Nga Skënder Jaçe – Kineast
Në mesvitet 1980 Kantautori Françesk Radi del në skenën e trupës së estradës së shtetit në Tiranë edhe me këngë të huaja, hite botërore për kohën, kryesisht latino-amerikane. Në këtë skenë njohu sërish suksesin me të cilin ishte ndarë më 1973, pas festivalit famëkeq të 11-të të këngës në RTSH. U Dërgua për riedukim në veri të vendit, në Fushë-Arrëz. Për 16 vjet ju hoq e drejta e këngës dhe skenës. Një ndër koncertet e veçantë të tij e kolegëve ishte ajo e vitit 1972, organizuar nga i vetmi televizion i kohës, RTSH-ja nën titullin “ Pa prozhektorë “, të regjisorit të talentuar Albert Minga. Ishte një koncert ndryshe, ka shkruar dokumentaristi i shquar i RTSH-së, Petro Lati. Radi rikonfirmoj emrin e tij si kantautor, këngëtar, kompozitor e instrumentist duke patur ftesa nga trupat artistike edhe në rrethe. Një ndër to ishte pjesëmarrja në koncert – shown e qytetit Stalin, Kuçova e sotme, në Nëntor të 1988.
I mirënjohuri Skënder Jaçe, ish drejtori i kinemasë së Kuçovës në atë vit, sot biznesmeni i rrjetit të kinemave në Shqipëri, sjell në kujtesë ato momente të veçanta të përjetuara prej tij e qytetarëve të atij vendi.
“ Me Frankon kam një eksperiencë të bukur dhe mjaft mbresëlënëse në vitin 1988. Ishte i ftuar nga ana jonë në qytetin e naftëtarëve. Lajmi u përhap menjëherë në qytet dhe kërkesat ishin shumë të mëdha për të parë atë shfaqje. Ishte Nëntor dhe nuk e mbanim dot popullin në hyrje të sallës së kinemasë. Ishte një natë mjaft ndriçuese do të thosha për atë qytet. Franko në ato vite ishte në kulmin e ndriçimit të karrierës së tij. Salla mbante 300 vende dhe perjashta mund të ishin 2000-3000 veta. Të detyruar të plotësonim edhe kënaqësinë e njerëzve përjashta, dhashë urdhër që në dritare të viheshin dy boksa, dy altoparlante. Ishte ftohtë shumë dhe njerëzit nuk largoheshin, rrinin, dëgjonin plot kënaqësi zërin melodioz të këtij artisti, të këtij djali të shkëlqyer do të thosha, që i dha shumë këngës dhe muzikës shqiptare”. Franko këndoi shumë këngë në atë koncert, shoqëruar nga duartrokitje të pandërprera dhe bize. Këndoi dhe dy këngë të huaja, “ Palma’o” e “Bamboleo”.
Sipas bateristit dhe solistit të grupit amator të qytetit, Edmond Naqellari, “Në fund të shfaqjes Franko prezantoi këngën ‘Bamboleo“ të grupit Gipsy Kings. E gjithë salla u ngrit në këmbë. Kjo këngë u përsërit tri herë dhe i gjithë refreni u këndua si jashtë dhe brenda bashkë me Frankon. Ishte një koncert që dhuroi shumë emocione. Grupi amator i orkestrës së naftëtarëve, një grup të rinjsh mjaft të talentuar, punoi me përkushtim dhe pa orar për dy ditë rresht me partiturat e koncertit për të shoqëruar kantautorin Radi. Shpërblim ishte suksesi. Ishte një koncert që mbahet mend ende nga ata që e përjetuan. Për atë që Franko i ka dhënë muzikës shqiptare mbetet një artist unik i mrekullueshëm“, shprehet Naqellari.
“Ishim në prag të rënies së murit të Berlinit dhe frika nuk ishte vrarë akoma. Por Frankua e vrau atë natë frikën. Kjo sallë, jam i sigurtë se e ka memorizuar në muret e saj atë zë të bukur, atë zë melodioz. Frankua e ngriti publikun peshë në atë mbrëmje magjike dhe elekrizuese“ kujton kineasti i shquar, Skënder Jaçe.
Sipas kineastit Jaçe: “Mbas shfaqjes më kujtohet që spektatori priste jashtë dyerve për ta takuar a për t’i marrë një shenjë autografi Frankos, apo për të bërë një foto. Kishim një fotograf të kinemasë, se celular nuk kishte në ato vite, dhe atë e mbytën duke e tërhequr, kush e kush të bënte më shumë foto. Natyrisht nuk mund të plotësoheshin kërkesat e të gjithëve. Më kujtohet që kaluam një mbrëmje mjaft të bukur, aty në sallën e pallatit të kulturës. Festuam me Frankon dhe njerëzit që e shoqëronin. Ishte vërtet një mbrëmje magjike për banorët e atij qyteti“.