ishte kundërshtar i regjimit komunist në atë kohë, e kuptonte, apo e ndjente me intuitë (është tjetër çështje ajo se sa ishte në gjendje ta artikulonte këtë ndjesi apo perceptim me fjalë) se nëse pluralizmi politik në Shqipëri do të vinte me dekret të Komitetit Qendror të PPSH, atëherë PPSH do të mund të bëhej aktor politik në epokën e demokracisë që do të niste me lejimin e pluralizmit, dhe vetë opozita ndaj PPSH, do të dilte nga lëvizja që ia kishte shpëtuar jetën partisë komuniste, pra politika shumëpartiake shqiptare do të luhej edhe për disa dekada si një farsë e inskenuar nga zyrat sekrete të Komitetit Qendror të PPSH.
Në lëvizjen studentore kishte naivë entuziastë, të cilët kujtonin se me të vërtetë qenë duke i bërë një të mirë
të madhe vendit, por këta kishin shkuar pas atyre mjeshtrave të instruktuar, të cilët kishin tërhequr njerëzit me thirrje të guximshme politike. Këta mjeshtra, edhe sot bëjnë kinse nuk e kuptojnë atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Dhe kështu farsa mori rrugë. Regjimi komunist shqiptar, pasi kishte shpëtuar nga situata-kurth ku kishte hyrë, përdori alibinë e situatës së krijuar në vend për shkak të lëvizjes studentore dhe protestave të opozitës, për t’ i hapi valvulat e shkarkimit demografik duke nxitur me qindra mijë shqiptarë të largoheshin nga vendi nëpërmjet detit dhe tokës, me anë të eksodeve të inskenuara nga regjimi komunist, që gjithmonë nisnin me një njoftim në televizon ku thuhej se fjalët e përhapura se do të ketë largim jashtë vendit nga toka e deti, se do të hapen pikat e kalimit kufitar me Greqinë, apo do të hapen portet detare nga ku njerëzit do ikin me anije në Itali, janë të rreme, dhe nuk duhen besuar nga popullsia. Në fakt me këtë shteti jepte sinjalin për eksod, duke bërë këto njoftime efektin e kundërt. Eksodi masiv i mbi gjysmë milioni shqiptarëve nga toka dhe deti në muajt e parë të vitit 1991 lehtësoi barrën e regjimit komunist dhe i mundësoi atij që t’ i kërkonte botës ndihma humanitare, kryesisht ushqimore, duke ia lënë fajin për krizën humanitare protestave popullore. Kështu regjimi komunist mundi të mbijetonte në dimrin e vështirë të vitit 1990-91, madje edhe të vetëlegjitimohej politikisht PPSH duke fituar zgjedhjet e para pluraliste në vend, ato të 31 marsit 1991.
Si zbatim i drejtpërdrejtë i “Gladio” shqiptar u krijua partia e parë opozitare në vend, si pasojë e lëvizjes studentore, Partia Demokratike. Kjo parti e re pati në krye të saj anëtarë të PPSH-së, pra komunistë, që me këtë rast lanë teserën e komunistit (nuk dihet se kur në fakt), dhe me këtë, praktikisht pluralizmi politik në Shqipëri u bë një proces i brendshëm i PPSH-së, në të dy grupimet e mëdha që politike që prodhoi ai, nga njëra anë Partinë Socialiste, pasardhëse të drejtpërdrejtë të PPSH, dhe nga ana tjetër Partinë Demokratike, pasardhëse të tërthortë (nëpërmjet liderëve të saj) të PPSH. Edhe PS u shndërrua sipas planit të “Gladio” shqiptar.
Që nga ajo kohë dhe deri më sot, pra gjatë një çerek shekulli, konflikti politik në Shqipëri ka qenë konflikt për pushtet brenda“Gladio” komunist shqiptar. Krejt ashtu si konflikti gjysmëshekullor brenda Partisë Komuniste të Shqipërisë nga viti 1941 e deri në vitet tetëdhjetë, ka qenë konflikt për pushtet brenda organizatës sekrete që krijuan në Shqipëri dy të dërguarit komunistë jugosllavë, Popoviç dhe Mugosha në 1941. Enver Hoxha, ndonëse e kishte origjinën e veprimtarisë politike në një organizatë politike të krijuar në 1941 nga jugosllavët, deri në fund të jetës akuzoi dhe eliminoi bashkëpunëtorë të tij si njerëz të jugosllavëve. Në të njëjtën mënyrë, që nga viti 1991 e deri më sot, Partia Socialiste, për t’ u shfajësuar për çdo gjë që shkon keq në vend, kur ajo është në pushtet, si dhe për të shpjeguar çdo gjë që shkon keq në vend, kur ajo është në opozitë, ka treguar me gisht një njeri, liderin e PD-së, Sali Berisha, duke e quajtur komunist të pandreqshëm. Kur është fjala për të sharë Sali Berishën, njerëzit e PS-së nuk ngurojnë që të shajnë edhe komunizmin. Kjo është në stilin e Enver Hoxhës i cili për problemet që pati Shqipëri gjatë 40 viteve që ai ishte në pushtet, fajësoi në fillim Koçi Xoxen, pastaj Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, më vonë Liri Belishovën, më vonë akoma Beqir Ballukun, Kiço Ngjelën, Abdyl Këllezin, më vonë akoma Mehmet Shehun, e pas tij Kadri Hazbiun. Të këqijat që komunisti Sali Berisha i ka bërë Shqipërisë janë përgjegjësi e partisë që e edukuoi, e anëtarësoi, e brumosi atë me frymën enveriane, duke i dhënë ato cilësi të cilat më pas ai, në moshën 47 vjeç, pra në moshën kur Lenini bëri Revolucionin e Tetorit, i përdori për të marrë nën kontroll Partinë Demokratike të porsakrijuar dhe për ta bërë atë instrumentin e pushtetit të tij personal, sipas modelit enverian të zbatuar ashtu si paraqitej i përthyer nën prizmin e demokracisë.
Ajo që nuk e kupton dot PS, ose bën kinse nuk e kupton, është se komunisti Sali Berisha, si lider i një partie politike të madhe, është njëra anë e problemit që i shkaktoi PPSH Shqipërisë me skenarin e pluralizmit politik të dhjetorit 1990. Ana tjetër e problemit është vetë PS, e cila doli në politikën shqiptare sipas skenarit ramizian të politikës paskomuniste të dhjetorit 1990. Është një parti pra, e cila e ka marrë nën sundimin e saj Shqipërinë në 29 nëntor 1944, dhe kjo parti krijoi Sali Berishën si një përbindësh politik, të denjë për veten e saj. Historia e konfliktit të Berishës me PS është historia e konfliktit të Frankensteinit, krijuesit të përbindëshit, me përbindëshin e krijuar prej tij. Në fakt, të dy, si krijuesi, ashtu dhe krijesa e përbindshme, qenë përbindsha. Njëjtë si PS është një parti e përbindshme politike, një rudiment i diktaturës komuniste, ashtu edhe Berisha është një përbindësh politik. Vatra e infeksionit që prodhon bacilin pra është partia e vjetër.
Është një parti pra, Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila ka ndryshuar dy herë emrin, ashtu si kriminelët që kërkojnë të fshehin identitetin, dhe që ka krijuar një përbindësh politik unik në llojin e vet, me Sali Berishën, e cila parti është përgjegjëse tekefundit edhe për bëmat e Berishës. Sado palë zgjedhje të fitojnë PS dhe PD, ato nuk fitojnë dot legjitimitet politik dhe koha e dominimit të tyre në politikën shqiptare vetëm sa zgjat epokën e nisur në 29 nëntor 1944, duke qenë periudha që nga dhjetori 1990 e deri më sot, vazhdim për inerci i periudhës komuniste. Pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur në këtë periudhë paskomuniste, pavarësisht se sa ka përparuar integrimi i vendit, një gjë është bërë e qartë, si trendi sundues i kësaj periudhe të quajtur e tranzicionit dhe ky është paaftësia e partisë komuniste të reformuar, si strukturë, si dhe e komunistëve të katapultuar në parti të tjera, për të qenë diçka tjetër përveçse pjesë e problematikës së Shqipërisë.
Nuk është rastësi që kjo parti dhe Berisha si off-spring i saj i hershëm, e përdorin pushtetin për të prodhuar totalitarizëm politik, ndërinstit