leon_lekaj
Leon Lekaj

Nga Leon Lekaj

Unë nuk mbërrij ta kuptoj shtysën, e cila qysh prej çastit kur emni i Kol Miletës depërtoi në vetëdije, prishi paktin e qetësisë së vendosun prej kohësh mes meje dhe botës jashtë saj. I vetëdijshëm që vendi im e ka ma të lehtë të trumbetojë librat e “mrekullueshëm” të një gazetareje, që rri gjithmonë afër politikës, apo sukseseve të ndonjë deputeti, që kërkon me hy në letërsi nëpërmjet frëngjive të shëmtueme të politikës, emni i thjeshtë i piktorit më bani që të meditoja në heshtje, e të më shtynte me hy në kompetencat e nji gazetari, thjesht që të qetësoja ndërgjegjen time. Rasti i Kolë Miletës duhet të jetë i rrallë dhe heshtja e tij modeste duhej të ishte objekt “sulmesh” për gazetarët tanë të ndritun që jetojnë në atdheun tonë të dashtun. Por nji pjesë e madhe e tyne fatkeqësisht vazhdojnë me i ba fresk, vetëm pronarëve “zemërgjanë”, apo interesave që ata përfaqësojnë. Është hera e dytë që i drejtohem shtypit për të “kërkue ndihmë”, të mund të thyej sa të jetë e mujtun heshtjen që mbulon një artist, i cili vazhdon me na ba të ndihena mirë që jemi shqiptarë. Hera e parë ishte për për poetin Luan Xhuli. Por nëse me devollitin e kisha të thjeshtë, ngaqë e kisha afër dhe mund ta kontaktoja, me piktorin Mileta, punët janë krejt ma ndryshe. Ai banon në Romë dhe unë në Athinë. Ndoshta kjo asht edhe nji prej arsyeve që më ban me u çuditë e me ndërtue nji pyetje, e cila për kaq kohë më rrin varë. Pse po shkruej për nji artist që e njoh vetëm nga larg?

kol mileta
Kol Mileta

Kol Mileta, u lind në Shkodër më 07.09.1963. Mbaroi liceun artistik “Prenkë Jakova” e ma vonë diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1989, në pikturë, grafikë artistike. Punoi në shkollën e mesme “Prenkë Jakova” si mësues grafike dhe i Historisë së Artit. Ishte ndër pjesëtarët e themelimit të shoqnisë “Fishta”, e cila ishte e para shoqni artstike legale, duke hap ekspozitën e parë të lirë n’ koncept. Në gusht të vitit 1995 transferohet përfundimisht në Romë ku vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite.
Të shumta janë ekspozitat personale, si në galeritë Romane, ashtu edhe në “Forte Sangallo Nettuno apo dhe ato kolektive si me shoqnin artistike “100 pittori” shoqnit artistike “Artetremila” e “La Mano”
Merr pjesë në “Open Art” 2005-2006, në galerinë e artit “Salla Bramante”.
Merr pjesë në “Premio Terna”, 01-02-05.
Merr pjesë në manifestime të ndryshme arti në vende publike.
Punimet e artistit ndodhen në koleksione publike e private, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit.
ÇMIME
Çmimin e Parë një konkursin e pikturës për nder të “Pier Paolo Pasolini”.- qershor të vitit 1992
Medalje e Artë në Romë, “Anguillara me ngjyrat e saj”,- korrik 1992
Çmimin e Parë në konkursin e pikturës, “Citta di Nettuno” -korrik 2002
Çmimi “Radunon”-maj 2004
Në maj të 2004 fiton çmimin per pikturë ne “radunon” artistike, “Citta di Pomezia” Roma.
Çmimin e Parë-“Trofeu i Detit Torvoianica”-Romë –Korrik 2005
Një vit më vonë në të njëjtën Bienale, “Trofeu i Detit Torvoianica”, klasifikohet me Çmim të Dytë.

Dhe biografia e tij flet vetë, e duke lexue atë, fjalët e mia duken krejt të vorfna. Por edhe ashtu, unë nuk mundem me i mbajtë brenda vetes, sepse ato bahen të pafajshme vetëm jashtë saj. Vetëm kur ato të kenë formulue mesazhin se heshtja ndaj vlerave, asht nji rrezik potencial ndaj vetëdijes së nji kombi, atëherë kam me u ndie i qetë. Kam me u ndie si nji njeri, i cili ka krye së paku deri në pragun minimal detyrën e tij qytetare.
Shkodrës i jam mirënjohës, për reliken Art, që më dha me vedi n’fluturimet e largëta e jo t’pa v’shtira. E ruj fort e me fanatizëm këtë dhuratë, tu e shpërba në çilsin e forcës të shpirtit tem….i falemnderës, thotë vetë piktori në një intervistë virtuale tek grupi PerShkodren.

kol_mileta2
Por Kola nuk harron me kujtue atë kohë, kur artisti merrej nëpër kambë prej demonëve të kuq, atë kohë kur personaliteti i talentit të tij duhej të heshtte përballë strukturave mafioze të shtetit të vet. Kol Mileta tregon me dhimbje të madhe se si u “zhduk” në mënyrë të mistershme tablloja e tij e titullueme “Rozafa”. Mbasi qe refuzue prej “ekspertave” tanë të famshëm për të marrë pjesë në ekspozitën kombëtare, Kola kujton plot respekt ndërhyrjen e piktorit Ismail Lulani, i cili merr përsipër që ta çojë pikturën privatisht në galerinë e arteve. U tha e u ba. Mbas do kohësh, piktorit të ri i vjen një zarf me 27 mijë lekë të vjetra (shuma ma e madhe që në atë kohë mund t’i akordohej një kompozimi). Por tabloja e tij e titullueme “Rozafa” u vesh me një mister, dhe për artistin ishte e ndalueme kategorikisht të pyeste se çfarë ndodhi me veprën, të cilës ai i kishte dhanë nji pjesë të shpirtit të vet.
Ma vonë, kur strukturat mafioze të shtetit komunist u shpërbanë, piktori merr vesh se nji kritik arti gjerman, pasi kishte vizitue ekspozitën, kishte kërkue me pa edhe veprat e pa ekspozueme. Ishte ndalë tek “Rozafa” dhe e kishte ble atë. Shuma, nuk u mor vesh asnjëherë, por piktorit shkodran i thonë se ajo kishte kenë tronditëse. Dhe i prekun thellë në shpirt, Kol Mileta përfundon: “Ma morën at pëlhur t’pikturume me tavalozin e gjakosun. Unë edhe dashnia e shpirtit tem, nuk ja pamë ma kurrë sytë njeni- tjetrit!
Kol Mileta nuk ka fort nevojë për fjalët e mia. Por unë kam nevojë për qetësinë time. E kjo qetësi do të startojë mbasi unë t’i kem urue publikisht shumë suksese piktorit shkodran.

Leon Lekaj
Athinë Prill 2014