Nga Pjerin Logoreci /
Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë.
Shkollën e mesme e kreu në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.
Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 shfaqur me shumë sukses në Teatrin Popullor dhe që përbën një nga spektaklet që qëndroi në repertorin e Teatrit shumë gjatë, rreth shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë.
Luarasi që bën pjesë në periudhën më të ndritur e cilësore të Teatrit Shqiptar në vitet 1957-1973, vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si : “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e te gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të Kombëtar të Teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tillë”. Më 1966 vë për herë të parë në skenë në Teatrin Migjeni të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.

mihal-luarasi
Mihal Luarasi

Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Wiliamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme. Ai është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV Kombëtar të Teatrit 1969. Por u dënua (nga regjimi komunist) si vepër armiqësore. Luarasi punoi pesë vjet në Teatrin Andon Zako Cajupi të Korcës dhe realizoi një sërë shfaqjesh të paharruara, si “Të pamposhtur”, “Pas dy vjetësh”, “Flakë në shtëpi”, etj. Më 1972 shkoi në Teatrin Aleksander Moisiu të Durrësit ku vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Pacramit, vepër që u dënua gjithashtu nga regjimi.
Më në fund ishte festivali i 11-të i Këngës në RTVSH në vitin 1972, pas te cilit diktatura nuk e fali me dhe kete here Luarasi u dënua me tetë vjet heqje lirije. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990.
Në dhjetor 1990 ai u largua në Hungari. Më 1991-1992, vuri në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 i ftuar nga Teatri Kombëtar në Tiranë vuri në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad.
Mihal Luarasi është regjisor i disa spektakleve të mëdha në Teatrin e Operas e dhe Baletit, si “Karmen”, “La traviata”, “Pranvera”, “Opera për tre grosh”, etj.
Gjatë qëndrimit në Hungari, Luarasi ka botuar një sërë shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003 u botua libri i tij “Teatri Kombëtar në udhëkryq” dhe pas dy vjetësh libri i dytë me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera “Kujtesa që nuk fle”.
Në vitin 2001 Luarasi shkruan dramën “Gomone” që u vu në skenë në Teatrin Kombetar, në 2003, nga regjisori Gezim Kame. Në këtë vit ai kthehet përfundimisht nga Hungaria ne atdhe. Vë në skenë në TK dramën e Ruzhdi Pulahes “Streha e të harruarve” në 60 vjetorin e Teatrit Kombëtar. Në 2006 shkruan dhe vë në skenë dramën “Korbi bardhë” më (2007). Në 2012 shkruan dhe vë në skenë dramën lirike “Përjetësisht dashuria” në të cilën për herë të fundit u ngjit në skenë edhe Artistja e Merituar, një nga ikonat e skenës shqiptare Drita Pelingu.
Mihal Luarasi jeton në Tiranë së bashku me bashkëshorten e tij aktoren Edi Luarasi.