papa-albania.gazeta-vatra

 

Papa Françesku u ka kërkuar të rinjve shqiptare që të refuzojnë idhujtarinë e parasë, lirinë e rremë të individualizmit, varësinë dhe dhunën si dhe i ka inkurajuar ata të përqafojnë kulturën dhe solidaritetin.

“Para se të përfundoja këtë festim, do të doja të përshëndesja secilin prej jush që ka ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe vendet fqinjë. Ju falënderoj për prezencën. Veçanërisht do të doja të përshëndesja të rinjtë. Më thanë se Shqipëria është vendin me popullsinë më të re në Evropë. Të dashur të rinj, ju jeni gjenerata e re e Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Ju do të dini t’i thoni “Jo” idhujtarisë së parasë, “Jo” lirisë false të individualizmi, “Jo” varësisë dhe dhunës, ju gjithashtu do të dini së t’i thoni “Po”, kulturës dhe solidaritetit, “Po” të bukurës që është e frymëzuar nga e mira dhe e vërteta, “Po” jetës së jetuar me entuziazëm dhe në të njëjtën kohë të vlerësoni gjerat e vogla.”

“Shqiponja nuk e harron folenë e saj. Duhet të fluturoni lart.”

Vizita

Ka përfunduar mesha e shumëpritur e Papa Françeskut, në sheshin “Nënë Tereza”. Fillimisht Ati i Shenjtë, përshkoi me makinën e tij bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përshëndetur me duartrokitje nga mijëra qytetarë dhe besimtarë që kishin mbushur si asnjëherë tjetër rrugët e sheshet e Tiranës. Automjeti me të cilin udhëtoi Papa, ishte tërësisht i zbuluar.

Gjatë rrugëtimit në bulevard, Papa puthi disa fëmijë të vegjël mes tyre dhe një vajzë 2-vjeçare, duke i dhënë bekimin. Mesha e Shenjtë u kremtua së bashku me 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë. Në meshë morën pjesë të gjithë besimtarët dhe pelegrinët nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si dhe nga vende të ndryshme të botës.

Në hapësirën para altarit, u vendosën një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.

“Duke ardhur sot në mesin tuaj vëllezër e të dashur motra të Shqipërisë, në këtë shesh që i kushtohet bijës së madhe të së bekuarës Nënë Tereza të Kalkutës, dua të përsëris: Paqe në shtëpitë tuaja paqe në zemrat tuaja, në kombin tuaj”, tha Papa Francesku.

Me këto fjalë e nisi Papa Meshën e Shenjtë përballë besimtarëve në sheshin “Nënë Tereza”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i bëri një dhuratë simbolike Papës, para fillimit të meshës, duke i dorëzuar atij një çelës, “çelësin e kryeqytetit”.

Duke iu referuar historisë së vendit tonë, Papa Françesku, tha se Shqipëria ka qenë një tokë martirësh, ku shumë besimtarë e paguan me jetë besnikërinë e tyre, duke mos u përkulur përballë kërcënimeve të regjimit ateist:

“Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve , ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandashëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar. Shkoj sot , shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt , vë lulen e lutjes e të kujtimit”.

Papa kërkoi nga të rinjtë më tepër përkushtim nga ata për Zotin, në mënyrë që t’i japin hov veprimtarisë së tyre pranë formave të Kishës në gjirin e shoqërisë. Ai u kërkoi gjeneratave të reja shqiptare që të refuzojnë dhënien mbas parave, varfërisë dhe dhunës, dhe i inkurajoi ata të kultivojnë një kulturë solidariteti dhe të rigjetjes shpirtërore.

“Posaçërisht iu drejtohem të rinjve: mos keni frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që iu fton që ta ndiqni!. Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve”, tha Papa.