Nga Kastriot Myftaraj /
Më 4 – 11 shkurt 1945, 70 vite më parë në Jaltë (Yalta) të Krimesë nisi konferenca e Tre të Mëdhenjve të koalicionit antifashist, Presidentit amerikan Roosevelt, Kryeministrit te Britanise së Madhe, Churchill dhe Kryeministrit të Bashkimit Sovjetik Stalin, e cila përcaktoi realitetin gjeopolitik në Europë 45 vitet e ardhshme. Në Shqipëri është krijuar miti historik se fati i vendit tonë u vendos në Jaltë, duke iu dhënë Shqipëria Lindjes komuniste. Si është e vërteta? Ky mit është krijuar mbi bazën e mospërmendjes së Shqipërisë në dokumentet zyrtare të marrëveshjes së Jaltës, marrëveshjen dhe anekset e saj, si dhe deklaratën e përbashkët, çka është interpretuar sikur me këtë Roosevelt dhe Churchill ia lanë Shqipërinë Stalinit.
Nëse do të kishte qenë kështu, atëherë regjimi komunist shqiptar do ta kishte përshëndetur konferencën e Yaltës dhe deklaratën e saj. Por nuk ndodhi kështu. Një nga enigmat më interesante të Enver Hoxhës është heshtja e tij për Marrëveshjen e Yalta-s, në kohën që u arrit dhe u shpall ajo, me një deklaratë të përbashkët të Tre Të Mëdhenjve, në shkurt 1945. Në rast se do të ishte i vërtetë miti historik i mësipërm, çka do të thotë se Enver Hoxha përfitoi nga Marrëveshja e Yalta, duke siguruar pushtetin, atëherë ishte dashur që Hoxha ta përshëndeste arritjen e kësaj marrëveshjeje, në shkurt 1945. Kuptohet se ai si shef i regjimit të ri komunist shqiptar, kishte burime informimi përtej atyre cka u thanë publikisht nga Tre të Mëdhenjtë me përfundimin e konferencës.
E pra, Enver Hoxha, bëri të kundërtën, ai heshti për të. Marrëveshja e Jaltës ishte një rast që Enver Hoxha t’ u çonte një telegram Tre të Mëdhenjve, duke shprehur miratimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen, si dhe duke shprehur edhe një herë kërkesën për njohjen e qeverisë së tij. Enver Hoxha jo vetëm që nuk e bëri këtë, por madje as që e përmendi Marrëveshjen e Jaltës në fjalimet e mbajtura në atë kohë. Pse?
Udhëheqja e re komuniste e Tiranës ishte e pakënaqur me Marrëveshjen e Jaltës dhe po kështu ishte dhe Beogradi. Titoja dhe të vetët në Beograd u ndjenë të tradhtuar nga Stalini në Jaltë. Ata prisnin që Stalini të ngulmonte për të mbrojtur interesat e Jugosllavisë në Jaltë, dhe në rradhë të parë kërkesat territoriale të saj ndaj Italisë, Austrisë dhe Greqisë. Hoxha, i cili ndihej i kërcënuar nga britanikët, pati pritur që Konferenca e Jaltës, e tre Të Mëdhenjve, t’ i sillte siguri, duke u përmendur edhe Shqipëria në marrëveshjen e arritur në përfundim të Konferencës, apo së paku në deklaratën e përbashkët të Tre Të Mëdhenjve, çka do të thoshte njohje e regjimit të ri në Shqipëri nga tre fuqitë e mëdha pjesëmarrëse në konferencë.
Jo vetëm që Shqipëria nuk u përmend në marrëveshjen e arritur në përfundim të konferencës, apo në anekset e saj, si dhe në deklaratën e përbashkët, por që në ditën e parë të konferencës Stalini e përdori Shqipërinë si shembull për vendet që nuk kanë rëndësi për të, në një debat në një darkë zyrtare. Është e vërtetë se bashkë me Shqipërinë përmendi edhe Jugosllavinë, por Jugosllavia do të figuronte në dokumentet zyrtare të konferencës. Por kjo gjë do të mësohej vetëm disa vite më pas kur pjesëmarrësve në konferencë të nisnin të publikonin kujtimet e tyre. Ky ishte i vetmi rast kur Shqipëria u përmend në konferencë, në pjesën joformale të saj.
Rreth një muaj para se të niste konferenca Stalini tashmë iu kishte kërkuar jugosllavëve që ta braktisnin Shqipërinë, duke aluduar se nuk do të arrihej traktati sovjeto-jugosllav nëse Jugosllavia merrte angazhime ndaj Shqipërisë. Enver Hoxha nuk e dinte në atë kohë këtë gjë.
Në 9 janar 1945 një delegacion i lartë jugosllav ku qenë Andrija Hebrang, ministër në qeverinë e Titos dhe shefi i Shtabit Suprem të Ushtrisë Jugosllave, A. Jovanoviç ishte takuar në Moskë me Stalinin dhe Molotovin. Nga proces-verbali i bisedës del se kanë biseduar dhe për Shqipërinë:
“Hebrangu njoftoi mandej se gjatë qëndrimit të paradokohshëm të delegacionit qeveritar shqiptar në Beograd u nënshkrua traktati i miqësisë dhe i ndihmës reciproke, u nënshkrua gjithashtu edhe një marrëveshje tregtare.
Shoku Stalin tha se meqënëse Jugosllavia ka marrë angazhime sipas traktatit, ajo duhet t’ i plotësojë. Në qoftë se situata ndërlikohet, a është në gjendje ajo të luftojë kundër Anglisë, a i ka forcat të mjaftueshme? Ja, kjo është edhe një tjetër çështje. Lidhur me Shqipërinë duhet vrarë mendja. Anglezët njohin vetëm forcën.
Shoku Stalin pyeti për ushtrinë shqiptare
Jovanoviçi iu përgjegj se Shqipëria ka tetë divizione të ndara në tre korpuse.
Shoku Stalin tha se nuk ia vlen të luftohet kundër Anglisë. Duhet pritur ca, duhet peshuar mirë çështja e lidhjeve me Shqipërinë. Fakti që traktati i ndihmës reciproke ende nuk qenka ratifikuar dhe as shpallur është një gjë e mirë. Këshilloi që traktati të mos publikohet deri në muajin shkurt.”( “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”, dokumente, përgatitur nga Islam Lauka e Eshref Ymeri, Botimet “Toena”, Tiranë 2006, f. 100- 101)
Nga kjo kuptohet se që në dhjetor të vitit 1944 ka pasur një vizitë të papublikuar të Hoxhës në Beograd ku është nënshkruar në mënyrë sekrete traktati i miqësisë e bashkëpunimit (edhe me dispozita ushtarake) mes dy vendeve, që do të nënshkruhej publikisht në 1946, si dhe marrëveshja ekonomike që do të nënshkruhej po në 1946. Marrëveshjet sekrete shqiptaro-jugosllave janë nënshkruar, qartësisht, për shkak të angazhimit të ushtrisë britanike, në luftimet kundër komunistëve në Greqi, në dhjetor. Jugosllavët druanin se britanikët pas Greqisë do të ndërhynin ushtarakisht edhe në Shqipëri. Nënshkrimi publik i këtyre marrëveshjeve u shty me urdhër të Stalinit, i cili mendonte se Jugosllavia nuk duhet të rrezikonte të gjendej në luftë me Britaninë e Madhe, për shkak të Shqipërisë, se kjo sillte implikime dhe për Bashkimin Sovjetik, që së shpejti do të nënshkruante një traktat miqësie dhe ndihme reciproke me Jugosllavinë. Kjo kuptohet kur Stalini u thotë Hebrangut dhe Jovanoviçit:
“Do të ishte mirë të dinit edhe mendimin tonë para se të merrni vendime të rëndësishme, ndryshe ne do të gjendemi në një pozitë të vështirë.”(po atje: f. 101)
Stalini praktikisht u thotë jugosllavëve që ta konsiderojnë të braktisur Shqipërinë, në rast se atje ndërhynin britanikët, si në Greqi. Këto fjalë të Stalinit rrëzojnë përfundimisht mitin se se Stalini e kërkonte Shqipërinë, apo se Shqipëria iu la Jugosllavisë falë ndërhyrjes së Stalinit te aleatët perëndimorë, SHBA dhe Britania e Madhe. Dokumenti i cituar më lart i bisedës së Stalinit me delegacionin jugosllav përgënjeshtron dhe atë që është thënë se Stalini kërkoi dhe mori 50% të influencës mbi Shqipërinë në ditën e tretë të negociatave për të famshmen Marrëveshje të Përqindjeve me Stalinin, në Moskë, në tetor 1944, ku të dy shënuan përqindjet e influencës së Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore. Por, nëse Stalini do të kishte siguruar që në tetor 1944 50% të influencës mbi Shqipërinë, ai nuk do të kishte folur për Shqipërinë në takimin e Jugosllavët si më lart. Se tekefundit supozohej që Stalini ta kërkonte influencën në Shqipëri te perëndimorët, për llogari të jugosllavëve.
Në prag të fillimit të Konferencës së Jaltës, Enver Hoxha shikonte se britanikët po bënin veprime që faktikisht synonin të merrnin nën kontroll paqësisht Shqipërinë, duke përfituar nga fakti se vendi kishte nevojë emergjente për ndihmë ekonomike. Hoxha do ta quante këtë, në mënyrë të pasaktë, si kamuflim të ndërhyrjes ushtarake. Ai do të thoshte në raportin e vet në Kongresin I të PKSH, në nëntor 1948:
“Përveç kërkesavet të 16 dhe 19 shtatorit (1944- K.M.) imperialistët tentuan dhe më pas për ndërhyrje të armatosur direkte në Shqipëri, siç është kërkesa e Feld Mareshallit Aleksandër më 22 janar 1945 që misioni ushtarak aleat të vendosesh me një mision britanik mjaft të gjerë dhe me në krye një general. Qeveria dhe Partia jonë refuzoi duke pranuar që gjer sa të njihesh Qeveria të qëndronte misioni i vjetër, i cili në realitet përbëhesh vetëm nga oficerë Englezë. Padyshim ultimatumi i Feld Mareshallit Aleksandër nuk mungoi t’ arrinte dhe kërkoi që ‘sidomos t’ i tregohet Gjeneral Hoxhës se në rast se ay nuk do të dëshëronte ta pranonte propozimin për një mision, një akt i tillë do ta vononte pa tjetër njohjen akoma më tepër». Ay kërkonte përgjigje brenda «tri ose katër ditësh e shumta’. Qeveria britanike me anën e këtij misioni të ri, në formë që t’ informohesh mbi gjendjen në Shqipëri përpara se të njihte Qeverinë, në realitet misioni i ri do të shërbente si pararojë me një ndërhyrje të armatosur të gjerë.”(“Kongresi i I-rë i Partisë Komuniste të Shqipërisë”, Botim i Partisë së Punës të Shqipërisë, Tiranë 1950, f. 218-219)
Por, nëse se britanikët kishin ndërmend të ndërhynin drejtpërdrejt ushtarakisht në Shqipëri për të përmbysur regjimin, pse duhet që të bënin këto lojëra të sofistikuara, kur mund të vepronin thjesht siç kishin bërë në Greqi? Prandaj qëllimi i britanikëve në këtë rast nuk ka qenë invadimi i vendit, por thjesht ndihma ekonomike, sipas praktikës që ata kishin në atë kohë. Pas të gjitha gjasave, në atë kohë, politika e amerikanëve dhe britanikëve në Jugosllavi dhe Shqipëri ishte që ta bënin udhëheqjen komuniste të këtyre vendeve të bindej se, jo Bashkimi Sovjetik, por vetëm SHBA dhe Britania e Madhe qenë në gjendje t’ u ofronin ndihmën ekonomike për të cilën kishin nevojë këto vende. Në rastin e Shqipërisë, perëndimorët, qartësisht kishin gabuar duke e marrë të mirëqenë se Hoxha dhe pjesa tjetër e udhëheqjes komuniste të vendit, qenë seriozisht të interesuar për zhvillimin ekonomik të vendit.
Por ndoshta Enver Hoxha kishte të drejtë në mënyrën e tij të të menduarit, se në rast se në vend do të vinte një ndihmë kaq e madhe perëndimore, atëherë kjo do të ishte një goditje në themelet e regjimit. Shqipëria e re do të ndërtohej mbi themelin e urrejtjes dhe armiqësisë ndaj Perëndimit. Regjimi, sipas shembullit sovjetik, e ndjente instinktivisht se mirëqenia e popullsisë, aq më tepër ajo mirëqenie me prejardhje perëndimore, qe vrastare për të. Shqipëria e re duhet të ishte një shoqëri e jetës civile të militarizuar, e jetës së vështirë dhe të varfër, ku mirëqenia do të ishte një ideal për t’ u arritur në të ardhmen, por që nuk do të arrihej kurrë dhe që në fakt nuk duhej të arrihej kurrë. Kështu regjimi do të ishte gjithmonë i sigurt. Nëse do të vinte mirëqenia, kjo shoqëri e militarizuar dhe regjimi bashkë me të, do të transformoheshin në atë kahje që kishte frikë regjimi, në një lloj shoqërie që ishte normale për pjesën tjetër të botës.
Marrëveshja e Jaltës, e cila u arrit më pak se dy muaj pasi Hoxha i kishte urdhëruar forcat e veta ushtarake që të dislokoheshin në mënyrë që të prisnin një sulm nga bregdeti, në vend që ta qetësonte Hoxhën e shqetësoi edhe më tepër. Siç kam thënë më lart, ekziston një spekulim historiografik, sipas të cilit, fakti që Shqipëria nuk përmendet në Marrëveshjen e Jaltës tregon se aleatët perëndimorë ia lanë Shqipërinë Bashkimit Sovjetik. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Kjo mospërmendje tregon se Stalini e kishte lënë Shqipërinë jashtë sferës së interesave të tij. Mjaft që të lexosh tekstin e marrëveshjes zyrtare të Konferencës së Jaltës, që u bë publik me përfundimin e konferencës, për ta kuptuar se sensi i marrëveshjes ishte që atje të përmendeshin vendet ku Bashkimi Sovjetik kishte interesa për atë që e shihte si zona e vet influencës për të garantuar sigurinë e kufijve të tij. Synimi ishte që aleatët perëndimorë të bënin alibinë që po ia linin këto vende Bashkimit Sovjetik. Konferenca e Jaltës në fakt konfirmoi zonat e influencës, sipas gjendjes së faktit ku kishin arritur ushtritë respektive. Në Shqipëri nuk erdhi ushtria sovjetike. Që në Konferencën e Teheranit, Stalini kishte premtuar se Ushtria e Kuqe nuk do të dilte në Mesdhe (pra edhe Adriatik).
Vendet europiane ku Bashkimi Sovjetik nuk kishte interesa, u përmendën në marrëveshje ose në protokollin që iu bashkëngjit asaj, vetëm me kërkesën e aleatëve perëndimore, saktësisht të Britanisë së Madhe, për çështje konkrete. Kështu është domethënëse se Greqia përmendet në vetëm në protokollin që iu bashkëngjit marrëveshjes, dhe kjo nuk bëhet me nismën e delegacionit sovjetik, por me insistimin e delegacionit britanik, i cili kërkoi dhe ia arriti që të mbahej shënim për çështjen e rivendikimeve territoriale të Greqisë ndaj Bullgarisë, si dhe për dëmshpërblimet e luftës që Greqia i kërkonte Bullgarisë. Stalini nuk shikonte ndonjë interes sovjetik në Greqi, ose e quante një rrezik të tepruar të kërkonte një gjë të tillë. Sipas marrëveshjes së përqindjeve Churchill-Stalin të tetorit 1944, Bashkimi Sovjetik kishte 10% influencë në Greqi, çka nuk mund të kishte kuptim tjetër përvec atij që në Greqi do të tolerohej të kishte një parti komuniste që do të merrte 10% të votave, ashtu sikurse këtë kuptim kishte influenca perëndimore që u fiksua me përqindje në tre vendet lindore tashmë të okupuara nga ushtria sovjetike, Bullgari, Rumani, Hungari, si dhe Jugosllavi. Stalini nuk u implikua në luftën civile greke, ku jugosllavët qenë sponsorët kryesorë të guerriljes komuniste në Greqi, se kishin rivendikime për një pjesë të territorit të Greqisë, Maqedoninë e Egjeut, të banuar nga popullsi sllave. Stalini, në takimin që pati me Titon në Moskë, në maj 1946, kur tashmë qe duke rifilluar lufta civile në Greqi, i paralajmëroi jugosllavët:
“Njerëzit luftëdashës po provojnë të tërheqin grekët në luftë.”(Arhiv Josipa Broza Tita. Fond Kabinet Marsala Yugoslavije. I- 1/7. L. 6-11)
Pastaj Stalini shtoi duke iu drejtuar delegacionit jugosllav:
“Ju doni një luftë tjetër që t’ u rrahin përsëri dhe sllavët të humbin dhjetë milion njerëz të tjerë?”(po atje)
Por Stalini nuk ushtroi presion të fortë mbi jugosllavët që në fillim, në 1946, që të ndërprisnin mbështetjen për guerriljen komuniste në Greqi, se ai llogariste me diabolizmin e tij të zakonshëm që të përfitonte nga nxjerrja jashtë ligjit e partisë komuniste në Greqi, për të prishur marrëveshjen e përqindjeve për Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Edhe Italia u përmend në protokollin e Jaltës vetëm me insistimin e delegacionit britanik për shkak të shqetësimit që kishte Londra nga rivendikimet territoriale të ekzagjeruara të Jugosllavisë ndaj Italisë. Shqipëria nuk u përmend as në marrëveshjen kryesore dhe as në protokollet e saj, çka do të thoshte se Bashkimi Sovjetik nuk shfaqte ndonjë interes për Shqipërinë. Marrëveshja e Jaltës në fakt u jepte dorë të lirë aleatëve perëndimorë për një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, si ajo në Greqi.
Në Marrëveshjen e Jaltës sigurisht që u përmend Jugosllavia, se perëndimorët dhe në atë kohë veçanërisht britanikët, qenë të vendosur të mos lejonin daljen sovjetike në Mesdhe. Në fillim, pas Marrëveshjes së Jaltës, u duk sikur Stalini, duke ndjekur edhe pikëpamjen gjeopolitike tradicionale ruse ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, e shikonte Jugosllavinë si vendin që duhet të përmbyllte krahun jugperëndimor të zonës sovjetike të influencës, të konceptuar si zonë sigurie për kufijtë sovjetikë. Kjo përshtypje u krijua kur Bashkimi Sovjetik, dy muaj pas Konferencës së Jaltës, nënshkroi me Jugosllavinë një traktat miqësie dhe ndihme reciproke, që përmbante dhe dispozita ushtarake që sanksiononin një aleancë ushtarake mes dy vendeve. Kjo përbënte një dhunim të marrëveshjes së përqindjeve të tetorit 1944 mes Churchill-it dhe Stalinit, sipas së cilës në Jugosllavi influenca sovjetike dhe ajo perëndimore duhet të qe e barabartë, në masën 50-50%. Derisa në Jugosllavi ishte vendosur tashmë një regjim komunist dhe kjo influencë në përqindje nuk mund të materializohej në përqindjen që zinin partitë në parlament, atëherë mbetej që ajo të shprehej duke u larguar Bashkimi Sovjetik nga Jugosllavia dhe duke u armiqësuar me të, çka Stalini do ta bënte tre vjet më vonë.
Në kohën e Konferencës së Jaltës, Stalini, siç e kam cituar më lart, e shikonte si të tepërt dhe problematike aventurën jugosllave në Shqipëri. Stalini e kuptonte se perëndimorët do ta perceptonin kontrollin e Shqipërisë nga Jugosllavia si kontroll by proxy të Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe dalje të Bashkimit Sovjetik në Otranto, çka Stalini e shikonte si një ngacmim të tepërt ndaj Perëndimit, se kjo do të interpretohej nga perëndimorët si krijimi një baze për ekspansion sovjetik në të gjithë Mesdheun. Stalini e kuptonte se bërja e Shqipërisë një satelit sovjetik kompromentonte qëndrimin sovjetik për çështjen e ngushtinave detare turke, për të cilat Moska kishte kërkuar koncesione në Konferencën e Jaltës, dhe për të cilat në protokollin që iu bashkëngjit Marrëveshjes së Jaltës u ra dakord që të diskutohet në të ardhmen. Nëse Stalini e justifikonte kërkesën e tij për ndryshimin e statusit ndërkombëtar të ngushtinave detare turke, me faktin që ato përbënin portën detare jugore të Bashkimit Sovjetik, çka ngjante e arsyeshme, kjo gjë do të dukej ndryshe nëse Bashkimi Sovjetik dilte në Otranto by proxy, me anë të Jugosllavisë.
Prandaj Stalini tregohej shumë i kujdesshëm, në mënyrë që të mos u krijonte përshtypjen aleatëve perëndimorë se ai kishte të bënte me atë që ndodhte në Shqipëri dhe se ky vend hynte në ndonjë farë mënyre në sferën e interesave sovjetike. Kjo ishte arsyeja që, edhe pse britanikët që në mars 1945 kishin sjellë si shef të misionit të tyre në Shqipëri, një gjeneral, dhe amerikanët kishin sjellë një mision civil, sovjetikët ende e mbanin nivelin e përfaqësimit të ulët me një major, atë që kishin çuar që në kohën e luftës. Shefi i Misionit të SHBA në Shqipëri Jacobs do të shkruante për takimin e tij me të dërguarin sovjetik në Shqipëri majorin Ivanov, në 15 maj 1945:
“Në orën 10 të këtij mëngjesi unë vizitova majorin Ivanov, të misionit rus… unë u befasova shumë për sjelljen e butë dhe jo të ftohtë të majorit, i cili fliste më shumë për pritjen e gjatë para se të kthehej në Moskë, se sa për çfarë ai kishte bërë për problemet e Shqipërisë.”(Revista “Studime historike”, Botim i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë 2006, nr 1-2, f. 196)
Me sa duket Stalini priste që britanikët ta invadonin Shqipërinë. Shqipëria ishte i vetmi vend komunist ku nuk kishte trupa sovjetike, i cili nuk lidhi një traktat miqësie dhe aleance me Bashkimin Sovjetik, pas Luftës së Dytë Botërore. Jugosllavia e bëri traktatin që në prill 1945, para se trupat sovjetike të tërhiqeshin nga Jugosllavia. Me vende të tjera satelite, si Hungaria, Rumania, Bullgaria, Moska nuk lidhi traktate se ato kishin qenë aleate të Gjermanisë dhe më parë duhej bërë një traktat paqeje mes tyre dhe vendeve të koalicionit antifashist me të cilat ato kishin qenë në luftë, duke përfshirë dhe Bashkimin Sovjetik. Shqipëria ishte rast i veçantë, qartësisht e lënë e zbuluar nga Moska. Nuk ka arsye të thuhet se Stalini e bënte këtë gjë duke menduar se Shqipërinë do ta kontrollonte me anë të Jugosllavisë, se prishja e Stalinit me Titon do të vinte pikërisht për shkak të aventurave jugosllave në Shqipëri, që Stalini i shikonte si rrezik për sigurinë sovjetike, derisa mes Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë kishte një traktat aleance ushtarake. Kjo ishte një gjë e dukshme edhe për Enver Hoxhën, pavarësisht se nuk i kuptonte, ose më saktë i keqinterpretonte motivet e sjelljes së Stalinit.
Stalini e dinte se dy aleatët e tij të mëdhenj perëndimorë nuk e pranonin ardhjen e komunistëve në pushtet në Shqipëri, një vend me qasje në Mesdhe, ashtu si Jugosllavia, prandaj që para se të niste konferenca gjeti mënyrën që t’ u shprehte Roosevelt-it dhe Churchill-it mungesën e interesit të tij për Jugosllavinë dhe Shqipërinë, sic kam treguar më lart. Në Konferencën e Jaltës e ka origjinën OKB, dhe në Jaltë u vendos përfundimisht se cilët vende do të ftoheshin atje. Stalini nuk pati asnjë kundërshtim që Shqipëria komuniste të mos ftohej për të qenë pjesë e OKB.
Kjo bënte që ankthi i Enver Hoxhës të vazhdonte të rritej. Aq i terrorizuar duket Hoxha nga kjo sjellje e Stalinit, saqë edhe telegramin ku e uron Stalinin për fitoren mbi fashizmin, e bëri tetë ditë me vonesë, në 17 maj 1945. Kuptohet se në këtë rrethanë një telegram ka kuptim kur bëhet ditën që shpallet ngjarja, ose e shumta të nesërmen. Pas tetë ditësh mund të çohej një letër. Por qartësisht Hoxha ka pritur që t’ i thonë jugosllavët për këtë gjë, ndërsa Tito duket se ka menduar se nuk ishte nevoja që ta mësonte Hoxhën edhe për një gjë kaq të thjeshtë. Jugosllavët duket se e kanë marrë vesh me vonesë atë që nga Tirana nuk ishte nisur ende telegram në Moskë për të uruar fitoren dhe i kanë thënë Hoxhës që ta bënte këtë gjë. Në telegramin e Hoxhës për Stalinin nuk ka asnjë nuancë ideologjike komuniste. Kuptohet jo se nuk donte Hoxha, por se nuk donin sovjetikët. Hoxha i drejtohet Stalinit me “Shkëlqesë”.(Enver Hoxha: Vepra, vol. 3, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, f. 50)
Hoxha thotë në telegramin për Stalinin, në 17 maj 1945:
“Në emër të gjithë popullit shqiptar kam nderin t’ i drejtoj Shkëlqesës Suaj si dhe gjithë popujve të Bashkimit Sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe të lavdishme, urimet më të nxehta për fitoren e madhe të korrur në luftë me nazizmin gjerman.”(po atje: f. 50)
Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik nuk përmendet në telegram. Enver Hoxha, me të ardhur në Tiranë, në krye të regjimit, ëndërronte që, përveç Beogradit, të bënte dhe një vizitë në Moskë, në “Romën” e komunizmit ndërkombëtar. Hoxha pa se Tito e vizitoi Bashkimin Sovjetik si lider i Jugosllavisë së re, që në vitin 1944. Ndërsa Enver Hoxha nuk e pati këtë fat kur erdhi në pushtet, çka do ta shtonte ankthin e tij. Për këtë gjë ai do të shkruante në kujtimet e veta, në kohën kur do të vizitonte për herë të parë Bashkimin Sovjetik në korrik 1947:
“Dëshira jonë për të dërguar një delegacion të nivelit më të lartë në Bashkimin Sovjetik ishte një dëshirë e zjarrtë, që vlonte prej kohësh në zemrat tona… Këtë gjë ua kishim shprehur edhe atyre shokëve sovjetikë që ishin në vitet e para në Shqipëri, kishim kërkuar edhe ndihmën e Partisë Komuniste të Jugosllavisë e, më pas, kur u hapën ambasadat, e Bashkimit Sovjetik në Tiranë dhe jona në Moskë, në njërën ose në tjetrën mënyrë, e kishim shprehur edhe zyrtarisht dëshirën tonë. Përgjigjet qenë plot buzëqeshje, por buzëqeshjet nuk thoshin asgjë. Përse vallë kështu?! Mos kishim ndonjë gabim në rrugën dhe në punën tonë që na bëhej pengesë. Pa të meta nuk qemë, po s’ gjenim ndonjë shkak të tillë që të na mbyllte rrugët. Mandej nuk kuptonim diçka tjetër: Nëse ne kishim gabime, përse nuk na i thoshin hapur, si komunisti komunistit.”(Enver Hoxha: “Titistët”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1982, f. 314)
Vizita te Stalini për një kryetar partie komuniste në pushtet ishte marrja zyrtare e çertifikatës së legjitimitetit. Duke mos njohur nuancat e politikës ndërkombëtare të Stalinit, Hoxha ka pasur prirjen që ta interpretojë refuzimin për këtë vizitë në sens ideologjik, sipas kompleksit të vet të inferioritetit si komunist. Enver Hoxha ka menduar se Stalini nuk e shikonte atë si komunist, aq më pak si një udhëheqës komunist.
Për Stalinin lufta ishte shndërruar tashmë në një luftë për triumfin e pansllavizmit. Në pritjen e dhënë në Kremlin, në 24 maj 1945, për nder të ushtarakëve të ushtrisë sovjetike, me rastin e fitores, Stalini do të mbante një fjalim të shkurtër në gjuhën e vjetër nacionaliste të carëve:
“Unë pij para së gjithash, për shëndetin e popullit rus sepse ai është kombi më i përmendur prej gjithë kombeve që hyjnë në përbërjen e Bashkimit Sovjetik. Unë e ngrej dollinë për shëndetin e popullit rus sepse ai në këtë luftë ka merituar njohjen e të gjithëve si forcë drejtonjëse e Bashkimit Sovjetik ndërmjet të gjithë popujve të vëndit tonë. Unë e ngrej dollinë për shnëdetin e popullit rus jo vetëm sepse ai është popull drejtonjës, por edhe sepse ai ka mendje të kjartë, karakter të qëndrueshëm dhe durim.” (J. Stalin: “Mbi luftën e madhe patriotike të Bashkimit Sovjetik”, Botim i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Tiranë 1952, f. 176)
Është domethënëse që Stalini, pikërisht në festën e triumfit mbi Hitlerin, i cili postulonte supremacinë e popullit gjerman, postuloi supremacinë e popullit, rus, një herezi e dyfishtë kjo për ideologjinë zyrtare sovjetike. Me këtë Stalini konfirmoi ato që kishin thënë Hitleri dhe Musolini në prag të Luftës së Dytë Botërore se Stalini me spastrimet e tij i kishte dhënë fund bolshevizmit internacionalist, duke e zëvendësuar me një lloj fashizmi sllav. Por Stalini i shikonte kufijtë e zgjerimit të pansllavizmit me syrin e shtetarit që ushtron Realpoliti. Prandaj Shqipërinë e shihte jashtë tyre. Ironia është se Enver Hoxha e kishte çuar Shqipërinë në anën e pansllavizmit kundër dëshirës së Stalinit.
Aleatët perëndimorë, duke parë plagjiaturë sovjetike të regjimit të Enver Hoxhës, e perceptuan atë si një satelit sovjetik që zbatonte një agjendë të përpunuar në Moskë, çka nuk ishte asfare e vërtetë. Autori i kësaj teorie ishte vetë i famshmi George Kennan. Në shkurt 1946 i ngarkuari me punë i SHBA në Moskë, Kennan, pasi lexon raportin e ashpër të shefit të Misionit Amerikan në Tiranë, Jacobs, i çoi Departamentit të Shtetit një opinion për Shqipërinë. Kennan propozonte se SHBA duhet të tregoheshin të ashpër me regjimin e ri në Shqipëri, duke arritur deri tek tërheqja e misionit të tyre nga Tirana. Kennan thotë:
“Këto sugjerime mund të ngjajnë si të skajshme, por unë e siguroj Departamentin e Shtetit, se nuk mund të gjesh njerëz më aktivë e të ndjeshëm, kur është fjala për veprime se rusët që punojnë në prapaskenë në Shqipëri.”(“The Charge in Soviet Union to the Secretary of State”, Moscow, February 1946, “Foreign Relations of United States”, Vol IV, Eastern Europe; The Soviet Union, Washington 1969, p.3)
Kjo ishte pikërisht ajo që Enver Hoxha ëndrronte të ndodhte! Kur Kennan shkruante kështu, ai nuk shpjegonte se përse Bashkimi Sovjetik që bëri një traktat me Jugosllavinë, që në prill 1945, nuk e kishte bërë dhe të njëjtën gjë me Shqipërinë, në rast se Stalini atëherë donte ta përfshinte Shqipërinë në sferën sovjetike. Teoria e Kennan nisej nga premisa se Jugosllavia ishte satelit i Bashkimit Sovjetik dhe Shqipëria që ishte satelit i Jugosllavisë, për rrjedhim ishte satelit i Bashkimit Sovjetik. Në fakt, teoria e Kenan për Shqipërinë ishte rezultat i fjalimit të famshëm të Stalinit në zgjedhjet për Sovjetin Suprem, në shkurt 1946, që u bë shkak që Kennan të shkruante të famshmin “Telegram i gjatë”. Fjalimi i Stalinit u interpretua në Perëndim si shpallje e armiqësisë ndaj Perëndimit dhe në kuadrin e saj të një fushate të ekspansionit global sovjetik dhe shkaktoi alarm të madh. Shprehja më elokuente e reagimit perëndimor ishte telegrami i gjatë i Kennan, ku ai zhvilloi teorinë e ekspansionit të pakufizuar sovjetik, që duhej të përballej me frenimin në shkallë globale nga ana e SHBA.
Por Kennan nuk e shpjegoi se si ishte e mundur që ndodhi transformimi i Stalinit, i cili në vitet njëzet kishte kundërshtuar me urtësi politikën aventuriere ekspansioniste të Trockit, të llojit që Kennan i atribuonte Stalinit tash. E pra, si ishte e mundur që tash, njëzet vjet më vonë, kur Bashkimi Sovjetik kishte dalë nga një luftë tejet shkatërrimtare për të, dhe kur kishte përballë një fuqi si SHBA, i njëjti Stalin, të cilin ato që eksperiencoi vitet e fundit duhet ta kishin bërë akoma më të kujdesshëm, do të guxonte të adoptonte politikën e vjetër të Trockit. Kennan, me njohjen që kishte për realitetin sovjetik, duhet ta kishte kuptuar se Stalini e kishte llogaritur retorikën e tij për t’ i krijuar popullit sovjetike dhe vendeve satelite iluzionin se Bashkimi Sovjetik ishte ende shumë i fortë, pavarësisht shkatërrimeve që kishte pasur nga lufta. Kennan sigurisht që e kuptonte këtë, por ai shkruante për llogari të kompleksit ushtarak-industrial amerikan. Doktrina e përmbajtjes ishte ajo çka i duhej kompleksit ushtarak-industrial, për të rritur shpenzimet për armatimet në një periudhë afatgjatë, pavarësisht se kishte ose jo luftra. Rasti i Shqipërisë e përgënjeshtronte më së mirë ambicjen e pakufizuar ekspansioniste që Kennan i atribuonte Stalinit. Ajo që u tha Stalini dy funksionarëve të lartë jugosllavë në janar 1945, se nuk ia vlente që, për Shqipërinë të luftohej me Britaninë e Madhe. Stalini me këtë donte të thoshte, së pari se Bashkimi Sovjetik nuk do ta mbështeste Jugosllavinë nëse kjo do të hynte në luftë me Britaninë e Madhe për hir të Shqipërisë. Por ajo çka duhej të nënkuptonin jugosllavët këtu ishte se Stalini mendonte se me Britaninë e Madhe nuk ia vlente të luftoje as për Jugosllavinë.