Joan (Jan) Kukuzeli lindi në Durrës, rreth viteve 1070-1075 që në shek. XII ishte nën zotërimin bizantin. I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël. E ëma u mor me edukimin e tij, duke ia besuar mësuesve më të mirë të asaj kohe. Joani u dallua për një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.
Për shkak të këtyre vetive ndoshta, e dërguan në Konstandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, duke i dhënë titullin Mjeshtër, titull që në atë kohë ishte shumë i rëndësishëm. Kështu Joani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë Perandorit. Për zërin e tij të mahnitshëm e quajtën “zë engjëllor”. Në Konstandinopojë ai këndonte, në kishën e Shën Sofisë.
Por një ditë Joani i ri vendosi të largohej fshehurazi nga kryeqyteti. Kështu, i veshur si një bari i varfër, u largua dhe shkoi në Manastirin e Lavrës së Madhe në Malin Athos. Askush nuk e njihte Joanin që ishte kthyer në bari. Një ditë, kur kulloste dhitë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari. Por një murg e dëgjoi dhe e thirri bariun dhe e detyroi të thonte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos e dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.
Murgu e urdhëroi që ta linte punën e bariut dhe të merrte drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Joani u bind. Por murgu shkoi në Konstandinopojë për të takuar, Perandorin, i cili e la Joanin të lirë që të vendoste vetë se çfarë do të bënte. Keshtu Joani u vendos në një shtëpi dedikuar engjëjve të Shenjtë, pranë manastirit, duke praktikuar agjërimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe Shën Marisë, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare, që kanë lënë gjurmë të thella në traditën e krishterë orthodhokse.
Tepër e njohur është sic thonë se atij iu shfaq Shën Maria duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa). Ai thone se e dinte ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte. Ndërroi jetë më 1 tetor.
Vepra muzikore:
Joani sistemoi dhe riformoi melodi më të vjetra, kompozoi tërësi veprash origjinale të famshme, kryesisht “mësime të ngadalta për zëra të bukur” (kalifonik), në mënyrën tradicionale. Pothuajse të gjitha u përkthyen nga shkrimi i vjetër muzikor në shkrimin muzikor të kohës së tij.
Kukuzeli kompozoi melodi për shumë shërbesa kishtare:
Shërbesa të përditëshme:
Mbrëmësore: “Me të hapur dorën…” (tek Psalmi 103 [104]); “Lum njeriu…” (Ps. 1, 2, 3);
Vargje kalifonike; Tinguj që psalen në Hyrjen e Mbrëmësores; Paravargje tingullit Tërthor II, Tërthor IV. – Mëngjesore: Polielei “Shërbëtorë të Zotit…”, “Lavdëroni Zotin…”;
Vargje kalifonike; Andifone; “Çdo frymë le të lavdërojë Zotin…” tingulli I dhe Tërthor IV; Madhështime tingulli IV; Psalmi 118 [119].
Liturgji Hyjnore: Himnin Trishenjtor “Shenjt Perëndi…” tingull II; “Aliluia” tingulli Tërthor I, “Aliluia” të kremteve të mëdha; Himne Qeruvike: “Ne që simbolizojmë…” tingulli Tërthor II, “Tani fuqitë…” tingulli Tërthor II; “Të meriton me të vërtetë…” tingulli Tërthor II; Madhështime në të kremte të mëdha; Kungatore: “Lavdëroni Zotin…” tingulli Tërthor I, “Shijoni dhe shihni…” tingulli Tërthor I.
Për Pashkët:
“Përlufteshës gjenerale…”, “Fuqia e të Lartit…”, “Engjëlli u dërgua…” etj.
Mësime muzikore:
“Që lartazi profetët…” tingulli i Rëndë dhe Tërthor II; Mësime vargjesh; Fjalët e para të tropareve Përshëmbëllta dhe të Njëzëshme;
Mbi 40 mësime në vargje 15-rrokëshe etj.
Shoqërime me iso: Mbajtje iso në 8 tinguj, ku disa kanë edhe emërtime karakteristike.
Mënyra të të kënduari:
Metoda e vendosjes së shenjave muzikore bizantine: Mega Ison, Ison, Oligon, Oksia; Metoda e Mbajtjes iso; Këndimi i shenjave muzikore, pa tekst, që quhet “Këndimi i urtë i shenjave” njihet si “Sistemi rrethor i Kukuzelit (Trohója)”.
Veprat e tij muzikore, dorëshkrime, gjenden të shkruara në greqisht pothuajse deri në shek. XVI, por ka edhe disa kodikë të mëvonshëm jo të plotë që janë të shkruar edhe në bullgarisht.
Jan Kukuzeli: Dy korale – / Kosovo Philharmonic Choir; Rafet Rudi dirigjent, Kaltrina Miftari soprano, Shkurte Hykaj soprano.