Ndre Mjeda teolog, shkrimtar, gjuhëtar, poet i shquar dhe veprimtar patriot./
Lindi në Shkodër më 20 nëntor 1866. I jati quhej Jakë Zefi (Kryeziu) e Luçije (Dominika) Thaçi. Në Shkodër mori mësimet e para dhe kreu Seminarin e Jezuitëve. Më pas studioi për teologji në Spanjë, Poloni, Kroaci, Itali e Francë.
Në moshën 20 vjecare Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike “Vaji i bylbylit”, botuar më 1887, ku shpreh mallin për vendin e tij. Po e kësaj periudhe është vjersha “Vorri i Skanderbegut” dhe shumë vjersha të tjera që i kushtohen temave kombëtare. Në poezinë e Mjedës ndihet ndikimi jo vetëm i kulturës rilindëse të kohës, por edhe i mësuesit të tij arbëresh Leonardo De Martino, përmbledhja poetike e të cilit me 442 faqe e në dy gjuhë “L’Arpa di un italo-albanese” (Harpa e një italo-shqiptari) kishte dalë në Venedik më 1881. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marco Girolamo Vida në Kremona buzë lumit Po. Mjeda vazhdoi të shkruajë poezi e njëkohësisht iu përkushtua përkthimit të letërsisë fetare. Më pas ai do të botonte një përkthim nga Katekizmi i madh në tre vëllime, Historia e shejtë, dhe një jetëshkrim të Shën Alojsius nga Gonzaga (1568-1591). Nga viti 1891 Mjeda studioi për disa vjet në fakultetin teologjik të kolegjit Gregorian të Krakovit në Poloninë katolike. Atje u njoh me veprat filologjike të albanologëve Gustav Meyer, (1850-1900) dhe Holger Pedersen (1867-1953). Vjersha e Mjedës “Gjûha shqype”, e shkruar në dhjetor 1892, iu përkushtua gjuhëtarit austriak Majer, vepra monumentale e të cilit Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache (Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe) kishte qenë botuar një vit më parë në Strasburg. Më 1893 Mjeda shkoi në Kraljevica, ku dha mësim filozofi e teologji e ku shërbeu si bibliotekar në kolegjin Gregorian kurse me pas u emërua profesor i logjikës e i metafizikës. Më 1899, Mjeda kthehet ne atdhe dhe me ndihmën e të vëllait Lazër Mjeda, peshkop i Sapës e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, dhe me ndihmën e Prenk Doçit (1846-1917), abati me influencë i Mirditës dhe vetë poet i lëvizjes kombëtare, Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Aktiviteti ne Shqiperi Mjeda e filloi në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë Agimi, e cila krijoi një alfabet mbi bazën e të cilit botoi një varg librash për shkollat. Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan por shpejt e liruan. Në fillim të shtatorit 1902, Mjeda u ftua në Hamburg për të marrë pjesë në Kongresin e 13-të Ndërkombëtar të Orientalistëve, ku lexoi një kumtesë me titull De pronunciatione palatalium in diversis albanicae linguae dialectis (Mbi shqiptimin e palataleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe).
Me 1908 Mjeda mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku alfabeti i tij i Shoqërisë Agimi humbi para alfabetit të Shoqërisë Bashkimi të Gjergj Fishtës. Më 1908 në Kongresin e Manastirit bashkë me At Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin si përfaqsues i Shkodrës dhe variantit të karaktereve latine, u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisia Letrare Shqipe.
Në krijimet poetike të Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. Po ashtu edhe disa shqipërime të goditura nga Gëtja, T. Grosi, etj. Romantik në thelb, Ndre Mjeda bëri një hap përpara drejt realizmit, ai kishte kërkesa të larta dhe tregoi mjeshtëri të rrallë poetike
Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë Agimi me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht 1937.
Ndre Mjeda mbeti njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, mjeshtër i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip.
Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit.
Per jeten dhe veprimtarine e Mjedes eshte shkruar nje studim me shtatë vëllime nga Mentor Quku.
Tituj të veprave
Vaji i Bylbylit
Juvenilja – përmbledhje
Liria – poemë
Lissus – poemë
Scodra – poemë
Andrra e jetes – poema