Lazër Radi u lind në Prizren më 29 janar 1916. Për shkak të përndjekjes së serbëve la shkollën në qytetin e lindjes dhe në 1930-31, vazhdon një vit të shkollës së mesme në gjimnazin e s dhe nga viti 1931-1938 shkon në Shkodër ku vazhdon gjimnazin e Shkodrës me profesor historie Ernest Koliqin, në konviktin “Malet Tona”. Të këtyre viteve janë botimet e para në shtypin e kohës (Shtypi, Kombi, Drita, Diana, kryesisht me emër, me inicialet, L.R., apo me pseudonimet Lara, Lapredi, Ladi). Në verën e vitit 1936, shkon në shkollën verore të Pukës, ku jepte mësim e motra dhe njihet me poetin Migjeni dhe grupin e mesuesve Qemal Stafa, Xhemal Broja, etj. Këtu përgatisin për botim gazetën “Shkëndija”. Lazri i ri i goditur nga humbja e shokut, Migjenit shkruan në gazetën “Drita” në shtator 1938, “Migjeni si poet e si njeri”. Nga viti 1938 deri me 1942, vazhdon studimet në Itali dhe ndërkohë bashkëpunon me gazetën “Tomorri” dhe “Tomorri i vogël” me një seri artikujsh.

Lazer_Radi
Lazër Radi

 

 

 

Në këtë kohë të përhapjes së ideologjisë fashiste, si kundërvënie e komunizmit, ai entuzjazmohet prej saj dhe shkruan broshurën “Fashizmi dhe fryma shqiptare” me parathënje nga Vangjel Koça. Në vitin 1942, laureohet Doktor juris (në Filozofinë e së drejtës) dhe ftohet si asistent profesor në katedrën e prof. Vito Cesarini Sforza, por Lazri vendos të kthehet në Shqipëri dhe nis stazhin e avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Gjatë viteve 1943-1944, publikon një seri artikujsh redaksionalë në gazetën “Bashkimi i Kombit” me emër, iniciale dhe me pseudonimin Ushtima e Sharrit dhe Gjergj Komneni. Më 1944, merr liçencën e avokatit dhe nis ta ushtrojë atë por në fund te atij viti, më 23 nëntor, arrestohet nga partizanët dhe gjykohet në prill të vitit 1945 në atë që njihet si Gjyqi special, ku u dënua me 30 vjet burgim për interesin e tij rinor e jetëshkurtë rreth politikës. Në vitin 1952, i arrestohet edhe e shoqja dhe dënohet me dhjetë vite burg. Kështu vazhdon kalvari i burgjeve dhe internimeve, më 1954, lirohet nga burgu dhe internohet fillimisht në Savër e më pas në kampin e intelektualëve, në Kuç të Kurveleshit. Nga 1954 deri më 1958, internohet në kampin e Kuçit të Kurveleshit, 1958-1962 internohet në kampet, e Shtyllasit, Radostinës, Gradishtës dhe Çermës, nga viti 1962 deri më 1990, internohet në kampin e Savrës.

Prej vitit 1985-1990, nis të shkruajë kujtimet në tre vëllime, përgatit dy libra me poezi, plotëson veprën “Një verë me Migjenin”, përmbledh kujtimet mbi Mirash Ivanajn, përkthen librin “Qytete dhe Fantasma” të Duçiqit.
Më 1988, përkthen poemën e Jevrem Bërkoviqit “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”, e cila qarkulloi fshehtas dorë më dorë.
Në vitin 1990, kthehet në Tiranë mbas një odiseje gati gjysëmshekullore persekutimi. Më 1993, boton së bashku me të birin vëllimin poetik, “Muret e Muzgut” dhe përkthimin e poemës “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”.

Më 1994-1998, boton gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve” (52 numra), e cila luftoi denjësisht për çështjen kombëtare jashtë kornizave demagogjike të kohës. Më 1994, boton librat dokumentarë “Misteret e një Ministri” dhe “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, ndërkohë përkthen Frojdin, Jungun, një “Enciklopedi të historisë së botës” dhe një seri veprash të mbetura dorëshkrime. Më 1995, boton librat me përkthime “Epopeja e njeriut” e vëllezërve Ivanaj dhe “Jeta dhe Zakonet e shqiptarëve” e Mark Milanit. Më 1996, boton librin e dytë poetik “Shpresa vdes e fundit” dhe monografinë “Njeriu i rrugës së gjatë”.
Në vitin 1997, i vdes bashkeshortja, me të cilën kishte ndarë vitet pafund të tmerrit komunist. Lazri megjithë moshën, vuajtjet dhe mungesën e të shoqës vazhdon të botojë përkthimet “Platoni, vepra”, dhe “Qytete dhe Fantazma” të Jovan Duçiqit, studimin “I pari Gjyq Special në Shqipëri”, memorialin “Shqipëria në vitet ‘30”, vëllimin poetik “Anzave të Sharrit” novelën“ Apollogjia e Sokratit në Tiranë”.

Lazer Radi u shua ne mëngjesin e 23 shtatorit 1998, ditën e daljes nga shtypi të librit që aq shumë e kish për zemër “Një verë me Migjenin”.