politika_1

Nga Zef Bushati

Kultura është një dimension bazal i identitetit të një kombi dhe populli që dëshmon historinë, evolucionin, identitetin, fuqinë e aktivitetit krijues të vlerave. Ajo shënon bërthamën e cilësisë, qëndrueshmërisë, qenies dhe të ardhmes së tij. Ne shqiptarët, nga më të vjetrit në Ballkan, kemi qenë krijues të historisë e kulturës sonë, të vlerave të pamohueshme që na kanë bërë të jemi krenarë e optimistë për të ardhmen tonë. Në të dyja shinat e saj, materiale e shpirtërore, kultura shqiptare zë një vend nderi në kulturën e Europës Juglindore, e cila është vlerësuar maksimalisht nga studiues e shkencëtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj. Në evolucionin tonë historik kemi dëshmuar një veprimtari krijuese materiale e shpirtërore, mjaft të pasur në vlera ku humanizmi, nderimi i jetës, virtytet morale, ndjeshmëria e lartë njerëzore, besa, mikpritja, dashuria për dije, progres e emancipim të pandërprerë, toleranca fetare e nderimi i kulturës së të tjerëve zënë vend nderi të veçantë.

Në historinë e mbijetesës sonë si popull e si komb, përballë rrebesheve të kohës dhe goditjeve të pandërprera nga vandale e vulgare historike, janë dëmtuar e shkatërruar vlera të qenësishme kulturore, që kanë synuar të asgjësonin vendin tonë, por vitaliteti i shqiptareve ka triumfuar duke ruajtur si gjënë më të shtrenjtë kulturën, gjuhën, vlerat e krijuara në shekuj. Ka ndodhur dhe ndaj kulturës së popujve e kombeve të tjerë që të jenë dëmtuar e shkatërruar pjesërisht nga të huaj vandale, por edhe të jenë vetëdëmtuar e vetëshkatëruar ndjeshëm dhe nga pjesëtarë të kombit e popullit të vet. Kjo ka ndodhur edhe ndaj kulturës sonë. Që të dy kahjet janë kërcënues seriozë të kulturës së një kombi e populli, por vetëdëmtimi e vetëshkatërrimi përmban një ndjeshmëri të hidhur. Vetëshkatërrimi mund të ndodhë edhe si veprim shkatërrues, por edhe si mosveprim në mbrojtje të vlerave kulturore dhe zhvillim e pasurim të tyre.

Për të mos shkuar larg në historinë tonë, dua të evidentoj parasëgjithash dëmtimin dhe shkatërrimin e vlerave të mëdha materiale e shpirtërore, në emër të shkatërrimit të komunizmit. Pronar i vërtetë i kulturës është populli dhe askush nuk ka asnjë të drejtë të shkatërrojë pjesë të saj. Ne shqiptarët e rrëzuam komunizmin, por askush nuk e pyeti popullin në atë veprimtari vandale e shkatërruese ndaj kulturës, në emër të ndarjes nga komunizmi. U ndamë si rend politik e shoqëror, por nuk mund të shkatërronim vlerat materiale e shpirtërore që u krijuan nga populli. Ky dëm i madh do të mbetej disi i izoluar, por gjithë periudha 20 vjeçare postkomuniste e mosveprimit, e shkujdesjes shtetërore, e nënvleftësimit tronditës ndaj trashëgimisë kulturore dhe kulturës sonë në tërësi, ka qenë një dëm e gabim i rëndë që akoma nuk është kuptuar si i tillë. Në këtë periudhë janë dëmtuar e shkatërruar vlera të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, artistike, teatrore, kinematografike, etj., dhe më tronditës është fakti se ky proces rrënimi vjen dhe merr përmasa më të mëdha nga viti në vit. Pjesa e buxhetit për kulturën ka qenë konstante dhe qesharake, por dhe aq sa ka qenë është grabitur nga korrupsioni i të korruptuarve në fushën e artit dhe kulturës. Jeta kulturore në vend është bërë mjaft e varfër dhe në rastet kur janë kryer veprimtari të caktuara kanë qenë në nivelin e amatorizmit deri në vulgaritet. Marrëdhëniet shoqërore midis atyre që merren me veprimtari kulturore dhe institucioneve kulturore kanë qenë në të shumtën e kohës të ngarkuara me armiqësi, konflikt, përbuzje, me rritje të hapsirave të antivlerave. Krijimtaria kulturore e artistike ka ardhur duke u zbehur vazhdimisht. Nuk ka aktualisht një strategji të përpunuar me kontributin e specialistëve dhe profesionistëve të vërtetë dhe asnjë program veprimi të studiuar e të mbështetur financiarisht. Nuk ka realisht asnjë shenjë kthese në këtë drejtim dhe asnjë lëvizje për një shpresë ndryshimi.

Kjo varfëri mendimi dhe ndjeshmërie njerëzore ndaj kulturës konstatohet edhe në fushatën aktuale zgjedhore, ku nga dy partitë kryesore por dhe nga të tjerët nuk ka asnjë fjalë e rresht për kulturën, për zhvillimin e të ardhmen e saj. Kjo klasë politike po dëshmon një mediokritet tronditës teksa nuk e kthen kokën nga kultura e arti. Situata është më shqetësuese nëse vështrojmë kulturën e komunikimit, të sjelljes, të jetesës, kulturën e punës së klasës së re politike post komuniste. Ka në kulturën e saj më pak mendim e vlera njerëzore, më pak ndjenja njerëzore e respekt njerëzor. Ka mjaft vulgaritet e sjellje në nivelin e të kualifikuarit rrugaçëror, jo vetëm në mjedise të mbyllura por edhe në parlament që është tempulli i demokracisë. Në komunikimin mes tyre ka vend me shumicë fyerja, denigrimi, shpifja, papërgjegjshmëria, vulgariteti, dhuna verbale, denigrimi i dinjitetit të kundërshtarit, siç ka shumë vend nihilizmi, lufta e paprinciptë, e pavërteta, e paligjshmja dhe e pamoralshmja. Një kthesë e vërtetë, një “revolucion” kulturor është bërë i domosdoshëm edhe pse cilësia kulturore e artistike, mendore e morale e kësaj klase politike të bën shumë pesimist. Kjo e bën më të domosdoshëm rotacionin politik, por dhe rotacionin e “elitave” drejtuese të partive politike. Në ndryshimin e kësaj situate, rol të rëndësishëm ka sovrani, që në vendimmarrjen e tij duhet të ndalet e të gjykojë më shumë, jo për sheqerkat e premtimet e parealizueshme në shumicën e tyre, por edhe për vlerat e kulturën e kësaj klase politike dhe kandidatëve për deputet që ato kanë prezantuar. Ky gjykim i votuesve do të japë shpresë reale se vërtet mbas 23 qershorit do të lindë një rreze shprese për një të ardhme më të mirë. Uroj e shpresoj tek një rilindje kulturore e artistike mbas zgjedhjeve parlamentare.