isuf bajrami
Isuf B. Bajrami

 

Nga Isuf B. Bajrami

“Njeriu nuk është armik i njeriut, por bëhet nga sistemi i keq i Qeverisjes.” – Thomas Pein

Në Kosovë, Zoti e di kur do të zgjohet ky popull, për ta kuptuar çfarë gabime historike kanë qenë marrëveshja e Rambujesë e të Parisit dhe çka përmban Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Marrëveshjet e shumta të Hakerupit me Çoviqin, Korniza, etj…, nuk janë aspak jashtë marrëveshjeve të sipërcituara, për të cilat, prapë ”fajin” (ndoshta) do ta kenë fuqitë e mëdha apo Evropa edhe pse aktet e tyre i kanë nënshkruar “politikanët e tanë”: Kuaj-Buaj e shumë bujë e mushka të tjerë. Me një politikë të tillë “largpamëse” dhe të hollë (Esadiste).

Kosova e sotshme mund të njihet si vatër kryesore e paradoksit, që ecë mbi dy këmbë: që flet shqip, magjypisht, serbisht, tamilisht, banglladisht… por prapë se prapë mbetet e ngërthyer me fusnotë brenda “nacionalna dërzhaves” serbosllave. Kosova, në kohën kur nuk është vu asnjë gurë themeli, po zihet në anarkinë e liberalizmit pluri-par-titist. Këtu mungon sistemi elementar i vlerave, baza elementare për rend e stabilitet.
Anarkia, veprimet pa kritere apo kriteret e rrejshme, po gërryejnë thellë e më thellë jetën e popullit, po ngufasin frymëmarrjen e lirë të Kosovës.
Këtu rrugaçët, kapadainjtë, kllosharët, kafexhinjtë, po shumohen si bretkosat në moçal.
Këtu, brenda natës, lypësi bëhet princ e princi lypës.
Këtu jetohet si në lagjet e hipikëve dhe drogerëve të perëndimit: vendësit e mpirë nuk janë të vetëdijshëm për pasojat (bëjnë qejf e mburren duke menduar se po bëjnë punë të vlefshme).
Këtu, në emër të demokracisë, qetësisë, stabilitetit e progresit, zhvillohet autokracia e re e mafiozitetit.
Këtu, hipokrizia e demagogjia vlerësohen virtyte, ndërsa vendosja e regjimit të ri neokolonialist shpëtim e fitore.
Këtu kultivohet politika e tjetërsimit, e urrejtjes së vetvetes, e ikjes nga liria, e paaftësisë për të vetëvendosur.
Këtu edhe një ”misionar” i pa gdhendur sillet si babaxhan, si në shtëpi të vet, si në pronë të vet.
Këtu lulëzon servilizmi absurd ndaj ndërkombëtarit,qoftë ai mediokër dhe megalomania tragjikomike ndaj intelektit kosovar.
Këtu një pjesë e misionit të ndërkombëtarëve sillen si klouni, sikur “gjeneral de fantaisie”.
Këtu vlerat injorohen dhe antivlerat fitojnë peshë.
Këtu shqiptarit i zihet fryma me identitetin e vet të cenuar, vihen në lojë përçmuese emocionet e tij, injorohen virtytet dhe vlerat nacionale të tij.
Këtu atë që pushtuesi agresiv serbomadh nuk e ka arritur (të shtyp ndjenjën dhe idealin e shqiptarit për pavarësi e shtet), po arrihet çuditërisht me misionin e strategjisë së shantazhit, duke e shndërruar misionin në demision denigrues, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e larta të demokracisë amerikane të Willsonit e pasuesve të tij.
Këtu shkelet paturpësisht gjaku i dëshmorëve, vepra madhore e SHBA-së dhe NATO-së , solidariteti i bashkësisë demokratike ndërkombëtare.
Këtu bëhen të qarta e kuptimplote thëniet e Thomas Pein-it: ”Njeriu nuk është armik i njeriut, por bëhet nga sistemi i keq i qeverisjes”.
Këtu edhe impotentët, perversët dhe filistët e të gjitha llojeve, shiten Don Juanë të perëndimit, duke shfrytëzuar streset e pas luftës dhe varfërinë.
Këtu gazetari më i thjeshtë mund të bëhet agjent dhe ekzekutor.
Këtu paguhet vetëm dëgjueshmëria.
Këtu rrogat tejkalojnë proporcionin 100:1.
Këtu ngritët aristokracia e re konformiste ndaj një qeverie të rreme, ndërsa ndrydhet origjinaliteti dhe kualiteti i vendësit.
Këtu qeverisja e rremë bazohet në deklaratat e fraza të përgjithësuara të rendit të ri e progresit, ndërkaq mbytet çdo iniciativë progresive e vendësit.
Këtu qeverisja e rremë ka vendosur kriteret e veta të shitjes së vullnetit të intelektit vendës.
Këtu liria humb kuptimin real, ajo po kalon në abstraksion, sepse masa duhet bindur në lirinë e kushtëzuar.
Këtu bashkim vëllazërimi ish-jugosllav është zëvendësuar me brohoritjet për “lirinë” e sjellë, të cilën papagallët vendës e trumbetojnë orë e çast.

Këtu injorohet e përçmohet kriza sociale e pjesës dërrmuese të masës,të verbëruar nga premtimet hipokrite dhe udhëheqësit e pavendosur ose konformistë, të zhytur në moçalin e konfrontimeve destruktive.