21 vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit II (25 prill 1993), në agimin e një dite të re për Shqipërinë pas rënies së komunizmit tani edhe Papa Françesku viziton Shqipëri .
Papa Françesk ka njoftuar se do të vizitojë Shqipërinë në 21 shtator për të inkurajuar një vend “që ka vuajtur gjatë nga pasojat e ideologjive të kaluara”.
Në fjalimin e tij nga sheshi “Shën Pjetër”, Ati i Shenjtë ka shtuar gjithashtu vizita e tij 1-ditore do të shërbejë edhe për të mbështetur katolikët në një vend me shumicë muslimane.
Pas lajmit se Papa Françesk do të vizitojë Shqipërinë më 21 Shtator me ftesë të kryeministrit Edi Rama dhe klerit të Kishës Katolike Shqiptare, ka dalë në konferencë për shtyp nga Durrësi edhe vetë kryeministri.
“Tashmë që edhe Papa Francesku e konfirmoi edhe me zërin e tij vizitën e tij në Shqipëri, qeveria jonë dhe Selia e Shenjtë kanë nisur punën për përgatitjen e saj mbi bazën e kësaj date. Unë dua të ndaj me ju kënaqësinë për këtë vizitë dhe faktin që kjo do të jetë e para e Papës në Europë. Ajo mbart shpresën dhe inkurajimin për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë por të mbarë, të rilindjes dhe ribashkimit me Europën, në rrugën e paqes pas më shumë se 100 vjet luftrash. Është një sinjal shprese edhe për bashkimin me BE-në, për një të ardhme më të bardhë, për të luftuar polarizimin mes më të varfërve dhe të kamurve. Papa Gjon Pali i 2 shkeli tokën tonë për mesazhet e demokracisë, menjëherë pas lëngatës në ferrin komunist. Papa Francesku do të zbresë për të sjellë në Shqipëri dhe Ballkan mesazhin e bashkëjetesës mes popujve në liri, në paqe. Europa e Bashkuar dhe Ballkani kanë nevojë për të përballuar sfidat dhe kërcënimet e kohës. Gjatë bisedës me Papën në Selinë e Shenjtë, ne folëm për vuajtjet e klerit katolik në Shqipërinë komuniste. S’ka dyshim se sado vuajtje për ta, por edhe për mbarë historinë e krishtërimit, e bën këtë tokë tepër të dashur për Papën. Kjo tokë ku harmonia e bashkëjetesës mes të krishterëve dhe muslimanëve meriton të ruhet. Zbritja e afërt në tokën tonë e këtij njeriu qiellor, është një nder që i bëhet shtetasve tanë, si dhe shtetasve europianë pa dallim ideje, krahine, feje apo gjithçka. Besoj se njoftimi i kësaj vizite, që përbën një privilegj të rrallë, përbën një ogur në vigjilje të marrjes së statusit të vendit kandidat. Më lejoni t’i shpreh mirënjohjen më të thellë të Atit të Shenjtë për këtë vizitë. Le të përgatitemi ta mirëpresim me traditën më të mallëngjyshme shqiptare, atë të mikpritjes. Zoti e bekoftë gjithmonë kështu Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Rama.
Monsinjor Rrok Mirdita: Papa tregoi dashurinë që ka për vendin tonë
Nunciatura Apostolike, në një konferencë shtypi për vizitën e Papës Françesk në Shqipëri, deklaroi se vizita e Atit të Shenjtë vjen 21 vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit II (25 prill 1993), në agimin e një dite të re për Shqipërinë pas rënies së komunizmit.
Nunci Ramiro Ingles theksoi: “Është domethënëse që kjo është vizita e parë e Papës në një vend europian. Do të jetë udhëtimi i tij i katërt ndërkombëtar. Vizitat e tjera kanë qenë në Brazil, Tokën e Shenjtë dhe Kore.”
Ndërsa, Monsinjor Rrok Mirdita thote se: “Kjo vizitë bën pjesë në atë veprimtari të Atit të Shenjtë që quhet udhëtim apostolik. Papa vjen për të takuar Kishën tonë, për t’u lutur me ne dhe për ne, për të na dhënë porositë e Ungjillit. Kur Papa viziton një Kishë gjatë një udhëtimi apostolik, i drejtohet realiteteve njerëzore të Kishës së atij vendi. Pranimi i ftesës është një shenjë e qartë e dashurisë së Papa Françeskut për vendin tonë.”