Kujtim Spahivogli lindi më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnje. Kreu Liceun Artistik në Tiranë (dega Teatër) dhe studimet e larta për teatër i ndoqi në Moskë nga viti 1951-1956. Pas kthimit në atdhe në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Roli i tij i parë në skenën e ketij Teatri ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”. Në vitin 1960 Kujtimi u bë një nga themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë dhe Kryetar i degës së Dramës. Ai është themeluesi i Fjalës artistike dhe i lëndës së Skermës në Institutin e Lartë të Arteve (Sot Akademia e Arteve të Bukura). Në 1964 Kujtimi ndihmoi ne krijimin e Teatrit Dramatik të Vlorës dhe vuri në skenë dramën e parë aty, “Fundosja e Eksadronit” të Kornjejcuk.

kujtim_spahivogli
Kujtim Spahivogli në filmin “Oshëtimë në bregdet”

Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”.
Kujtimi vuri në skenë disa pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami dhe kur ky u dënua nga plenumi i katërt i Partisë së Punës (Komuniste), bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga Teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë.
Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Vdiq më 7 korrik të vitit 1987 në moshë të re pesëdhjetepesë-vjeçare, pas një persekutimi prej 2 dekadash, i sëmurë e i harruar edhe pse kishte qenë një ndër aktorët e regjisorët e spikatur të Teatrit Shqiptar.

Drama te interpretuara:
Orët e Kremlinit
Majlinda
Në anën tjetër
Dragoi i Dragobisë
Hamleti, etj.

Ka vënë në skenë:
I Çuditëshmi
Gratë gazmore të Uindsorit
Shoket e nje klase
Fundosja e Eksadronit
Në tufan
Shtëpia në bulevard
Drita
Karnavalet e Korçës
Qielli i kuq, etj.

Dramaturg.
Një shok i klasës sonë

Film:
Oshëtimë në bregdet

Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.