Skënder Selimi (1933-2015) ishte Regjisor-baletmaestri i parë. Kontributi i tij në fushën e baletit nis me “Shatërvani Bashesarait”, në vitin ’51. Më pas vuri në skenë baletet e para në Filarmoninë e Shtetit dhe Teatrin e Operës, si “Zarena e humbur”, “Zhurale Fadeta”, “Laurensia”, “Sheherezada” etj. Ai mori pjesë si krijues dhe në operat e para “Traviata”, “Ivan Suzanini”, dhe në disa drama të Teatrit Popullor si “Romeo e Zhuljeta”, “Hamleti”, “Mirandolina” etj.

skender-selimi
Prof.Dr. Skënder Selimi

Selimi është autor i duetit të parë klasik shqiptar, “Anusha”, koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar “Alba”, koreograf i vodevilit të parë shqiptar “Mirela”. Gjithashtu është autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”, pedagogu i parë dhe themelues i Katedrës së Koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Selimi vuri bazat dhe konceptet profesionalë në Shqipëri duke mbetur ndër studiuesit e rrallë e cilësorë të folklorit koreografik e problemeve të koreografisë shqiptare. Selimi pati edhe një veprimtari të gjerë pedagogjike.

Skënder Selimi është Doktor-Profesori i parë me titull shkencor në fushën e koreografisë. “Mjeshtër i Madh i Punës”, Prof.Dr. Skënder Selimi mbetet një nga themeluesit e zhvilluesit e artit të baletit dhe koreografisë në Shqipëri.

U nda nga jeta më 15 shtator të vitit 2015.