Luçie Miloti lindi më 11 maj 1930 në Shkodër, në një familje me tradita muzikore. E ëma dhe e motra këndonin. Rruga e saj artistike do të niste në Radion e Shkodrës dhe më pas do të angazhohej në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prenk Jakovës. Në vitin 1946 familja e saj shkoi në Tiranë. Luçia në Tiranë mbaroi Liceun Artistik dhe ndërkohë është pjestare e Grupit Karakteristik të Shkodrës me mësues Paulin Palin. Fillimisht Luçia emërohet si soliste në Filarmoninë Shqiptare me pas u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957 emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Këtu Luçia u bë e famëshme me zërin e saj të vecantë dhe me interpretimin e vecantë të muzikës popullore shkodrane. Këngët e saj u përhapën në gjithë Shqipërinë dhe u vlerësuan shumë jo vetëm brenda vendit por edhe në vende të tjera të botës ku Ansambli dha koncerte. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Luçia vazhdoi të jetë soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore deri në moshën 45 vjeçare, kur doli në pension.

lucie_miloti
Lucie Miloti

Në repertorin artistik të Luçies numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë me pasion spektatorit dhe dëgjuesit te Radios. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kenë kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe moj çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj.
Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Që 17 vjeçare ajo këndoi në skenat e Cekisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë, Kinës, Egjyptit etj.
Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”.
Në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”.
Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh”.
Një rrugë e Tiranës ka emrin e këngëtares Luçie Miloti.

Luçia ndërrojë jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj më 15 maj 2006.

Luçie Miloti e Xhevdet Hafizi – Po t’jemi bashkë na të dy (viti 1969)