Lufta për Teatrin – Tashmë prej muajsh, artistët dhe qytetarët bëjnë rezistencë kundër orvatjes për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë – një ndërtesë historike në zemër të qytetit.
Reportazh nga Veronika Maurer dhe Michael Isenberg në nachtkritik.de Dhjetor 2018
Ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar të kryeqytetit të Shqipërisë e kërcënon shembja. Në vend të saj synohet të ndërtohet një godinë moderne me hapësira komerciale. Ky është vullneti i kryeministrit të vendit Edi Rama. Edhe pse Rama ka studjuar për pikturë, çka e bën atë një artist në krye të qeverisë, ai nuk lëviz nga pozicioni i tij pro shembjes. Prej muajsh qytetarët e Tiranës bashkë me artistë të teatrit protestojnë pa ndërprerje kundër shkatërrimit të kësaj vlere të kujtesës historike të qytetit; ndërkaq protesta e tyre drejtohet edhe kundër kushteve të këqia të punës. Skenat e pakta me pajisje lëvizëse nuk marrin fonde, për investime për hapësira të reja teatrore as që bëhet fjalë.
Çka është më e keqja, tashmë edhe skena më e rëndësishme, më e vjetër dhe më historike e kryeqytetit, ajo skenë ku aktorët kanë interpretuar për të paktën 73 vjet, kërcënohet nga shfarosja, dhe largimi pa lënë gjurmë në kujtesën e historisë.
Loja e pushtetarëve
Për artistët e teatrit, veçanërisht për brezin e ri, është gjithmonë më e vështirë për të gjetur skena për artin e tyre. Por Teatri Kombëtar i Shqipërisë nuk është thjesht një vend pune, apo një skenë për të luajtur role.
Ajo ndërtesë është djepi i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, një qendër e kujtesës kolektive të Tiranës dhe Shqipërisë. Për qytetarët e shqetësuar, aktivistët dhe artistët, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është shndërruar në platformën kryesore që mbart një protestë që nuk fashitet prej gjashtë muajsh. Ata kundërshtojnë shembjen e teatrit të tyre kombëtar. Kauza e tyre ka fituar domethënie kombëtare; tashmë ajo shërben jo thjesht për mbrojtjen e kujtesës së rrezikuar historike të kryeytetit, por edhe për të hedhur dritë në shumë çështje që lidhen ngushtësisht me mënyrën se si bëhet politikë në Shqipëri.
Më 12 mars 2018, Kryeministri Rama prezantoi planet për transformimin e Teatrit Kombëtar, të hartuara nga „fituesi i konkursit“, studjoja daneze e arkitekturës „Bjarke Ingels Group (BIG). Arkitekti që i jep emrin projektit zhvillon projekte në gjithë botën, përfshirë këtu atë për ndërtimin e kullës së dytë të qendrës tregtare botërore në Nju Jork. Për teatrin e ri të Tiranës ai parashikoi një godinë multifunksionale, me skena teatri, zyra, apartamente banimi dhe qendra tregtare.
Në fotot promocionale të godinës së re multifunksionale shkëlqejnë flamujt kombëtarë si dhe shfaqet me kostume popullore në qiell të hapur.
Kritikat e forta dhe protestat shpërthyen menjëherë pas prezantimit të teatrit të ri: publiku u informua se për të nuk ishte zhvilluar asnjë konkurs, asnjë debat parlamentar, dhe asnjë informacion me një rinovim të mundshëm të ndërtesës historike, të cilin qeveria doli se e quante të panevojshëm, edhe pse artistët e teatrit e shihnin si zgjidhjen më të mirë. Pas prezantimit të projektit për teatrin e ri, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë televizive u shpreh se projekti i ri kishte ardhur në trajtën e një “oferte të pakërkuar” të paraqitur nga një firmë private ndërtimi.
Arkitektë të njohur, interesa të koklavitura
Faktikisht, porositësi i ndërtesës së re nuk është Bashkia e Tiranës, por firma private e ndërtimit Fusha shpk, e cila ka përfituar në mënyrë të përsëritur kontrata me shumë leverdi të financuara me fonde publike. Krahas ndërtesës së projektuar nga BIG, firma Fusha shpk synon ta shfrytëzojë truallin për të ngritur kulla komerciale me lartësi 17-21 kate, çka duket edhe në grafikat e prezantuara nga Kryeministri. Nga 9000 metrat katrorë të truallit në fjalë, teatri i ri parashikohet të zërë vetëm një të tretën, çka do të thotë se edhe numri i skenave teatrore dhe kapaciteti për publikun do të reduktohet. Por detajet mungojnë, pasi planet zyrtare nuk i publikon askush.
Interesat ekonomike dhe politike europiane kanë luajtur gjithmonë një rol të dorës së parë në Shqipëri. Kur vendi fitoi pavarësinë nga perandoria osmane në vitin 1912, ai përjetoi një fazë zhvillimi të përshpejtuar ekonomik dhe kulturor në vitet njëzet. Një pjesë e këtij zhvillimi erdhi pas marrëveshjeve me Italinë fashiste të Musolinit, e cila nisi të marrë gjithmonë më shumë kontroll mbi Shqipërinë e prapambetur. Pushtimi italian i Shqipërisë në 1931 u ndoq nga pushtimi ushtarak gjerman në vitin 1943.
Në periudhën midis dy luftërave, Italia u përpoq të realizonte një pamje sa më perëndimore të kryeqytetit të Shqipërisë. Planet urbanistike të arkitektëve italianë Florestano di Fausto e ndërtuan sheshin Skënderbej si një qendër kulturore dhe administrative të qytetit. Në afërsi të sheshit qendror, në vitin 1938 u realizua një kompleks ndërtimor futuristik i përbërë nga një teatër, bibliotekë dhe basen ujor, sipas projektit të arkitektit Giulio Berté. Gjatë periudhës së pushtimit nazist, ndërtesa e Teatrit u përdor si sallë kinemaje; në vitin 1945, Teatri u rihap në Shqipërinë e çliruar. Krahu tjetër i ndërtesës ndërkaq është shndërruar gjithashtu në teatër, tri skenat e të cilit u shërbejnë artistëve të rinj, që të shpalosin talentin e tyre në hapësira me sipërfaqe të konsiderueshme.
Prej shumë vitesh, Shqipëria, një ndër vendet më të varfër të Europës, përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Pas plotësimit të kushtit kryesor të europianëve, që ishte fillimi i një reforme tërësore të sistemit të drejtësisë, në 26 qershor 2018, në vitin e presidencës austriake të BE, Bashkimi Europian hapi negociatat e anëtarësimit.
Asokohe, komisioneri europian për zgjerimin, Johannes Hahn, u shpreh për gazetën Die Welt se “shqiptarët e kishin fituar të drejtën e një perspektive konkrete të anëtarësimit në BE”. Në një fjalim të mbajtur në parlamentin europian, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz u shpreh përsa vijon: “Kjo na gëzon. Por ajo që na duhet, është një perspektivë e ndershme anëtarësimi. Duhet një përparim i vazhdueshëm në rrugën që të çon në Bashkimin Europian.”
Kundër komercializimit të gjithëpranishëm
Përparimi në rrafshin ekonomik është tashmë i dukshëm në Shqipëri. Pasi hodhi pas shpine një fazë turbulencash politiko-ekonomike dhe shoqërore në vitet post-socialiste 90, sot vendi paraqitet si një destinacion tërheqës dhe i fortë nga ana konjunkturale për investime të huaja. Që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama zotëron shumicën absolute. Partitë opozitare e akuzojnë Ramën për lidhje me krimin e organizuar dhe tregtinë e drogës, por për shumë investues të huaja ai vlen si garant për stabilitetin – në pikëpamje politike dhe në lidhje me kuadrin ekonomik e në këtë këndvështrim me garancitë për rritje.
Sikurse gjithë vendi edhe fytyra e qytetit të Tiranës në këtë kohë po ndryshon shumë shpejt. Kur në vitin 2015 socialisti Erion Veliaj fitoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, ai mori përsipër nga paraardhësi i tij Edi Rama qëllimin ambicioz për rindërtimin e tërësishëm të fytyrës së qytetit. Tirana 2030 titullohet një projekt me përmasa të mëdha për zhvillimin e qytetit, që duhet të reagojë ndaj rritjes së jashtëzakonshme të qytetit që nga fundi i diktaturës dhe të kundërveprojë ndaj mbingarkimit të kapaciteteve të tij. Por më tepër se ndërtimi i zonave pa makina e të gjelbra pas këtij projekti fshihet para së gjithash një tërësi projektesh ndërtimi të reja në qendrën e qytetit. „Unë dhe ekipi im kemi vendosur… që ta modernizojmë këtë vend, me çdo çmim“, deklaroi Veliaj në një intervistë me gazetën Guardian. Teatri sipas deklaratës zyrtare të Veliajt do të jetë „një kryexhevahir i këtij transformimi në zemër të kryeqytetit“.
Aksioni „Unë jam Teatri“
Veliaj në këtë qëllim mbështetet në modelin Partneriteti Privat Publik (PPP), një instrument, që u zhvillua nga qeveria laburiste e Tony Blair-it në vitet 90. Në këtë model investuesi kujdeset për planifikimin, ndërtimin, përtëritjen, funksionimin dhe para së gjithash financimin, ndërkohë që dora publike paguan vetëm një qera. Por në rrafshin juridik ka probleme. Për zbatimin e qëllimit të ndërtimit parlamenti duhet të kalonte një ligj special. Dhe kjo përbën një pjesë të arsyeve se pse po protestohet: Ndërtimi i ri i planifikuar nuk duhet të marrë vetëm sipërfaqen e Teatrit të sotshëm Kombëtar, por më shumë se dyfishin – një sipërfaqe, që deri tani ka qenë hapësirë publike dhe e cila për shkak të afërsisë me qendrën bën pjesë tek më të shtrenjtat në Tiranë. Protestuesit flasin për shpronësim dhe thjesht për vjedhje, për një transferim të paligjshëm të pasurive publike në duar private pranë qeverisë. Procesi gjithashtu shpërfill principin e ndarjes së pushteteve, Këshillin Bashkiak, dhe përmbajtja e ligjit special kundërshton legjislacionin në fuqi.
Presidenti Ilir Meta përmes një dekreti special e ktheu dy herë në parlament ligjin special. Edhe nga ana e Komisionit Europian pati kritika, të cilat iu referuan vetëm mosrespektimit të konkurrencës në dhënien e porosisë për ndërtim.
Për protestuesit problemi më i madh qëndron në faktin që nuk mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Në kuadër të reformës në drejtësi – kusht i BE-së për negociatat e anëtarësimit – personeli juridik shqiptar po i nënshtrohet një kontrolli të gjerësishëm. Në Gjykatën e Lartë sikurse edhe në Gjykatën Kushtetuese aktualisht vetëm rreth gjysma e gjykatësve janë në detyrë. Prej muajsh Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë më vendime.
Pa masa mbrojtëse asgjë nuk bëhet
Protestuesit ndihen të braktisur. Çfarë është „perspektiva europiane“, që premtohet nga komisioneri Hahn? Nga anëtarësimi në BE njerëzit në Shqipëri shpresojnë një përmirësim të standardit të jetesës. Përveç kësaj shumë njerëz presin përmirësimin dhe mbrojtjen e principeve të shtetit ligjor dhe demokracisë dhe me këtë edhe një fillim të vërtetë nga e para pas fundit të diktaturës socialiste. Frika është e pranishme. Pa masa mbrojtëse politike dhe juridike qendra historike e Tiranës do të zhduket gjithmonë e më shumë.
Në sheshin pranë ndërtesës së rrezikuar „Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit“ ka ngritur një skenë proteste nën qiell të hapur, në të cilën artistët shfaqen çdo ditë. Organizohen demonstrata dhe përfaqësuesit politikë në Shqipëri sidhe në zyrat e BE-së në Bruksel janë të lutur të japin mbështetjen e tyre. Organizata për mbrojtjen e monumenteve Europa Nostra me seli në Hagë i dërgoi një apel qeverisë shqiptare, që ta ruajë ndërtesën si trashëgimi kulturore. Më 10 nëntor studiuesi i shkencave të komunikimit dhe aktivisti Ervin Goci udhëtoi në Vjenë, që të raportonte mbi protestat në festivalin Nëntori Shqiptar në Teatrin Popullor të Vjenës. Me vete ai kishte marrë mesazhe video nga aktivistët e Aleancës, të cilët duke qëndruar para skenës së protestës pranë Teatrit Kombëtar Shqiptar, i drejtohen publikut vjenez dhe botëror.
Regjizori i teatrit dhe i filmve Robert Budina shprehet se ai mbron ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe mbështet gjithashtu edhe të drejtën për shprehjen e mendimit të lirë – e bashkë me këtë edhe atë sferë, nga e cila gjenerohet demokraci. Jo vetëm hapësira e lirë rretheqark Teatrit Kombëtar por edhe vetë Teatri vlen për protestuesit si hapësirë publike. Një teatër i përfshirë në një qendër gjigande tregtare ndryshon përfytyrimin për artin dhe mënyrën e funksionimit të teatrit, insiston Ervin Goci. Dhe aktorja Suela Bako shton: „Ne humbasim jo vetëm teatrin, por humbasim edhe një mundësi, që të komunikojmë me publikun tonë dhe t’i mundësojmë atij një kapacitet perceptimi në një mënyrë që vetëm teatri mundet ta bëjë.