Në një dalje publike nga kryeministria në ora 17:00,  jashtë së cilës u protestuesit qëndronin në pritje të vendimit të qeverisë Kryeministri Rama i ktheu përgjigje popullit, aleatëve por dhe partnerëve ndërkombëtarë se “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në operacionin e asgjësimit të armëve kimike siriane”.

edi_rama
Kryeministri Edi Rama

“Sot nuk është dita për t’ju ndryshuar mendjen, e di këtë dhe nuk ju’a kërkoj. Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë.
Por sot është dita që unë t’ju them vetëm këtë:
Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit. Pa Shtetet e Bashkuara bota s’do e kishte mundur dot as Hitlerin e as Perandorinë Komuniste dhe Europa e Shqipëria kushedi si do kishin qenë sot. Pa Shtetet e Bashkuara shqiptarët nuk do ishin kurrë të lirë e të pavarur në dy shtete siç janë sot. “- tha Rama.

Rama u ndal tek marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qe i cilësoi “speciale”, duke theksuar se janë partneri ynë më i madh ndërkombëtar.

Rama theksoi momentin kur Shqipëria u vendos në krah të SHBA-së, nëse do të kishte ndërhyrje ushtarke në Siri; Kontaktet me SHBA-në për mundësinë e përfshirjes së Shqipërisë në operacionin e asgjësimit të lëndëve kimike, ku Shqipëria do ishte veç një pike mbështetjeje në tokë ndërsa e gjithë logjistika do sigurohej nga Amerika; Negociatat që bashkë me asgjësimin e lëndëve kimike të Asad të asgjësoheshin 31 zonat e rrezikshme të mbetjeve kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat Shqipëria e vetme nuk mund t’i asgjësojë; pastrimin e mbetjeve të mëdha inerte në gryka lumenjsh, nëpër rrugët kombëtare e nëpër plazhe; edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike siriane.
Rama shpjegoi pse  “përgjigjja për pjesëmarrjen në operacion ishte parimisht po, dhe më pas pse Shqipëria nuk mund të marrë pjesë në këtë operacion. Rama sulmoi ashpër dhe opozitën dhe ish kryeministrin Berisha të cilët donin të bënin një referendum kundër Amerikës.
Pas fjalimit të kryeministrit Rama në sheshin para kryeministrisë nisi festa e protestuesve për fitoren e kauzës së tyre e më pas ato u shpërndanë.