Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi, ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, ishte bijë tregtari. Mikeli qe fëmija i parë nga 8 fëmijët e familjes Koliqi, ndër të cilat pesë djem dhe tri vajza: Mikeli, Ernesti (shkrimtari i njohur, Prof. Ernest Koliqi) Leci, Gulielmi, Margerita, Antonieta, Viktori dhe Terezina. Shkollën fillore e nisi në Shkodër dhe e mbaroi në vitin 1911 në kolegjin “Arici” të Eterve Jezuitë në Breshia të Italisë, për koinçidencë, në klasë me të ishte edhe Papa i ardhshëm Pali VI. Gjithashtu dhe gjimnazin e kreu ne Itali pjesërisht në Monxa, në Bergamo dhe në Bari.
Mikeli i ri studioi piano dhe pëlqente të luante pjesë nga Moxart, Bethoven, Shopent, Debysi, Ravel etj, por më shumë pëlqente Vagnerin.
Pas mbarimit të shkollës së mesme Mikeli studjoi dy vjet në Universitetin Politeknik, për inxhinier. Në Itali ai ndiqte shfaqje të ndryshme, së bashku me miqtë e shokët e tij studentë, ndër ta edhe pianisti i shquar Tonin Guraziu, por në këtë periudhë ai mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjysëm studimet në vitin e dytë për të vijuar studimet teologjike në seminarin “Corso di Venezia” të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos. Atje studjoi deri më 1930. Në 30 maj 1931, në moshën 30 vjeçare, u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës imzot Lazër Mjeda (1869-1935).
Shkodra, në atë kohë, ishte kryeqyteti i kulturës shqiptare. Padër Martin Gjoka, i pari profesionist në muzikën shqiptare, kishte krijuar me kohë rrethin e tij artistik. Në këtë kohë Mikeli i kërkoi Monsinjor Lugj Bumçit një bursë, ose një kurs për muzikë dhe Monsinjor Bumçi arriti që t‘i gjejë një specializim një vjeçar Mikelit pranë një kori të famshëm austriak, ku Mikeli u specializua për dirigjent kori.
Mikeli në prill të vitit 1936 u caktua famulltar i Shkodrës. Në vitin 1932 Mikeli krijoi një grup koral me emrin latin “Scuola Cantorum”, që këndonte edhe në shërbesat fetare të katedrales së Shkodrës por edhe vepra të autorëve të njohur të muzikës botërore. Gjithashtu ai themeloi “Veprimin katolik shqiptar”, dhe krijoi dhe drejtoi revistën “Kumona e së djelës” (1janar 1938 – nëntor 1944), një revistë kulturore, fetare por që trajtonte edhe problemet sociale, të edukimit të rinisë dhe emancipimit, mbi bazat e doktrinës kristiane.
Mikeli krijoi rreth 30-40 pjesë për korin e Kishës që kanë humbur, kur iu sekuestrua biblioteka. Por pjesa më e rëndësishme e karrierës së tij artistike është krijimtaria si kompozitor dhe pikërisht tre melodramat e tij me të cilat u vunë bazat e melodramës shqiptare.
Melodramat e Mikelit të shkruara nga poeti dhe dramaturgu i njohur Dom Ndre Zadeja ishin “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” e “Ruba e kuq”, të cilat kanë arritur deri tek ne si dorëshkrime falë njërit nga nxënësit e tij, Tonin Harapi, i cili i ruajti këto dorshkrime për mëse 45 vjet rresht. Në nëntor 1998 u ringrit kori “Scuola Cantorum” nga kompozitori Gjon Kapidani i cili që në vitin 1991 drejtohet nga kompozitori Zef Çoba. Kori ka ekzekutuar pjesë nga tre melodramat e Mikelit te përpunuara nga kompozitori i nderuar Gjon Simoni.
Dom Mikel Koliqi u burgos nga regjimi komunist më 2 shkurt 1945. Iu sekuestrua gjithçka, iu shkatërrua biblioteka dhe u zhdukën dorëshkrimet e tij. Për dom Mikelin do të fillonte rruga e gjatë e kalvarit, një rrugë e frikshme, shumë e egër. Në vitet 1952-52 u lirua për një kohë të shkurtër dhe më pas u riburgos sërish për të kaluar 38 vjet në burgjet komuniste.
Ndërkohë i vëllai Ernesti ishte personalitet në kulturën shqiptare, themelues i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës. Ai mbajti ushqeu gjuhën shqipe tek arbereshët, kurse në Shqipëri e quanin “bashkëpuntor” të fashizimit.
Pas vdekjes së diktatorit Hoxha, presioni mbi pushtetin komunist që mbante në burg një plak 84 vjeç ishte i madh kështuqë e liruan në vitin 1986.
Dom Mikeli ishte në prag të 90-ave kur komunizmi ra. Në nëntor të vitit 1990, Dom Simon Jubani celebroi publikisht meshën e parë pas 23 vjetësh në kishën e vogël të varrezave të vjetra të Shkodrës.
Qeveria shqiptare vendosi marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe Dom Mikeli u bë personifikimi i përndjekjeve gjysmëshekullore. Edhe pse në moshën 91 vjeçare, Dom Mikeli vazhdoi të ushtronte detyrën e familltarit të Shkodrës. Ai u lirua, me kërkesën e tij, nga kjo detyrë për arsye të moshës.
Në janar 1992 Ati i Shenjtë e emëroi Ipeshkëv. Dom Mikeli dhe Nënë Tereza u takuan në prill të vitit 1993, në Shkodër. Në prill 1993 në Arqipeshkvinë e Shkodrës Dom Mikeli me Papën.
Selia e Shenjtë i dha titullin “Monsinjor”, ndërsa në 28 nëntor 1994 Papa Gjon Pali II e shuguroi Kardinal, Dom Mikel Koliqin në Vatikan.
Më 25 dhjetor 1996, Presidenti i Republikës, shkoi personalisht në shtëpinë e tij, për t‘i dorëzuar dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Kardinali Mikel Koliqi vdiq në Shkodër më 28 janar 1996 në moshën 94 vjeçare. Varrimi i tij u bë në qytetin e lindjes në 30 janar, ndërsa meshën me këtë rast e udhëhoqi i dërguari i Papa Gjon Palit II, Nunsi Apostolik në Shqipëri, Ivan Dias.
Dokumentar mbi Mikel Koliqin