Nga Kastriot Myftaraj /
Në Shqipëri është krijuar një mit mediatik sikur ekziston një Islam tradicional shqiptar, i cili duhet mbrojtur nga shteti si dogma religjioze të cilën duhet ta ndjekë Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe kleri e besimtarët e tij, në dallim nga Islami që vjen nga vendet arabe, dhe që shihet si i rrezikshëm për vendin se është i mbrujtur nga doktrina ekstremiste si Wehabizmi etj. Asgjë të vërtetë nuk ka tek ky mit. Së pari, lind pyetja: Kur dhe si na qenka krijuar ky Islam shqiptar? Në Shqipëri, feja islame u fut nga Imperia Osmane, e cila e kishte Islamin si fe zyrtare, pra ishte një shtet teokratik. Sulltani, kryetari i shtetit osman, që prej shekullit XVI, kur osmanët pushtuan Arabinë me vendet e shenjta islame, Meka dhe Medina, u bë dhe khalif, do të thotë pasardhës i Muhametit. Edhe pas shpalljes së Kushtetutës nga Sulltani, nën presionin e fuqive të mëdha, në 1876, në fillim (kushtetuta u pezullua një vit më pas) dhe pastaj përsëri në 1908, Islami mbeti feja zyrtare e Imperisë Osmane. Deri në 1912 kur Shqipëria ishte pjesë e Imperisë Osmane, ajo bënte pjesë në një shtet ku Islami ishte fe zyrtare.
Është absurde të mendohet që një Islam nacional lindi në një vend që ishte pjesë e një shteti ku Islami ishte fe zyrtare. Kjo mund të ndodhte vetëm në vende, të cilat qenë pjesë e imperive ku Islami nuk qe fe zyrtare. Madje edhe në këto vende nuk ndodhi kjo gjë. Kështu, pas vitit 1878, kur Bosnjë-Herzegovina i kaloi Austro-Hungarisë, kjo e fundit nxiti pa sukses krijimin e një Islami boshnjak. Të njëjtën gjë u përpoq të bënte, por pa sukses edhe Britania e Madhe në Indi, Rusia në territoret e saj islamike, si dhe fuqi të tjera koloniale në territoret e tyre islamike. Asnjë nga këto përpjekje nuk pati sukses. Si mundet, jo më të kishte sukses, por edhe madje të ekzistonte në realitetin shqiptar, një përpjekje për krijimin e një Islami shqiptar, kur Imperia Osmane, jo vetëm që nuk bënte asgjë për këtë, por as e pranonte!
Miti i Islamit shqiptar është ndërtuar së pari mbi faktin që në Shqipëri Islami është ushtruar tradicionalisht sipas shkollës Hanefi. Por shkolla Hanefi ishte shkolla zyrtare e Islamit në Imperinë Osmane, çka provon atë që kam thënë unë më lart. Madje edhe shkolla Hanefi ka lindur dhe është zhvilluar në vendet arabe, që rreth gjashtë shekuj para se të krijohej Imperia Osmane. Shkolla Hanefi ka lindur në Irakun e sotëm, në shekullin e tetë. Dhe c’ është më e rëndësishme shkolla Hanefi është një shkollë juridiko-religjioze, synimi i së cilës ka qenë që të bëjë të mundur zbatimin sa më të mirë të Kuranit dhe haditheve në shtetin ku këto institute religjioze qenë në vend të Kushtetutës. Shkolla Hanefi pra ishte shkollë zyrtare e një shteti teokratik. Aq e vërtetë është kjo saqë Khalifi Al Mansur, në vitin 763 e thirri dijetarin i cili është krijues i kësaj shkolle dhe që i ka dhënë emrin asaj, Abu Hanifa an Nu’ man ibn Thabit (699-767) dhe i kërkoi që të bëhet kryegjykatës i khalifatit, imperisë islamike.
Për shkollën Hanefi në Perëndim është krijuar një mit sikur ajo është më e moderuar dhe më liberale se shkollat e tjera islamike. Por ata që e njohin sadopak këtë shkollë e dinë se kjo nuk është e vërtetë. E vetmja gjë liberale e shkollës Hanefi është se në rastet kur për një çështje mungon një udhëzim nga Kurani dhe hadithet, atëherë mund të bëhet një arsyetim, që përbën risi, por gjithmonë duke kërkuar analogjinë me Kuranin dhe hadithet. Pra, synimi i shkollës Hanefi ishte që të pajtohej sa më mirë me Kuranin dhe hadithet veprimtaria e përditshme e administratës së imperisë arabo-islamike, e cila kishte filluar të bëhej shumë e ndërlikuar njëqind e ca vite pas vdekjes së Muhametit. Por shkolla Hanefi është krejt e papërshtatshme për t’ u ndjekur nga kleri i një vendi ku feja është e ndarë me ligj nga shteti, si Shqipëria.
I supozuari si Islam shqiptar ka Kuranin dhe hadithet si tekste bazike teologjike dhe kaq mjafton që miti i Islamit shqiptar të bëhet pluhur. Se Kurani dhe hadithet nuk e pranojnë ndarjen e fesë dhe shtetit. Kurani është ekuivalenti islamik i një kushtetute, ku ka dispozita religjioze, të ndërtimit të shtetit, administratës, ushtrisë etj. Komuniteti Musliman i Shqipërisë ushtron Islamin suni, i cili bazohet tek Sunah, do të thotë modeli i sjelljes së Muhametit, që duhet të jetë model i sjelljes së muslimanëve dhe ndërtimit të institucioneve. Dhe ky i fundit ishte kryetar i fesë dhe i shtetit. Të njohësh Kuranin dhe Sunah do të thotë të mohosh që në origjinë liget e shtetit laik, brenda të cilave ekziston Komuniteti Musliman si institucion religjioz.
Derisa Komuniteti Musliman i Shqipërisë njeh Kuranin si libër të shenjtë bazik, atëherë ai pranon edhe dispozitën kuranore për rrahjen e femrave. (Sure Al Nisaë: 4, 34)
Derisa Komuniteti Musliman i Shqipërisë njeh Kuranin si libër të shenjtë bazik, atëherë ai pranon edhe dispozitat ku u kërkohet muslimanëve që të luftojnë kundër të krishterëve dhe hebrenjve, të cilët quhen idhujtarë, derisa t’ i nënshtrojnë këta të fundit, (Sure Al Tawbah, 9: 29, 30) atëherë ai njeh Xhihadin, luftën e shenjtë islamike, do të thotë terrorizmin islamik.
Të tilla shembuj mund të sillen shumë nga Kurani dhe hadithet. Pra problemi me Islamin është tek Kurani dhe jo tek shkollat islame. Edhe termi “fundamentalizëm islamik” është një nonsens karakteristik i mendimit perëndimor, se fundamenti i Islamit është Kurani. Deri më sot Komuniteti Musliman i Shqipërisë nuk ka deklaruar zyrtarisht se cili është përkthimi i Kuranit në shqip, të cilin ai e njeh si tekst zyrtar. Apo edhe për hadithet. Unë kam pyetur në Komitetin Shtetëror të Kulteve dhe kurrkush nuk di të më përgjigjet për këtë. Shteti shqiptar ka njohur zyrtarisht një religjion, një organizatë të tij, pa pasur në dorë një kopje të librit bazik të tij, në gjuhën shqipe, për të cilën kjo organizatë deklaron se do ta përdorë.
Nëse dikush do të shkojë sot në institucionet përkatëse të shtetit shqiptar dhe do të kërkojë leje për të krijuar një organizatë e cila ka në programin e vet rrahjen e femrave, luftën kundër të krishterëve dhe hebrejve, që nuk njeh ndarjen e fesë nga shteti, është e sigurt se personi apo personat që do të provojnë ta bëjnë këtë, nuk do t’ u miratohet kërkesa. E megjithatë një organizatë e tillë ekziston zyrtarisht në Shqipëri, me Komunitetin Musliman.
Ata që flasin për Islamin shqiptar si alternativë e atij arab bëjnë sikur nuk dëgjojnë se pesë herë ditën nga minaret e xhamive të Shqipërisë thirret me megafonë ezani në arabisht. Ky është i ashtuquajturi Islam shqiptar! Refuzimi i Islamit arab në dobi të Islamit shqiptar është një absurditet. Nëse kemi refuzuar Islamin arab, atëherë kemi refuzuar Islamin në përgjithësi. Islami e ka origjinën dhe shpirtin e tij në Arabi, në Mekë, në Medinë. Atje është krijuar libri i shenjtë i tij. Kurani, atje ka lindur dhe ka vepruar profeti i kësaj feje Muhameti, atje janë vendet e shenjta të saj, atje i kanë sytë muslimanët e botës, andej kthehen ata kur falen pesë herë në ditë, atje e kanë obligim që të shkojnë për pelegrinazh (haxh) së paku një herë në jetën e tyre, nëse kanë mundësi dhe ata e kanë ëndërr që të shkojnë. Islami është një fe arabe dhe dearabizimi i Islamit është një utopi naive.
Nëse Islami arab është i keq dhe i rrezikshëm, atëherë është i keq dhe i rrezikshëm vetë Islami. Islami shqiptar është një utopi naive, i cili mund të reduktohet thjesht në disa performanca retorike të imponuara dhe të vëzhguara nga shteti, të cilat do të kryhen në xhamitë e Shqipërisë, por që nuk do të kenë asnjë influencë tek besimtarët islamikë shqiptarë. Sot xhamia nuk është më domosdoshmërisht vendi i formësimit të muslimanëve praktikantë. Tashmë po rriten gjenerata muslimanësh praktikantë të cilët e kanë xhaminë në internet, në facebook, në bloget dhe website islamike globale. Formësimi i tyre bëhet atje. Ata janë të pranishëm në një xhami globale virtuale ku imam është Bin Ladeni. Kur shkojnë në xhamitë reale të Shqipërisë ata nënqeshin kur dëgjojnë predikimet e imamëve të instruktuar dhe të terrorizuar nga agjencitë shtetërore relevante, të cilët megjithatë me shpirt janë pjesë e Ummah virtuale të mësipërme. Atyre u mjafton që nga minaret e xhamive të Shqipërisë të shpërndahet me megafon ezani në arabisht. Kjo i ngazëllen, i inkurajon. Të tjerat dinë si dhe ku t’ i bëjnë vetë.
Nëse nuk mund të ketë një Islam shqiptar, mund të ketë një Antiislam shqiptar, sui generis, për shkak se Shqipëria dikur u islamizua me dhunë nga Imperia Osmane. Antiislami shqiptar do të jetë pararojë e Antiislamit perëndimor, i cili do të rritet në të ardhmen jo të largët për shkak të rrezikut ekzistencial që paraqet Islami për shoqëritë perëndimore. Antiislami shqiptar ka misione të mëdha në një të ardhme shumë më të afërt se sa mund ta imagjinojë shumëkush.