ATSH njofton sot se Sopranoja me famë botërore Inva Mula është pranuar ditët e fundit anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës, (World Academy of Art and Science).

Në një postim në rrjetin social Facebook, sopranoja me famë botërore, Inva Mula, falenderon të gjithë miqtë dhe adhuruesit për mbështetjen e artit të saj.

Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës (WAAS) është e përbërë nga 730 anëtarë të kulturave të ndryshme, kombësive dhe disiplinave intelektuale, të zgjedhur në bazë të reputacionit që kanë në art, në shkencat natyrore dhe sociale, si dhe ato humane.

inva_mula
Inva Mula

Sopranoja e njohur, Inva Mula, e lindur më 1963 në Tiranë, ka një aktivitet shumë të ngjeshur artistik dhe ka debutuar me sukses në operat më të njohura në botë.
Eshte vajza e Avni Mulës (bariton, kompozitor, Artist i popullit) dhe ruses Nina (soprano, Artiste e Merituar), Inva ndoqi studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin e Tiranës. Në vitin 1987 fitoi konkursin “Këngëtarja Shqiptare”, më 1988 konkursin “George Enescu” në Bukuresht. Pas katër vjetësh në 1992 fiton konkursin ”Butterfly” në Barcelona. Ajo ka interpretuar role të mëdha të operas botërore si Violetën, Antonia, Xhildën në skenat prestigjioze si Metroplitan të Nju Jorkut, Operan e Parisit, Vjenës etj. Në filmin “Elementi i pestë” në 1997 eshte shffrytezuar zeri i Invës në rolin e Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Ajo ka marrë pjesë në shume koncerte me tenorin e famshëm spanjoll, Placido Domingo, dhe ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo.

Inva Mula ka interpretuar në operat “Medee” të L. Cherubini-t e“Ivan IV” të Bize-se në Francë, në teatrin “La Scala”, Itali, operën e Verdit “Falstaff” “Lucia di Lammermoor”, “La bohème”, “Manon” dhe “Riggoleto” në Verona. Ajo ka interpretuar gjithashtu disa herë dhe “La traviata” të Verdit në Tokio, Bilbao, Trieste, Toronto, etj. Inva Mula është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.