Miho Gjini u lind më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu edhe shkollën fillore. Arsimin e mesëm e vazhdoi në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, ku u specializua edhe si teknik i radiologjisë, profesion që e ushtron për një periudhë në spitalin civil në Gjirokastër.
Studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, ku u diplomua në vitin 1963 si aktor, regjisor dhe me specializim në kritikë teatri.
Në vitet 1963–1966 shërbeu si drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” në Elbasan, ku realizoi disa premiera, përfshirë:
“Justina” e Hella Wuolijoki (1964)
“Kutia prej argjendi” e John Galsworthy (1965)
Në vitet 1966–1969 ka qenë kryeredaktor i revistave “Teatër” dhe “Estrada”, gjatë këtyre viteve Miho punoi edhe si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve).
Në vitin 1969 u emërua Inspektor i Përgjithshëm i Teatrove dhe Estradave, detyrë që e mbajti paralelisht me punën si pedagog deri në vitin 1976.
Nga viti 1976, në fillim u emërua mësues në Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë. Më pas u dërgua me punë të detyruar dhe u internua në zonën e Memaliajt dhe Tepelenës. Në dhjetor të vitit 1978 u arrestua dhe u dënua me akuzën e “agjitacion dhe propagandë”, duke qëndruar në burg deri në vitin 1982, kur u lirua me amnisti të përgjithshme. Më pas punoi si punëtor.

Pas ndryshimeve politike të vitit 1990, Miho emigroi në Greqi.
Ai ka qenë për 15 vite Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi, si dhe kryeredaktor i revistës “Pegasi”. Ka shërbyer gjithashtu si redaktor në disa antologji letrare me autorë nga Bregdeti i Jugut.
Në vitin 2005, me vendim të Presidentit të Shqipërisë, u rehabilitua dhe u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”. Mban gjithashtu titujt “Qytetar Nderi i Bregdetit” dhe “Ambasador i Paqes”.
Botime:
Letërsi, kritikë, drama dhe studime:
Trokitje në dyert e teatrit (1967)
Bijtë e partizanëve – dramë për fëmijë (1965)
Dashi me këmborë – komedi (1968)
Pas shfaqjes – shkrime kritike për estradën (1971)
Gjemba në livadhin e shokut Bardhok – komedi (1973)
Teatri i të vegjëlve – metodikë regjisoriale (1974)
Teatri dhe koha – studime dhe kritika (1974)
Vdekja e mjellmës – tregime (1995)
Mihal Popi – Artist i Popullit – monografi (1997)
Pasardhësi i Moisiut: Naim Frashëri – monografi (1998)
Adio, Xhulia R! – tregime dhe novela (2000)
Jetë artistësh – portrete dhe shkrime (2001)
Një jetë e ndërprerë – monografi (2001)
Vila e vetmuar – novelë (2002)
Dëbimi: Udha për në ferr – roman autobiografik (2003)
Arratisja e kujtesës – tregime dhe novela (2003)
Vdekja e artistit – tregime dhe novela (2005)
Një jetë me teatrin dhe për teatrin – bibliografi (2008)
Bisedë me muzat – studime dhe kritika (2008)
Letra nga Spanja – roman (2012), përkthyer në greqisht (2014)
Diva shqiptare Margarita Xhepa – monografi (2013)
Piqerasiotët – studim letrar-historik (2013)
Shpirti artistik (2014)
Acari i dashurisë – tregime dhe novela (2014)
Dy ditë sa për dy shekuj – publicistikë (2014)
Artisti i Popullit Nikolin Xhoja – monografi (2015)
55 vjet publicistikë (2017)
Teatri dhe letërsia – kritika dhe studime (2018)
Piqerasi – guidë artistike (2018)
10 + 1 portrete artistësh (2020)
Mozaik – studime (2022)
Piqerasiotët – libri i dytë (2022)
Dritëhijet e skenës dhe ekranit (2023)
Brezi i artë i aktrimit (2024)
