Kristo Kono u lind në Korçë më 22 janar 1907. Fare i ri mori pjesë në bandën muzikore të qytetit, ku i binte klarinetës.
Krijimtarinë e tij muzikore e filloi qysh në vitet ‘20 me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927 Kono nisi studimet e larta në Paris. U diplomua në konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano. Pas studimeve në vitin 1932 u kthye në atdhe. Në shtator të këtij viti Kristo mori pjesë në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu”, të Korçës ku u paraqit për herë të parë para publikut shqiptar. Në fillim punoi si mësues muzike në qytetin e Gjirokastrës dhe pastaj në liceun e Korçës. Në të dyja këto shkolla ai ngriti kore dhe orkestra, riorganizoi bandat e këtyre qyteteve. Në të njëjtën kohë nisi punën me korin e mirënjohur artistik ”Lira”. Kristo filloi punon me pasion për mbledhjen e përpunimin për kor të shumë këngëve popullore, duke iu dhënë atyre cilësi dhe vlera të reja. Fryt i studimeve dhe hulumtimit mbi motivet popullore ka qenë edhe kompozimi prej tij i dy rapsodive korale.

Kristo_Kono
Kristo Kono

Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet kompozimi i “Rapsodisë shqiptare nr.1”, që u ekzekutua me sukses të madh në Tiranë më 28 Nëntor 1942. Pas luftës veprimtaria krijuese artistike e Konos u rrit shumë. Pas krijimit të romancave të para si “Asnjë shpresë”, “Vjollcat” dhe “Kthehu”, kompozitori nisi sërish studimin më të thellë të këngëve të folklorit, dhe të këngëve patriotike. Frytdhënëse ishte dhe njohja e tij me këngëtarët Tefta Tashko Koço, Jorgjia Trujën, Kristaq Antoniu etj. Artistja e Popullit Tefta Tashko që në fillim e pëlqeu muzikën e Kristos dhe me dëshirë e interpretontoi atë. Por ajo që e bëri të njohur ishte kompozimi i veprave të mëdha vokale-instrumentale; poemat, kantatat. Ato ishin nga të parat në llojin e tyre, nga më të njohurat përmendim: poemat vokale-instrumetale “Borova”, ”Labëria”, kantata “Malli për atdhe”. Në veprat koncertale-instrumentale përmendim “Fantazi shqiptare”, ”Valle shqiptare”, fantazia “Mezhgorani”, poema për orkestër “Bredhat e Drenovës” etj. Kristo Kono shkroi shumë pjesë instrumentale të formacioneve të ndryshme, që nga suita për orkestër, pjesë për ansambël, flaut, oboe, violinë, piano, klarinetë, etj. Ka meritën se kompozoi operetën “Agimi” në vitin 1954, e cila i hapi rrugën zhvillimit të operas në vendin tonë. Pas kësaj kompozoi edhe dy opereta të tjera ”Së bashku jeta është e bukur” më 1957 dhe “Brigadierja” më 1968. Kryevepra e Kristo Konos ishte opera “Lulja e kujtimit” në nëntor 1961, e cila u dha disa herë edhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në vitin 1961 Kristo Konos iu dha titulli “Artist i Popullit”.
Kompozitori Kristo Kono mbylli sytë në Korçë më 22 janar 1991.